Më 9 prill, 2019 (e martë), janë vënë themelet e Xhamisë Haxhi Muhjidin të lagjes Serovë,
komuna e Çairit (Shkup).
Ceremonia e rindërtimit të Xhamisë është zhvilluar në prani të kreut më të lartë të BFI të RMV,
Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, të Myftiut të Myftinisë së BFI-Shkup Mr. Qenan ef.
Ismaili, të myftilerëve të myftinive përkatëse të BFI-së, pastaj të dekanit të FSHI-së prof. dr.
Shaban ef. Sulejmani dhe të kryetarit të Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu.
Fjala mirëseardhëse dhe përshëndetëse i takoi nikoqirit të organizimit të kësaj ceremonie, mr.
Qenan ef. Ismaili, i cili dëshiroi mirëseardhje dhe uroi që kjo xhami të jetë pasuri shpirtërore e
lagjes Serovë, po edhe e komunës së Çairit.
Për të dhënë një rezyme rreth historikut të Xhamisë, në emër të Këshillit iniciues fjalën e kishte
hatibi i kësaj xhamie, Bexhet ef. Dernjani.
Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti edhe kreu i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, i cili uroi që
sa më shpejt të tubohemi për hapjen solemne të kësaj shtëpie të Zotit.
Fjala e rastit i takoi Kryetarit të BFI të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili para
të pranishmëve tha:
– E drejta e ndërtimit, rindërtimit dhe mirëmbajtjes së xhamive është e besimtarëve.
Xhamitë janë vend i paqes dhe aspak i dhunës. Xhamitë janë xhenete të kësaj bote.
Kështu kanë qenë dhe kështu duam që të jenë. Për besimtarët, një xhami e
rregulluar mirë, që rrezaton bukuri dhe pastërti, është pasqyrë e vetë fesë islame.
Përmes pesë vakteve të namazit, çdo besimtar vë lidhje të drejtpërdrejtë me
Allahun (xh. sh.), në çdo namaz ai është në ‘Miraxhin’ e vet dhe kjo patjetër kërkon
edhe një ambient të rregulluar mirë, të pastër, të bukur, sipas kërkesave që i ka feja
jonë e shenjtë.
Në fund, nga Myftiu i Myftinisë së Gostivarit, Hfz. Shaqir ef. Fetahu, u bë një dua dhe me
këndimin e tekbireve u bë hedhja zyrtare e gurit themeltar.
Lusim Allahun fuqiplotë që t’i shpërblejë të gjithë kontribuuesit, deri në arritjen e realizimit të
formës përfundimtare të kësaj xhamie, e në veçanti donatorin, i cili dëshiron të mbetet anonim.
Zyra për Informim e Myftinisë së BFI të RMV – Shkup
Comments are closed.