VIZIONI I PEJGAMBERIT DHE UNITETI, FAKTORËT KRYESORË TË FITORES NË BEDËR – Doc. Dr. Muaz Agushi

Akademia Solemne për shënimin e Ditës së Bedrit 1442h

Trajtesa është përgatitur nga Doc. Dr. Muaz ef. Agushi – Prodekan i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, enkas për akademinë solemne me rastin e shënimit të Ditës së Bedrit, organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e RMV, në Kërçovë më 20.04.2021
VIZIONI I PEJGAMBERIT DHE UNITETI, FAKTORËT KRYESORË TË FITORES NË BEDËR

Doc. Dr. Muaz Agushi

 

Hyrje

Beteja e Bedrit është ndër ngjarjet më madhore të historisë Islame.Kjo betejë nuk ishte vetëm një përleshje fizike, ndërmjet muslimanëve dhe idhujtarëve.Bedri ishte më shumë se aq. Ecuria e mëtejme e shoqërisë së parë islame varej pikërisht në suksesin e Bedrit. Fitorja në këtë ditë të madhe të Ramazanit muslimanëve ua garantoi zhvillimin e mëtejmë të jetës religjioze, sociale e kulturore jo vetëm në Medinë, por edhe më gjërë. Nëse Muslimanët do te kishin humbur këtë betejë, edhe vetë Islami do të ishte shuarë përgjithmonë.

Përndjekja e muslimanëve në Mekë

Kur të lexojmë biografinë e Pejgamberit a.s., e kemi të qartë se në fazën e hershme të Islamit, muslimanët iu nënshtruan torturave, vuajtjeve, fatkeqësive dhe vështirësive të shumta nga jomyslimanët. Sumeja ishte skllavja e Ebu Xhehlit, e cila dhunohej e shtypej prej tij për shkak të besimit të saj.Ebu Xhehli e detyronte të mohojë Islamin, por ajo mbeti e palëkundur në këtë besim me një qëndresë të papërkulur deri në vdekjen e saj.Amari i cili ishte djali i Sumejasë, gjithashtu ishte në shënjestër të mizorive. Atë e shtrinin në rërë përvëluese dhe e torturonin rëndë, për arsye se nuk ja kthente shpinën Muhamedit a.s.

Habbabi r.a. ishte hekurpunues. Shumë nga politeistët i detyroheshin të holla dhe, kur shkonte t’ua kërkonte, i thoshin: “Në fillim mohoje Muhammedin, pastaj t’i japim ato që ke për të marrë!” Kurse ai, duke lënë mënjanë interesin e kësaj bote të vdekshme, parapëlqente lumturinë e amshuar, duke thënë: “Unë kurrë s’e mohoj atë! Unë jam bashkë me të!”. Kështu që edhe kyu nënshtrua torturave.

Edhe Bilali r.a. ishte një nga ato që u nënshtruan torturave më të pamëshirshme. Zotëria i tij, i bënte Bilalit tortura që s’ta merrte mendja. Pasi e linte Bilalin r.a. një ditë e një natë pa ujë, i veshte një këmishë hekuri, e nxirrte mbi rërat e nxehta nën diellin përvëlues dhe e mbante ashtu gjersa t’i tretej yndyra e trupit nga nxehtësia.

Duke marrë parasysh këto tortura, presione e mundime nga ana e mushrikëve të Mekes, ishte jashtëzakonisht e vështirë për Muhamedin a.s. dhe në përgjithësi për muslimanët të jetonin në Mekë. Numri i muslimanëve ishte në rritje dita ditës, prandaj muslimanët do të ishin më të sigurt dhe të mbrojtur në Medine. Si pasojë, Pejgamberi a.s. dhe një numër i madh i muslimanëve përfundimisht migruan në Medine.

Kjo nënkupton se këta njerëz që ishin larguar nga Meka për në Medine, nuk ishin larguar për të kërkuar standarde të larta jetësore, por për të kërkuar thjeshtë të drejtën dhe mundësinë e jetesës dhe praktikimin e besimit të tyre.Ata pas veti në Meke kishin lënë tërë pasurinë e tyre, shtëpitë e tyre, bile bile edhe familjet e tyre, sepse me veti nuk kishin pasur mundësi të marrin më shumë se shpirtin dhe trupin e tyre.

