Vetëm institucionalisht mund të ecim përpara dhe të sigurtë

nga medresjaNga Medreseja “Isa Beu”, Shkup
Vetëm institucionalisht mund të ecim përpara dhe të sigurtë

“Më duhet të pranoj një fakt: islami që është prezent ndër ne është i pashembullt në rajon dhe, për këtë fakt, ne duhet të jemi shumë krenar por, njëkohësisht, edhe rojtarë të denjë të kësaj feje”, tha veç të tjerash Reisul Ulema i BFI, H. Sulejman ef. Rexhepi, me rastin e ndarjes së diplomave maturantëve të Medresesë “Isa Beu” në Shkup

Edhe kësaj radhe, siç është bërë tashmë traditë, Medreseja “Isa Beu”, organizoi ndarjen e diplomave për maturantët e vitit shkollor 2013-2014. Në hollin e Medresesë ishin tubuar të gjithë maturantët, prindër, kolegiumi arsimor. Ceremonia nisi me këndimin e një ashere ndërsa pastaj të pranishmëve iu drejtua drejtuesi i programit, profesori Lutfi Nexhipi, i cili, duke i uruar maturantët në emër të parisë më të lartë të BFI-së, të Fakultetit të Shkencave Islame, të Medresesë, të muftisë së Gostivarit, nënvizoi se, Medreseja, si institucion i vetëm arsimor në të cilën kultivohen parimet e shëndosha Islame, vazhdon traditën e saj shekullore që me shekuj ndriçon këto troje, me shekuj mbyt injorancën, me shekuj rrit vetëdijen intelektuale, me shekuj ndriçon shpirtrat e muslimanëve të vendit. “E mira gjithmonë mbetet kujtim i shtrenjtë, ndërsa, nëse është e hidhur shërben si mësim. Ne sot u tubuam që t’i përgëzojmë maturantët tanë për suksesin e arritur dhe t’u ndajmë diploma të diplomuarve në këtë vit shkollor (2013-1014) pranë Medresesë “Isa Beu” në Shkup si dhe të paraleleve të shtrira në R. Maqedonisë”, tha profesor Nexhepi.

Në vazhdim, me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Prof Ibrahim Idrizi.

“Të nderuar miq, me lejoni që të falënderoj Allahun e Gjithëdijshëm i Cili betohet në pendën-lapsin dhe në atë çka shkruajmë! Paqa, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin për dritën e gjithësisë dhe mëshirën e njerëzisë, Muhamedin a.s., familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Përshëndes Reisul Ulemanë e BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepin, Dekanin e Fakultetit të Shkencave Islame, Dr. Faredin Ebibin, Koordinatorin e paraleleve të dispersuara të Medresesë “Isa Beu”, profesorët, prindërit, nxënësit. Ndarja e diplomave sot bart vulën e diturisë, kultivimin dhe avancimin e dijes, është një mirënjohje publike për dituritë e fituara përgjatë kësaj gjenerate shkollore. Ky takim i yni flet për suksesin e nxënësve tanë por edhe për suksesin e mësimdhënësve të tyre. Pra, është një konfirmim i dijes së fituar në Medresenë tonë, në të cilën pa dyshim që zbatohet fjala e Klrijuesit tonë, fjalë kjo që terrin e shndërron në dritë”, ka theksuar në fjalën e vet përshëndetëse profesor Idrizi. Në vzhdim ai iu drejtua nxënësve duke i porositur që asnjëherë të mos harrojnë se sjellja e tyre është e rëndësishme jo vetëm për ata por edhe për të gjithë pjesëtarët e fesë islame. “Njerëzit jasht dyerve të Medresesë do t’ju vlerësojnë për nivelin e besimit, të ahlakut, të moralit, të humanizmit tuaj. Ju duhet të jeni shembëlltyrë e traditës profetike. Kjo nuk është punë e vogël, juve ju takoi, ashtu siç u takoi edhe gjeneratave pararendëse që, të jeni basrtës të mesazhit të madh hyjnor, të fjalës së Allahut xh.sh.”, tha në përfundim tëe fjalës së vet Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, profesor Ibrahim Idrizi.

Me fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili, që në fillim shprehu kënaqësinë e madhe për faktin që në këtë ditë po dëshmohet për pjekurinë e nxënësve të Medresesë të arritur përmes përkushtimit në procesin edukativo-arsimor. “Allahu Fuqiplotë, për ta fuqizuar shpirtërisht Muhamedin a.s. vazhdimisht i shpallte ajete kuranore që u bënë taban i fuqishëm për Pejgamberin a.s. për të ecur i paepur drejt kryerjes së amanetit të Allahut xh.sh. Këtë amanet e kemi edhe sot ne, të gjithë muslimanët, anekënd botës. Pejgamberi a.s. thoshte: “Kush do që të jetojë me dinjitet në këtë botë, le të merret me dije. Kush do të sigurojë amshueshmërinë në botën tjetër, le të merret me dije. Kush do që të sigurojë dynjanë dhe

botën tjetër, le të merret me dije”. Uroj që të gjithë të nxëmë dhe të përhapim dituri islame. Ky është përcaktimi ynë, i BFI-së dhe i organeve të saj. E kemi obligim që të kontribuojmë bashkarisht që islami të jetë sa më i fuqishëm ndër ne. Më duhet të pranoj një fakt: islami që është prezent ndër ne është i pashembullt në rajon dhe, për këtë fakt, ne duhet të jemi shumë krenar por, njëkohësisht, edhe rojtarë të denjë të kësaj feje. Ju porosis që kurrë mos ta harroni këtë Medrese, mos të manipuloheni nga askush që përpiqen t’ju helmojnë me urrejtje kundër BFI-së. Vetëm duke respektuar institucionet tona, vetëm institucionalisht mund të ecim përpara dhe të sigurtë. Jeta institucionale në këtë nënqiell për këto 640 vite ka kaluar nëpër lloj-lloj mbretërishë, sistemesh e politikash por, përjetë ngeli e pathyeshme dhe gjithnjë e më e fuqishme. E lus Allahun Mëshirëplotë që t’ju bëjë nga ata që përjetë të lini përshtypje dhe të krijoni bindjen se feja islame është me e mira”, nënvizoiu në fund të fjalimit të vet Reisul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi, të cilit, me këtë rast, Drejtori i Medresesë, profesor Ibrahim Idrizi, në emër të kolektivit të Medresesë, i ndahu mirënjohje për kontributin e tij në zhvillimin dhe avansimin e procesit edukativo-arsimor në Maqedoni.

Në fund H. Sulejman ef. Rexhepi maturantëve ua ndau diplomat, ndërsa nxënësit e gjeneratës i shpërbleu me vazhdimin e shkollimit falas në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

Se dituria nuk njeh moshë dëshmoi edhe rasti i nxënësit më të vjetër i cili me sukses mbaroi Medresenë “Isa Beu”. 60 vjeçari, H. Imer Hamza, nga Tetova, ishte nxënësi më i lumtur si dhe befasi më e këndshme e kësaj gjenerate. Zoti ua shtoftë vullnetin dhe gatishmërinë që të jenë gjithnjë në përpjekje të parreshtura për nxënien e diturive të reja.

Comments are closed.