[:al]Vetëm përmes agjërimit, njerëzimi e përmbush njerëzoren e vet[:]

[:al]Secili nga pesë kushtet e Islamit gjithsesi se ngërthen një opus të gjerë rregullash dhe diturish që i shërbejnë njerëzimit për çdo kohë, që t’i tejkalojë problemet me të cilat ndeshet në jetë. Ky fakt dëshmon se Kurani fisnik nuk është libër diturish njerëzore veç për një kohë, sepse po të kishte qenë i tillë, dituritë e Tij do të mbaronin ose do të vlenin vetëm për një kohë dhe vetëm për një popull.

 

Shkruan: Prof. Ibrahim Idrizi

Njëri prej kushteve islame është edhe agjërimi, që është obligim për besimtarët në muajin e Ramazanit, si muaj i veçantë,  i caktuar për këtë lloj ibadeti në bazë të hadithit: ,,Kur të shihni hënën e re të muajit të Ramazanit, filloni agjërimin; dhe kur të shihni hënën e re të muajit të Shevalit, ndalojeni atë. Ndërsa, po të jetë qielli i vrenjtur (dhe nuk e shihni dot hënën e re) llogariteni hënën (muajin) e Ramazanit 30 ditë.”  (Transmetim i Ibni Umerit r. a. sipas Sahihut të Buhariut)

Pra,  i  Madhërishmi nga 12 muajit e vitit e ka caktuar një muaj në të cilin besimtarët,  në bazë të dispozitës kuranore: ,,Natën e agjërimit ju është lejuar afrimi me gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për to. Allahu e di se ju e keni mashtruar veten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë  nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje (pjesë  e ajetit 187, sure El-Bekare)  privohen vullnetarisht nga gratë, ushqimi dhe pija, që d.m.th se ata privohen nga gjërat elementare që e mbajnë në jetë, për të respektuar urdhrin e Krijuesit të tyre, dhe kjo  përbën dimensionin përmbajtësor të agjërimit. Përderisa dimensionin gjithëkohor të agjërimit na e përcjell ajeti 183 i së njëjtës sure,  ku i Madhërishmi na përkujton: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”  

Përmes rreshtave në vijim ne do të bëjmë përpjekje të vendosim një korrelacion të shëndoshë për t’i thënë vetes në radhë të parë, e pastaj edhe të tjerëve, se sa i rëndësishëm është edhe për kohën tonë zbatimi i këtij ibadeti.

Koha e sotme, ajo e zhvillimit të lartë shkencor, tekniko-teknologjik, kibernetik e thuaj si t’i thuash dhe,  njëkohësisht,  e perversitetit dhe zhveshjes së madhe prej vlerave morale njerëzore, është një kohë e cila ndjek një oportunizëm epshor,  që interesat e ngushta gati kafshore i ka ngritur në piedestal të vlerave gjoja se për ato u dashka të jetojë njeriu!? Kjo përballje e njerëzimit në mbarë globin po e shtyn njeriun në një humnerë të vërtetë dhe të pakthyeshme, ku theqafja është më se e sigurt. Të gjitha opinionet e shëndosha njerëzore, pa marrë parasysh a janë fetare apo jo, janë duke konstatuar se njerëzimit këto kushte që po i ofrohen janë jo për ta zhvilluar dhe kënaqur atë, por për ta shfarosur nga faqja e dheut. Kush duhet të përkujdeset dhe kush duhet ta ndërpret këtë kahe degjeneruese e shkatërruese? Zhvillimi tekniko-teknologjik, që udhëhiqet në masë të madhe nga pabesimtarët, në emër të konkurrencës, e ka futur njerëzimin në një depresion të padurueshëm psikik, ku ai nga informatat e shumta  ka aq pasiguri,  saqë është i detyruar për çdo ditë ta pyet veten se si do t’ia bëjë nesër me punën dhe atë që i ofrohet? Ai as nuk pasurohet dhe as nuk është i sigurt nga që ka informata për tregun e punës dhe të mirat materiale. Ai vuan me të madhe për çdo ditë,  se të njëjtat janë në dorë të dikujt që i rri mbi krye si të ishte neudhubilah Krijuesi (Çliruesi) i tij, e në të vërtetë është tirani dhe robëruesi i tij. Njeriu bashkëkohor është  i futur në këto labirinte dhe nuk po mund të abstenojë ndaj kësaj mënyre të jetesës. Nëse i thuhet atij se duhet të abstenosh, ai do të përgjigjet, se e kundërta mund ta gjejë në një situatë edhe më të palakmueshme. I mjeri ai që nuk e njeh dhe pranon Islamin si zgjidhje të problemit të tij dhe të lumtë ne, të cilëve Krijuesi na ka ndriçuar me këtë zgjidhje. Të falënderoj me të madhe, o Allah, që përmes Fjalës Tënde gjej edhe zgjidhjen,  edhe shpëtimin tim.  Zot,  të qofshim falë!