Faktorët që çuan në betejën e Bedrit

Para mbërritjes së Muhamedit a.s. në Medinë, kurejshët i shkruajtën një letër Abdullah ibn Ubeji i njohur edhe si Abdullah ibën Seluli, i cili ishte udhëheqësi i Medines në atë kohë, duke e kërcënuar se do ti sulmonin nëse nuk e vrasin ose e dëbojnë nga Medina Muhamedin. Kur Pejgamberi a.s. e mësoi këtë, ai kërkoi nga Abdullah Ibn Ubeji  të mendohet mirë para se të ndërmerrte një veprim kaq drastik,  duke e pyetur atë, a do të dëshironte ai të vriste fëmijët dhe vëllezërit e tij, me fjalë të tjera Ensarët, sepse shumë ensarët ishin bërë muslimanë. Pas bisedës me Pejgamberi a.s. ai injoroi kërcnimet e kurejshitëve. Kur Muhamedi a.s. bashkë me muslimanët migruan në Medine dhe muslimanët e Medines, ensarët, u dhanë atyre mbrojtje, të gjithë  arabët e tjerë u bashkuan për t’i luftuar ata.

Kurejshët ishin të respektuar nga arabët, për shkak se ata ishin kujdestarë të qabes, kështu kurejshët kishin  ndikim mbi fiset midis Mekës dhe Medinës. Kurejshët shkuan deri në atë masë sa ata bënë përgatitjet për sulm ndaj Medinës për të zhdukur Islamin dhe muslimanët.

Jo shumë kohë pas migrimit, zbriti ajeti Kuranor, “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leja të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi, e Allahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre” (Kur’an; 22:39).Ky ishte ajeti i parë i zbritur që ju lejon luftën muslimanëve. Muhamedi a.s. e dinte se leja e dhënë nga ana e Allahut xh.sh. në ajetin e lartëpërmendur ishte detyrim.Megjithatë, para se të luftohet, duhej përgaditur një plan i mirë se si dhe kur duhet luftuar. Kjo pjesërisht ishte për shkak të numrit të madh të jomuslimanëve krahasuar me muslimanët.

Në “Siratunnabi- Life of the Prophet including Battles” Nouman Nauvedi, bën një vështrim shumë interesant në lidhje me vështirësitë, armiqësinë dhe shtypjen që pësuan muslimanët.Autori përmend se vështirësitë në Meke mund të kenë qenë të mëdha por vështirësitë u rritën në Medine.Kjo sipas autorit sepse në Meke muslimanët u përballën vetëm me kurejshitët jomuslimanë. Megjithatë, në Medine, muslimanët u përballen me hebrenjtë, të cilët ishin gjithashtu armiq shumë të vendosur, me hipokritët, të cilët ishin më të rrezikshmit për shkak të natyrës së tyre mashtruese si dhe me politeistët arab. Kjo ishte një arsye tjetër që muslimanët duhej të ishin shumë të kujdesshëm dhe të përgatiteshin siç duhet para se të luftonin, për shkak të disavantazhit të tyre në fuqinë e njeriut, ishte shumë e vështirë për ta të fillonin ndonjë luftë. Sidoqoftë, edhe pse autori mund të jetë i saktë deri në një farë mase, por duhet theksuar se kur muslimanët ishin në Mekë, ishte jashtëzakonisht e vështirë për ta të praktikonin besimin e tyre hapur pa u sulmuar ose të paktën të kërcënuar nga jo muslimanët.Ndërsa, në Medine muslimanët të paktën mund të vepronin sipas besimit të tyre më lirshëm.

Shqetsimi i parë i Muhamedit a.s. ishte të merrte masa sigurie jo vetëm për veten e tij, por edhe për muhaxhirët dhe ensarët, sepse idhujtarët ishin të vendosur që me cdo kusht të shkatërronin Medinen, duke inkurajuar edhe fiset arabe dhe jo arabe të bëjnë njëjtë gjë. Pejgamberi a.s. miratoi tre strategji si masë sigurie. E para dhe më e rëndësishmja ishtë që rruga nëpër të cilën udhëtonin kurejshitët për në Sham duhet të mbyllet që t’u parandalohet tregtia me Shaminë, kjo mbase do t’I detyrojë ata të bien dakord për paqe dhe harmoni, e dyta ishte marveshja për paqe me fiset fqinje, si dhe e treta formimin e  një grupi sahabësh për marrjen e informacioneve mbi lëvizjet e idhujtarëve. Të tre strategjitë e përdorura përfshinë pjesën politike, ushtrake dhe ekonomike.

