Urtësia e agjërimit

eljesa1
Urtësia e agjërimit

Agjërimi e edukon njeriun që të jetë i durueshëm, ndërsa durimi është virtyt i veçantë i besimtarit mysliman dhe çelësi i suksesit në të gjitha sferat e jetës

Shkruan: H. Eljasa Mahmudi

Agjërimi si njëra nga pesë shtyllat kryesore islame, në brendinë e tij përmban shumë urtësi, për shkak se Allahu nuk na ka obliguar me ndonjë adhurim e që në brendi të atij adhurimi mos të përfshihen urtësi të shumta. Sa u përket urtësive të agjërimit, do të përpiqem që në rreshtat vijues t`i përmend disa prej tyre:

1 Pastrimi i shpirtit duke e respektuar Allahun në atë çka ka urdhëruar dhe duke u larguar prej atyre gjërave që Ai i ka ndaluar. Pra, kjo gjë vërehet për shkak se agjëruesi duke i zbatuar rregullat e agjërimit, largohet edhe prej gjërave të zakonshme, siç janë: haja, pija dhe marrëdhëniet intime bashkëshortore. Gjithë këtë e bën me qëllim që të arrijë kënaqësinë e Allahut të Lartmadhërishëm. Për këtë shkak agjërimi ka shpërblim të veçantë tek Allahu. Thotë hadithi kudsij: ”Çdo vepër e birit të Ademit (njeriut) është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua edhe Unë shpërblej posaçërisht për të. Agjëruesi e braktis ushqimin e tij, pijen e tij dhe epshin e tij për Mua.”

2 Agjërimi e edukon njeriun që të jetë i durueshëm, ndërsa durimi është virtyt i veçantë i besimtarit mysliman dhe çelës i suksesit në të gjitha sferat e jetës. Kjo, për shkak se përmes durimit, besimtari mysliman i kryen veprat e mira, largohet prej veprave të këqija, i përballon me sukses sfidat, sprovat dhe vështirësitë dhe kur të përballet me armikun, bëhet i fortë dhe i qëndrueshëm. Për këtë shkak i dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), e ka quajtur Muajin e Ramazanit muaj të durimit, ndërsa shpërblimi i durimit është Xheneti.

3 Agjërimi e edukon njeriun të jetë falënderues i sinqertë i Allahut të Lartmadhërishëm për mirësitë e Tij. Kjo, për shkak se njeriu ua di vlerën gjërave kur t`i mungojnë ato, kështu që agjëruesi duke u privuar nga haja dhe pija gjatë ditës së agjërimit, në mënyrë të qartë i vëren mirësitë e Allahut ndaj tij dhe kur të bëjë iftar, nga thellësia e zemrës e falënderon Allahun për të mirat që ia ka dhuruar.

4 Agjërimi e dobëson epshin (instiktin seksual), i cili është prej armëve më të rrezikshme të shejtanit të mallkuar në mashtrimin e njeriut. Për këtë shkak, Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i ka porositur të rinjtë me këtë porosi: ”O ju të rinj, kush prej jush ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse ajo e largon shikimin në haram dhe e mbron epshin. E kush nuk ka mundësi të martohet, le të agjërojë, sepse agjërimi e dobëson epshin.” Pra, në këtë hadith Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) i porosit të rinjtë që në rast të pamundësisë për martesë, ta praktikojnë edhe agjërimin vullnetar, përveç atij obligativ, siç është agjërimi i Muajit të Ramazanit, sepse përmes agjërimit dobësohet epshi për gratë dhe ruhet nderi i të rinjve.

5 Agjërimi e edukon njeriun që të jetë bujar, dorëdhënës dhe solidar me nevojtarët, të varfrit dhe skamnorët, për shkak se agjëruesi duke u privuar nga mirësitë e Krijuesit të Lartmadhërishëm gjatë ditës së agjërimit, në të kultivohet ndjenja e dhimbjes dhe e solidaritetit me ata të cilët nuk kanë çka të hanë dhe të pinë dhe ai, në këtë mënyrë, gjatë Muajit të Ramazanit, e shtrin dorën e tij të bujarisë, solidaritet dhe të ndihmës ndaj njerëzve të varfër, ashtu siç ka qenë Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) bujar gjatë tërë kohës, mirëpo bujarinë e tij e shprehte edhe më tepër gjatë Muajit të Ramazanit, kur takohej me Xhibrilin (alejhisselam). Për këtë shkak, ai në hadithin e tij thotë: ”Ai i cili i jep iftar agjëruesit, e ka shpërblimin sa të atij, mirëpo, pa iu pakësuar shpërblimi agjëruesit.”

6 Agjërimi përveç urtësive shpirtërore dhe morale, ka edhe dobi të mëdha shëndetësore, siç ka vërtetuar edhe mjekësia bashkëkohore, se përmes agjërimit eliminohen toksinat, helmet nga trupi, reduktohet sheqeri dhe yndyra në gjak, përmirësohet shtypja e lartë e gjakut, humbet pesha e tepërt dhe përforcohet imuniteti i trupit të njeriut.

7 Emërues i përbashkët i gjithë asaj që u përmend më lart është se agjërimi e përgatit njeriun të arrijë shkallën më të lartë të devotshmërisë, e të jesh i devotshëm do të thotë të jesh aty ku është urdhri i Allahut dhe mos të jesh aty ku është ndalesa e Allahut. Kjo gradë e lartë e devotshmërisë arrihet kur agjëruesi e kupton esencën e obligueshmërisë së agjërimit, se agjërimi nuk nënkupton vetëm braktisjen e hajes, të pijes dhe të marrëdhënieve intime bashkëshortore, por ai nënkupton edhe braktisjen e mëkateve dhe veprave të këqija. Për këtë arsye, Allahu i Lartmadhërishëm në Kuranin famëlartë thotë: ”O ju besimtarë, ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç e patën obligim edhe ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare: 183)

(Autori është vaiz dhe hatib në Xhaminë e Re në Kumanovë)

Comments are closed.