Pa dyshim se poseduesit e teknologjisë dhe të informatës nuk luajnë rolin e lehtësuesit të jetës së njerëzve; ata kanë marrë lojën e djallit të mallkuar dhe dëshirojnë të përfitojnë nga frika dhe konkurrenca negative për të mirat e kësaj jete. Kush mund ta ndalë këtë katrahurë njerëzore? Agjërimi është mënyra, metoda, dhe disiplina e vetme që mund t’i vijë ballë, me sukses, kësaj humbëtire. Si? Nëse krijesa njeri pranon se është e krijuar vetëm nga Krijuesi i Vetëm dhe e zbaton agjërimin, çka fiton? Njeriu i tillë,  me besimin në një Zot të vetëm siç porosit Kurani lavdiplotë, e heq qafe robërimin ndaj atij që i shitet si zot vetëm pse posedon teknika dhe informata të cilat ia prezanton dhe ia përcjell atij. Me këtë direkt i themi atij, që ndoshta është gjetur në këtë situatë edhe pa e ditur, që të heq dorë prej zotave të krijuar e të rrejshëm në mendjen e tij se,  meazallah,  ato i vendosin për fatin e tij. Ai duhet të kuptojë se të mirat materiale dhe vetë atë e ka krijuar vetëm Allahu dhe askush tjetër, dhe Vetëm Ai ka të drejtë të zgjedh mënyrën e jetesës së njerëzve. Pra, para se të mbërrijmë tek abstenimi i ushqimit,  dëshirojmë të themi se njeriu duhet të abstenojë varësinë nga të gjitha ato gjëra që ai mendon se ia kanë në dorë jetën. Ky fillim i abstenimit do të jetë tejet dobiprurës.

Problemi tjetër kanosës është zhveshja shpirtërore, morale dhe trupore e një pjese të njerëzimit, gjoja në emër të lirisë së shpirtit dhe të kënaqësisë së pafund. Shitja e trupit të femrës, perversiteti, orgjitë e organizuara nga pasanikët, vetëm se e shtojnë armën më shfarosëse ndaj njerëzimit. Ata të cilët i bëjnë këto ndyrësira, janë duke e shkatërruar veten me vdekje banale nga morfiumet e ndryshme ekstazore dhe duke mos lënë kurrfarë pasardhësish nga mesi i tyre. Bota heshturazi po shkatërrohet nga vasaliteti i këtyre hordhive që i këpusin domethënien kryesore të jetuarit. Kush mund ta ndalojë këtë të keqe të gjithmbarshme? Vetëm besimi në Një Krijues të vetëm dhe duke mos e shkëputur veten si të vetëkënaqshëm dhe vetekzistues, që e mëson se jeta është një pronë vetvetiu e tij dhe se ai mund të bëjë me të çka të dojë!

Dy dukuritë e lartpërmendura, shkatërruese për njerëzimin, na japin fakte se sa i madhërishëm është Allahu që shpalli për ibadet kryesor agjërimin. Jo vetëm pabësimtarët, por edhe besimtarët e shumtë janë të ekspozuar në gabime, lëshime dhe lajthitje prej cytjeve të lartpërmendura. Edhe në mjedise ku jetojnë myslimanët, dukuritë e joshjes, nga mbisundimi i tjetrit (fatkeqësisht,  i përdëftuar me luftërat vëllavrasëse në Irak, Siri, Afganistan etj.)  dhe të atyre që lidhen me epshet e ndryshme, tregojnë se sa fatkeqësi ato u sjellin  njerëzve dhe shoqërive të tyre. Allahu i madhërishëm,  i cili e njeh krijesën e tij, i njeh dëshirat, synimet dhe epshet e tij, e Di se ai (njeriu) nuk do të jetë imun ndaj kënaqësisë dhe të mirave materiale. Nga këto shkaqe,  Ai i tregoi robit të vet në mënyrë konkrete,  përmes Kuranit madhështor,  nga ajeti i parë e deri tek i fundit,  se Ai është Krijuesi i tij edhe i të mirave materiale që ai i gëzon. Më tej,  me jetën e të Dërguarve të Vet (paqja dhe mëshira qofshin mbi ta),  e sidomos me Muhamedin e dashur (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të),  përdëftoi qartësisht rrugën e shpëtimit dhe të mirësisë së njeriut në këtë jetë dhe në botën tjetër. Nga këto shkaqe ai (njeriu) duhet ta adhurojë Atë dhe t’i kryejë obligimet bazë që dalin po nga Fjala e Tij, Kurani fisnik.