Incidentet dhe rrethanat e nxitën Pejgamberin a.s. për të dërguar ekspedita të vogla prej pesëdhjetë deri njëqind burra, drejt Mekës. Muslimanët ishin më pak në numër; prandaj u desh të mjaftoheshin me këto ekspedita.Në këto ekspedita, nuk pati asnjë vrasje sepse mushrikët ose u arratisën ose u tërhoqën.Këto ekspedita u dërguan për të shqetësuar karvanët tregtarë të Kurejshitëve.Edhe pse disa kritik pretendojnë së këto ekspedita kishin për qëllim plackitjen e karvaneve, por kjo nuk ka bazë, kur kemi parasyshë se Islami dënon një sjelljë të tillë dhe nuk mund të gjejmë asnjë provë se shokët e Muhamedit a.s. e bënë një gjë të tillë.

Pas një kohe të shkurtër, një nga përgjegjësit e Mekes, Kurz ibën el Fihri, në afërsi të Medinës sulmoi dhe morri disa bagëti që i përkisnin muslimanëve dhe iku për në Meke. Kjo ndodhi në muajt e parë të verës, kur tregtia e mekasve me Shamin ishte më aktive. Prandaj, në muajin Rexheb të vitit të dytë hixhri, Pejgamberi a.s. dërgoi një grup sahabësh të udhëhequr nga Abdullah ibën Xhahshi, deri në vendin e quajtur Nahle, ndërmjet Taifit dhe Mekeës, që për mision kishin vëzhgimin, përcjelljen dhe informimin e lëvizjeve të mushrikëve. Një ditë vërejtën prej së largu një karvan të kurejshitëve, në përcjelljen e të cilit ishin katër njerëz. Pas një sulmi të furishëm e mbytën një, i zunë robër dy vetë, kurse i katërti ua mbathi këmbëve dhe iku. Kur arritën te Resulullahi a.s. dhe e informuan me atëse si kanë vepruar, nuk e pëlqeu atë veprim të tyre dhe iu tha: Betohem në Allahun se unë nuk ju kam urdhëruar të luftoni, por ju kam urdhëruar që t’i përcillni lëvizjet dhe lajmet e kurejshitëve. Burrat e zënë robër dhe i vrari në mesin e idhujtarëve ishin njerëz të nderuar, prandaj kurejshitët u zemruan dhe thirrën për hakmarrje. Urva ibën Zubejri r.a., nipi i Ajshes r.a. si dhe Taberai, theksojnë se ky ishte shkaku kryesor i betejës së Bedrit.

Është e rëndësishme të theksohet se, gjatë periudhës nëntëmbëdhjet muajsh, që nga migrimi deri në betejën e Bedrit, nuk ka pasur asnjë betejë tjetër midis muslimanëve dhe jo muslimanëve, ku kishte konfrontim të përgjakshëm, përvec gjatë kësaj ekspedite, në të cilën u vra El Hadhrami. Të gjitha eskpeditat tjera ushtarake, ishin organizuar për të mbledhur informacione rreth rrugëve përreth Medinës dhe rrugëve që cojnë në Meke, duke vlersuar pikat e forta dhe duke lidhur marveshje paqeje me fiset fqinje.

Ndërsa Muhammed Seid Ramadan El-Buti, pohon se arsyeja kryesore që çoi në betejen e Bedrit konsiderohet dalja e Pejgamberit s.a.v.s., me një grup ashabësh për të takuar karvanin e kurejshëve, i cili po kthehej nga Shami në Meke, ku Pejgamberi a.s. i thirri sahabët ta marrin karavanin në kembim të pasurisë që e kishin lënë prapa në Mekke. Sipas pikëpamjes se Dr. Ramadan el Butit qëllimi dhe plani i muslimanëve ishte bastisja e karvanit tregtar të Kurejshitëve si formë e një kompenzimi për pasurinë që e kishin lënë në Mekke si pasojë e përndjekjeve nga ana e Mekasve. Lirisht mund të themi se muslimanët të udhëhequr nga Pejgamberi a.s. nuk kishin qëllim që të hynë në konflikt ushtarak.

Akram Dija el Umari përmend se bastisjet që ndodhnin ishin me qëllim që të rrezikojnë rrugën tregtare të Kurejshëve, e cila doli të jetë një goditje serioze në ekonominë komerciale të Mekkes.Së dyti, për të arritur marreveshje-paqe me fiset tjera që banonin në këto vendbanime. Së treti, për tu treguar hebrejve të Medines dhe politeistëve se sa të fuqishëm ishin muslimanët.

Nga kjo nënkuptojmë se arsyet themelore që cuan në betejën e Bedrit ishin arsye shoqërore-ushtarake, për ti bërë muslimanët të sigurtë, arsye politike, që është edhe arsyeja e bastisjeve për standard të asaj kohe dhe se fundmi për arsye fetare, për të dominuar Islami.

