Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të Premten më 08.10.2021 i shoqëruar nga Sekretari Gjeneral i BFI Irsal ef. Jakupi, Drejtori i Agjencisë për Hallall Standard H. Muhamer ef. Veseli dhe Shefi i Kabinetit Dr. Abdilkerim ef. Iseni, mori pjesë në mbledhjen e rregullt të Muftinisë së BFI Gostivar ku në mënyrë detale u analizuan rezultatet e Ramazanit të kaluar, grumbullimit të Kurbanëve, si dhe rezultatet tjera.
Në këtë mbledhje, Muftiu i Muftinisë së BFI Gostivar, H. Sabahudin ef. Zendeli, si nikoqir, bëri hapjen e mbledhjes dhe në mënyrë të hollësishme prezantoi dhe analizoi rezultatet e arritura në Myftininë e Gostivarit gjatë periudhës së lartpërmendur. Bazuar në rezultatet e prezantuara, u vërtetua se arritjet e Muftinisë këtë vit kanë tejkaluar edhe rezultatet e vitit 2019.
Gjatë mbledhjes, Myftiu gjithashtu njoftoi edhe për kthimin e një prone – vend strategjik në Gostivar prej 2600 metro katrorë që tash e tutje do të jetë vakuf i BFI – nën menaxhimin e Muftinisë së Gostivarit. Poashtu u bë edhe pranimi i një nëpunësi të ri Harbin ef. Osmanit si referent në Muftini.
Nga ana e tij, Reisul Ulema Shaqir ef. Fetai në emrin e tij dhe të BFI, përshëndeti Muftininë e Gostivarit për punën e palodhshme dhe rezultatet e larta duke ju dëshiruar suksese të reja, Myftiut dhe tërë operativës së kësaj muftinie. Poashtu u përshëndet edhe pranimi i nëpunësit të ri duke i dëshiruar suksese në punë.
Në fjalën përmbyllëse, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai para të pranishmëve shpjegoi për ecurinë e punëve në Bashkësinë Fetare Islame, si dhe informoi Muftininë se viti 2021, i ka tejkaluar të gjitha parashikimet e BFI në të gjitha sferat e aktiviteteve fetare dhe financiare, edhe përkundër situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e Kovid 19.
Përndryshe, ky vit mund të mbahet mend edhe si viti i kthimit të pronave të BFI në gjithë territorin e RMV. Të theksojmë se këtë vit u kthyen në pronësi të BFI-së objektet e mëdha si Kapan Hani, Bezisteni dhe Kinemaja e Vjetër (në Shkup), 24 hektarë tokë ndërtimore në Gostivar dhe shumë rezultate tjera.
Në fund Reisul Ulemasë iu dorëzua Vendimi i Plotfuqishëm i pronës së re vakuf i BFI në territorin e Muftinisë së Gostivarit.
Comments are closed.