Dispozitat në fillim të tekstit bëjnë me dije se Krijuesi madhështor, duke ditur se robi do të mund të vijë në luhatje për të mirat që i gëzon, i përcolli atij se është një muaj i shenjtë ku ai vullnetarisht duhet të privohet nga të mirat biologjike, materiale dhe të kënaqësisë, duke përkujtuar se të njëjtat i fal vetëm Krijuesi Madhështor dhe askush tjetër. Ai (njeriu) me agjërimin vërteton njerëzishmërinë elementare të tij, duke dëshmuar se agjëron, tërhiqet nga çdo e mirë e cila për njëmbëdhjetë muaj ka qenë e lejuar. Me agjërimin,  përdëfton se Ai është Krijuesi i tij, se ai është vetëm krijesë dhe rob i ligjshmërive të Tij. Kur njeriu kupton se të gjitha të mirat materiale vijnë vetëm nga Krijuesi dhe e falënderon duke agjëruar për këto të mira, ai (njeriu) ngrihet në shkallën më të lartë të lirisë, të pavarësisë dhe të kënaqësisë. Njeriu me agjërimin më nuk është rob i vetëkënaqjes dhe robërimit ndaj dikujt që nuk ka asgjë më tepër se ai.

Për këto shkaqe,  obligimi i agjërimit muajin e Ramazanit ka dy qëllime tepër madhore: si për njerëzimin në përgjithësi, ashtu edhe për myslimanët në veçanti. Për njerëzimin në përgjithësi, qëndron thirrja sa humane,  aq edhe njerëzore dhe shpresëdhënëse për të tejkaluar kataklizmat që vetë ai ia ka përgatitur vetes. Në anën tjetër, Kurani madhështor i përkujton myslimanët se gjatë muajit të Ramazanit edhe pse ata i përmbushin obligimet ndaj Krijuesit edhe për 11 muaj, tani ata shndërrohen në robërim të veçantë ndaj patjetërsueshmërisë së Krijuesit dhe të mirave që Ai i krijoi për ta.

Nga ajo që thamë paraprakisht del se agjërimi është bazamenti (fundamenti) kryesor që vendos rregullshmërinë më të  përsosur të jetës për të mirën e njerëzimit në përgjithësi dhe të besimtarëve në veçanti. Vetëm me zbatimin e agjërimit njerëzimi mund të përmbush më  njerëzoren e tij. Kur do të ndalë një të mirë për hir të Krijuesit,  i Cili ia ka falur gjithë ato të mira, do të kujtohet edhe për tjetrin,  i cili nuk i ka ose nuk i gëzon të mirat që i gëzon ai. Ky mesazh gjithëpërfshirës tregon se Krijuesi me dispozitat e Veta është Mëshirues për gjithë njerëzimin, por edhe Mëshirëbërës vetëm për ata që e besojnë dhe me përkushtim i përmbushin obligimet ndaj Tij.

Rëndësinë e agjërimit në muajin e Ramazanit e tregon më së miri Ebu Hurejra (r.a.) përmes transmetimit të hadithit: (Thotë Allahu i madhërishëm): Çdo vepër që bën biri i Ademit (çdo njeri) është për vetë atë, përveç agjërimit,  i cili është për Mua dhe Unë do të jap shpërblimin për të. Ka dy momente për agjëruesin në të cilin ai gëzohet: kur ha iftar dhe kur të takojë Zotin e vet. Këtë herë ai kënaqet për agjërimin që ka bërë.

Allahu na mëshiroftë që sinqerisht t’i qasemi këtij ibadeti dhe ta arrijmë kënaqësinë e Tij, se vetëm kështu do të arrijmë kënaqësinë më të madhe të mundshme për veten.[:]

Comments are closed.