Arsyet e Fitores

Muslimanët besojnë se një fitore e tillë e jashtëzakonshme padyshim se u arrit me caktimin dhe ndihmën e Zotit. Kombinimi i një sërë faktorësh tjerëe bëri të mundur këtë fitore, në mesin e tyre mund ti vecojmë:

1.     Uniteti. Muslimanët luftonin nën një komandë. Vetë Muhamedi a.s. ishte komandanti i tyre i përgjithshëm. Aftësia e tij për menaxhimin e situatës ishte e shkëlqyer. Marrëdhënia midis komandantit, në këtë rast Muahmedit a.s. dhe ushtarëve ishte shembullore. Disiplina midis forcave muslimane ishte e atillë, që çdo komandant ushtrie do të dëshironte të kishte. Të gjitha këto aspekte e bënë ushtrinë muslimane shumë efikase, kjo e kompensoi dobësinë e saj numerike. Derisa Pejgamberi a.s. këshillohej me shokët e tij para çdo hapi që ndërmerrte, jobesimtarëve u mungonte uniteti. Një numër i madh i njerëzve të shquar nga idhujtarët ishin në ushtri, por më të dalluarit në mesin e tyre ishin Utbah ibën Rebia dhe Ebu Xhehli. Pikëpamjet e këtyre dy burrave ishin shumë të ndryshme. Mjafton të potencojmë se njëri prej tyre, Utbah ibën Rebia, u ndie i detyruar të bëhej pjesë e kësaj beteje, pasiqë, Ebu Xhehli, vazhdimisht përpiqej ta shfaq atë si frikacak para të tjerve.

2.     Strategji e mirë. Kur i dërguari i Allahut dëgjoi se Kurejshët kanë dalur nga Mekka që ti luftojnë muslimanët, ai i konsulltoi shokët e tij në lidhje me këtë cështje. Pejgamberi a.s. mënjëherë caktoi takim ku e diskutuan situatën me shokët e tij. Ai i njoftoi ata për seriozitetin e situates dhe u sqaroi se ishte e nevojshme që medoemos të luftojnë kundër Kurejshitëve ose në të kundërtën ata do të pushtonin Medinen dhe do ti shkatëronin muslimanet. Në këtë rast ai kërkoi këshillën e sahabeve. Kjo praktikë e Pejgamberit a s. reflekton një ndër karakteristikat më të rëndësishme të muslimanit sic është diskutimi dhe këshillimi me ata të cilët janë të besueshëm dhe të dijshëm. Pejgamberi a.s. në veçanti brengosej për Ensarët pasiqë në marveshjen e tyre deklarohej se ato duhej ta mbronin atë vetëm brenda teritorit të tyre. Ngaqë beteja do të zhvillohej jashta Medines, ai deshironte të dinte qëndrimin e tyre për këtë cështje. Ai e kuptoi se kjo i vinte ato në pozitë të vështirë prandaj dëshironte të merrte edhe mendimin e tyre. Ai e respektonte dhe mbështeste marreveshjen dhe nuk e ndryshonte apo kthente atë në interes të tij personal.Pejgamberi a.s. marshoi nga Medina në Bedër duke përdorur strategji të ngjashme me atë që edhe strategët e sotshëm luftarak, e konsiderojnë të përshtatshme gjatë luftrave në shkretëtirë.

3.     Qëllimet largpamëse. Qëllimet e të dy kampeve ishin dy botëra të ndara më njëra tjetrën. Muslimanët donin të siguronin lirinë e mendimit, adhurimit dhe shprehjes së lirë. Muslimanët kishin pësuar shumë shtypje nga mushrikët për një dekadë e gjysmë. Ishte koha që Kureishitëve t’u jepet një mësim i mirë në respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Ndërsa qëllimet e Kurejshitëve ishin thjesht ato të përshkruara nga Ebu Xhehli. Kur shumica e Kurejshitëve mësuan se karavani i Ebu Sufjanit ishte i sigurt dhe po kthehet për në Mekke, ata vendosën që të ktheheshin në shtëpi e tyre, por, Ebu Xhehli iu drejtua atyre duke ju thënë: “Ne do të marshojmë për në Bedër dhe do të qëndrojmë atje për tre ditë. Ne do të therim deve për ushqim, do të organizojmë një festë të madhe e që do të jetë e hapur për të gjithëve që të vijnë dhe të hanë bashkë me neve. Ne do të pimë shumë verë dhe do të argëtohemi nga këngëtare dhe valltare. Kur do të informohen për këtë llojë organizimi, të gjitha fiset arabe do të na mbajnë me frikë për pjesën tjetër të kohës”. Këto, pra nuk mund të jenë qëllimet e një ushtrie serioze; ky është një objektiv dritëshkurtër i njerëzve të shtyrë nga mendjemadhësia.

