Vitrina e librit

Sintaksa arabe
Në botim të Bashkësisë Fetare Islame të RM ditë më parë doli në dritë libri “SINTAKSA ARABE” i autorëve Dr. Naser Ramadani dhe Ziber Lata, që të dy mësimdhënës në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.
sintaksa-arabe
Materiali që trajtohet në këtë libër është ai që mësohet në FSHI, pra bëhet fjalë për sintaksën e gjuhës arabe,  duke përfshirë dhe disa rregulla të morfologjisë së kësaj gjuhe. Libri ndahet në dymbëdhjetë krerë apo njësi mësimore. Secilës njësi mësimore në fillim i është dhënë teksti në gjuhën arabe, duke përfshirë definicionin dhe rregullat që ndërlidhen me njësinë përkatëse. Në vazhdim i njëjti tekst është edhe në gjuhën shqipe. Shembujt që jepen pas çdo njësie mësimore janë dyngjyrëshe, gjë e cila e bën më të kuptueshëm mësimin.
Çdo njësi mësimore ndiqet nga ushtrimet, ndërsa në pjesën e ushtrimeve jepen edhe pyetje të tjera nga njësia përkatëse, të cilat kërkohen të plotësohen nga ana e studentëve.
Libri mundëson përvetësimin e shkathtësive të komunikimit në gj. arabe, jo vetëm nga ana e studentëve, por edhe të gjithë atyre që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën arabe. Pra, ky libër mundëson aftësimin e përkthimeve të teksteve të ndryshm si dhe komunikimin më të gjerë në gjuhën arabe.
Udhëzime praktike akaidore dhe fikhore
(Hanefij-Maturidij)
Bëhet fjalë për librin e autorit boshnjak Sami Xheko, përkthyer në gjuhën shqipe nga Nexhat S. Ibrahimi, i cili në botim të Bashkësisë Fetare Islame dhe të shoqatës “Ilmije” e zgjeron edicionin fetar në gjuhën shqipe. Ky botim, siç mund të kuptohet edhe nga titulli (“Udhëzime praktike akaidore dhe fikhore (Hanefij-Maturidij)”, ka të bëjë me disa udhëzime për çështje të cilat janë diskutabile.
Materiali i këtij edicioni ndahet në dy kapituj. Në kapitullin e parë bëhet fjalë për Akaidin islam hanefij-maturidij, ku jepen sqarime rreth komentimeve të ajeteve dhe haditheve të paqarta (muteshabihat); po ashtu jepen sqarime rreth cilësive të Allahut (xh. sh.),  gjithnjë duke u mbështetur në ajete dhe hadithe.
Ndërkaq, në kapitullin e dytë bëhet fjalë për Fikhun islam hanefij-maturidij, ku përfshihen udhëzime rreth burimeve që shpiejnë deri tek e vërteta, ndjekjen e medhhebeve si obligim për njerëzit e zakonshëm dhe një sërë udhëzimesh të tjera të cilat janë diskutabile, ndër të tjera siç është ngritja e duarve në nivel të veshëve te tekbiri fillestar, shqiptimi i aminit në vete, leximi pas imamit, dhikri i përbashkët, duaja pas selamit, mevludi etj.
Duke marrë parasysh se popullata muslimane e trevave ballkanike në lëmin e jurisprudencës islame i përket medhhebit Hanefij, kurse në lëmin akaidor i takon drejtimit Maturidij, ky libër është tejet i rëndësishëm për t`i larguar dyshimet rreth disa veprimeve fetare që mbretërojnë në mesin e besimtarëve, sepse udhëzimet që jepen në këtë libër janë koncize dhe precize në interpretimin e çështjeve fikhore dhe akaidore.
Q.O.

Comments are closed.