URTËSIA DHE DURIMI NË VEPRIM JANË VIRTYTËSITË TONA

INTERVISTË: REIS’UL-ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAHU

INTERVISTË: REIS’UL-ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAHU
URTËSIA DHE DURIMI NË VEPRIM JANË VIRTYTËSITË TONA

Kemi pritur të kemi shumë sfida, por falë Zotit të Madhërishëm, me një urtësi, maturi, durim dhe strategji kemi arritur që shtëpinë e madhe të quajtur BFI ta menaxhojmë qetë, pa probleme të mëdha, thotë veç tjerash Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut në intervistën ekskluzive për “Hënën e Re”. – BFI e RMV kontribuon në formimin e ambientit tolerant, të paqes, humanitetit, bashkëjetesës, me përpjekje për të edukuar masën e gjerë, që të mos bien viktimë e rrymave të ndryshme, si dukuri të dëmshme jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë Islamin dhe myslimanët, të vetëdijshëm se dukuritë famëkeqe, si ekstremizimi dhe terrorizmi, nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin dhe me myslimanët. Na presin shumë punë në të ardhmen – thotë Kryetari i BFI-së.
————————————-
HËNA E RE: Tashmë i bëtë afër një vit e gjysmë në krye të BFI të RMV. Cilat janë përshtypjet Tuaja si njeri i parë i një institucioni kaq të rëndësishëm?

REIS’UL-ULEMAJA: Ta them të drejtën, nga natyra jam prej atyre që kurrë nuk ankohem, apo të arsyetohem, për diçka që nuk mund ta arrij. Kemi pritur të kemi shumë sfida, por falë Zotit të Madhërishëm, me një urtësi, maturi, durim dhe strategji kemi arritur që shtëpinë e madhe të quajtur Bashkësi Fetare Islame të RMV ta menaxhojmë qetë, pa probleme të mëdha. Në këtë rrugëtim kemi pasur një bashkëpunim të mirëfilltë me të gjithë bashkëpunëtorët tanë, duke filluar nga myftinjtë, drejtorët dhe përgjegjësit e sektorëve të Rijasetit, nëpunësit fetarë dhe besimtarët në përgjithësi. Kështu që sot, ngadalë, po trasojmë një rrugë dhe ambient të mendimit dhe të vullnetit të lirë, por me një përgjegjësi të nivelit të lartë të çdonjërit në vendin ku vepron dhe ku ka përgjegjësinë. Gjatë menaxhimit jemi munduar që të formojmë ambient vëllazëror, tolerant, me bashkëpunëtorët, me të punësuarit, si në Rijaset, ashtu edhe në organet dhe në institucionet edukativo-arsimore. Kjo mënyrë e menaxhimit, kam përshtypje, dha rezultate dhe suksese. Na gëzon fakti se të gjithë jemi të vetëdijshëm se udhëheqim një institucion me peshë dhe i vetmi kompetent në organizimin e jetës fetare islame. Puna jonë është transparente dhe asaj i kontribuojnë të gjithë pjesëtarët e Islamit.

HËNA E RE: Cilat punë ishin me prioritet në udhëheqjen e BFI të RMV gjatë kësaj kohe?
REIS’UL-ULEMAJA: Detyrën e Reisit e mora në një kohë shumë të vështirë: në njërën anë, në kohën e shpërthimit të lartë të sëmundjes famëkeqe Covid-19, e cila kërkonte një organizim të lartë në marrjen e masave nëpër objekte fetare dhe më gjerë, si dhe në respektimin e masave të nxjerra nga OBSH dhe Ministria e Shëndetësisë. Ishte vështirë, por falë Zotit ia dolëm dhe dhamë kontribut të jashtëzakonshëm. Kjo ndikoi që të jemi, siç u vlerësua nga sfera gjegjëse, një ndër institucionet më me ndikim në vend dhe më gjerë. E dyta, në këtë krizë pandemie ngadalë na kanosej edhe kriza financiare në të gjitha nivelet, kështu që ishte e domosdoshme që të gjitha fuqitë tona organizative t’i vëmë në shërbim të stabilizimit financiar, si dhe të vazhdimësisë së veprimit normal. Kam bindjen se edhe në këtë sferë arritëm një qëndrueshmëri, saqë, jo që u dobësuam, por arritëm që edhe pagat mujore t’i lëvizim në FSHI dhe në SHMI “Medreseja Isa Beu“. U bëmë apel edhe të gjitha Myftinive të BFI që, konform obligimeve, të veprojnë me përgjegjësi, me qëllim që në kontinuitet të organizojmë jetën fetare, pa pasoja që mund ta pengojnë rrugën tonë të organizimit fetar.

HËNA E RE: U vërejtën disa lëvizje edhe jashtë vendit, ku hapët rrugët e njoftimit dhe të bashkëpunimit me shumë vende fqinje dhe të botës në përgjithësi…
REIS’UL-ULEMAJA: E vërtetë. Një ndër synimet e platformës sonë ishte të hapen rrugët e bashkëpunimit me Bashkësitë Islame simotra në Ballkan, pastaj me Turqinë dhe me vendet e botës arabe. Ajo që më forcoi dhe më dha kurajo në këtë rrugë, është fakti se menjëherë pas marrjes së detyrës arrinin urime nga të gjitha anët e botës – si nga vendet e rajonit, ashtu dhe nga institucionet fetare të botës arabe dhe Dijaneti i Republikës së Turqisë. Po ashtu, urime me dëshirë bashkëpunimi morëm edhe nga Liga Botërore Islame – RABITA, me seli në Mekë, nga udhëheqja e universitetit më të vjetër dhe të famshëm Al Az`har në Kajro dhe shumë organizata me relevancë nga vende të ndryshme. Kështu që, për një kohë të shkurtër filluam të marrim ftesa nga vendet e jashtme. Së pari vizituam Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane në krye me dr. Alij en Nuajmin në Dubai të EBA, ku biseduam për shumë punë që mund të ndihmojnë për një bashkëpunim të ndërsjellë; pastaj Dijanetin e Turqisë, ku patëm një pritje të nivelit të lartë nën koordinimin e Kryetarit prof. dr. Ali Erbash, si dhe institucionet tjera, ku u pajtuam për një bashkëpunim institucional, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe realizimit të projekteve të ndryshme. Vizituam edhe disa Bashkësi të tjera simotra: atë të Shqipërisë, të Kosovës, të Bosnjë e Hercegovinës, të Kroacisë etj. Me të gjitha këto biseduam për punët, për strategjitë tona, drejt aktiviteteve të përbashkëta, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen Bashkësitë tona dhe myslimanët në përgjithësi.