4.     Moral i Lartë. Morali në mesin e muslimanëve ishte shumë i lartë, madje edhe në mesin e atyre që kishin provojën e tyre të parë të betejës në Bedër. Morali i lartë tek ushtria muslimane ishte krijuar para fillimit të betejes, pasiqë Muhamedi vazhdimishtë komunikonte me ata duke ju dhënë kurajo dhe mbështetje me fjalët “tregoni besimin tuaj para Krijuesit tuaj, dhe në këtë vend do ta meritoni mëshirën dhe faljen e Tij, që ju ështëpremtuar”.Pajisjet e mira ushtarke dhe forca numerike nuk mund të fitojnë një betejë nëse morali i ushtarëve është i ulët. Kur lufta mbaroi dhe ushtria e mushrikëve të Mekes u tërhoq, pasi kishte pësuar një humbje shkatëruese, Pejgamberi a.s. urdhëroi varrosjen e të vdekurve. Katërmbëdhjetë shehidët muslimanë u varrosën, ndërsa një pus i pashfrytëzuar, i cili ishte tharë, u përdor për t’i varrosur ushtarët e armikut.

5.     Përdëroimi i intelegjencës. Edhe para fillimit të betejës së Bedrit, muslimanët kishin informacione të caktuara, i dinin nga afër anët e forta dhe të dobëta të kurejshitëve idhujtarë, pasiqë edhe ata një pjesë të madhe të jetës së tyre kishin jetuar së bashku me ata. Megjithatë ishte e rëndësishme që të mblidhen sa më shumë informacione përmes intelegjencës, posaqërishtë rreth udhëheqjes së ushtrisë së idhujtarëve, taktikave dhe strategjisë ushtarake, numrin e ushtërëve, cfarë lloj armësh posedojnë, stilin e luftës etj. Dhe mu për këtë Pejgamberi a.s. dërgoi disa patrulla për të mbledhur informacione rreth ushtrisë së mushrikëve. Duhet theksuar se një nga pikat e forta të muslimanëve ishte se të gjitha informacionet e intelegjencës u raportuan tek komandanti, i cili ishte në gjendje të merrte vendimin përfundimtar. Mund të themi se përdorimi intelegjencës ishte një ndër arsyet kryesore për suksesin e mulimanëve në Bedër

Përfundim

Muaji i shenjtë i Ramazanit është një muaj i bekuar, muaj i mirësive por njëkohësisht edhe muaj i sprovave, ku sprova në këtë muaj është e madhe por shpërblimi edhe me i madh.Muslimanët e hershëm ishin të detyruar që të tejkalonin shume sprova dhe mundime ne mënyrë që Islami të përhapej dhe të mbijetonte.Beteja e Bedrit është një shembull që dëshmon sfidat dhe vështirësitë e tyre. Kjo betejë ishte e rëndësishme për arsye se ajo përcaktoi Islamin si fenë e vetme dhe të vërtetë për mbarë njerëzimin,

Muslimanët, kanë luftuar edhe në shumë beteja tjera pas kësaj por humbja e kësaj beteje, padyshim që do të ishte fundi. Kjo njëherit ishte edhe sprovë e durimit dhe bindjes së tyre ku ato të gjithe qëndruan pranë Pejgamberit të Allahut duke mos u lëkundur as edhe për nje çast.Pra, sigurisht që Allahu ua lehteson çështjen atyre që janë të paluhatshëm në Zotin e tyre dhe planet e Tij. Beteja e Bedrit ishte dëshmi për këtë fakt: Ai u ndohmoi besimtarëve të cilët nuk dyshuan në Atë as edhe për një moment. Prandaj muaji i Ramazanit është një bekim jo vetëm për arsye se është muaji në të cilin u shpall Kur’ani por edhe ngase kjo fe rruajti dhe mbijetoi sprovën e kohës po në këtë muaj.

Si atëherë, poashtu edhe sot dhe në çdo kohë, beteja e madhe e Bedrit do të jetë burim frymëzimi për punë dhe veprimtari aktive në prezentimin e kauzës Islame në botë, do të jetë gjenerator i dëshirës dhe ambicjeve për fitore dhe suksese në fusha të ndryshme të jetës, ashtu si që fituan muslimanët në luftën e Bedrit.Thënë shkurt, lufta e madhe e Bedrit, do të ushqejë shpirt optimist bashkëkohor musliman me plane dhe strategji të qartë për një të ardhme më të lumtur të bijve të këtij umeti.

 

Comments are closed.