HËNA E RE: Menjëherë me ardhjen Tuaj, selia e Bashkësisë Fetare Islame u vërshua nga vizitorë të vendit dhe nga jashtë. Si e komentoni këtë?
REIS’UL-ULEMAJA: Bashkësia Fetare Islame është një organizatë e madhe islame në vend dhe, kuptohet, çdo ngjarje ndiqet me vëmendje të jashtëzakonshme nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe nga besimtarët në përgjithësi. Vërshuan vizitat nga të gjitha anët: nga ambasadorë të Bashkimit Evropian, nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup, nga Ambasada e Britanisë së Madhe, nga personalitete eminente të jetës fetare, politike, shkencore etj., si dhe nga shumë besimtarë nga i gjithë vendi. Patëm vizita edhe nga vendet arabe: së pari nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pastaj nga Kryetari i Dijanetit të Republikës së Turqisë, prof. dr. Ali Erbash. Ishte vizita e parë e tij, me ç’rast e njoftuam me të gjitha aktivitetet tona, me synimet në të ardhmen, si dhe me projektet në vazhdim, të realizuara nga institucionet e vetë Dijanetit të Turqisë, si: Xhamia e Madhe në Tophanë në Shkup – një xhami që do të jetë simbol i Shkupit dhe i gjithë myslimanëve të RMV, si dhe shumë projekte të tjera. Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Islame – RABITA ishte një ngjarje historike për BFI të RMV dhe për myslimanët në përgjithësi, ku për herë të parë, pas shumë dekadash, në Bashkësinë Fetare Islame vjen një mysafir kaq i lartë, të cilit i bëmë një pritje madhështore, me një protokoll të nivelit të lartë, me një takim në Rijasetin e BFI, me Presidentin e shtetit, me Kryetarin e Kuvendit, me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Maqedonase, me përfaqësuesit e Komisionit për Çështje Fetare dhe shumë takime të tjera. Në takimin që patëm në prezencë të të gjithë myftinjve dhe anëtarëve të tjerë të Rijasetit, biseduam për shumë çështje, si dhe për rrjedhat e Islamit dhe të myslimanëve në Ballkan dhe në tërë botën, ku Sekretari i Përgjithshëm pati edhe paraqitjen e tij, me ç’rast dha shumë sugjerime, në veçanti rreth përpjekjeve që duhet bërë në eliminimin e radikalizmit dhe të ekstremizmit, të cilat aspak nuk kanë të bëjnë me Islamin. Biseduam edhe për shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ndërsjellë mes Ligës Islame dhe Bashkësisë Fetare Islame të RMV. Takimet me ambasadorë të ndryshëm të SHBA, të Britanisë së Madhe, të Bashkimit Evropian dhe të Republikës së Turqisë, të Shqipërisë dhe të Kosovës, pati një rëndësi të madhe, me të cilët biseduam për rrjedhat fetare në RMV, për të drejtat fetare në shoqërinë tonë, për sfidat me të cilat ballafaqohemi këtu në vendin tonë, si dhe për shumë çështje të tjera. Kuptohet se ne dhamë qëndrimet tona, për kontributin tonë, në zbutjen e pandemisë Covid-19, për veprimet tona konform të gjitha masave të ndërmarra nga Qeveria e RMV, si dhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë. Pastaj, kontributin që e jep BFI e RMV në formimin e ambientit tolerant, të paqes, të humanitetit, bashkëjetesës dhe përpjekjet tona për të edukuar masën e gjerë që mos të bien viktimë e rrymave të ndryshme, si dukuri të dëmshme jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë Islamin dhe myslimanët, të vetëdijshëm se dukuritë famëkeqe, si ekstremizimi dhe terrorizmi, nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin dhe me myslimanët.

HËNA E RE: Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqoheni aktualisht?
REIS’UL-ULEMAJA: Krizat, qofshin ekonomike apo politike, të cilat po i kalon shoqëria jonë, reflektohen edhe në punën e Bashkësisë Fetare Islame. Kuptohet, pandemia Covid-19, e cila përfshiu tërë botën, shqetësoi dhe preku pa masë edhe BFI të RMV, sepse na imponoi obligimin për t’u ballafaquar edhe ne. Kjo solli edhe probleme ekonomike, të cilat e vështirësuan veprimin tonë normal, për shkak se u pengua organizimi i kryerjes së Haxhit, kështu që ishte vështirë të veprohet në këtë gjendje, por ne me guximin dhe urtësinë më të madhe, u futëm me të gjitha potencialet tona për të vepruar, pa ndonjë pasojë të madhe, dhe mendojmë se me urtësinë, guximin dhe qëndrueshmërinë e të gjithëve, arritëm që pa ndonjë problem të madh të vazhdojmë punën me sukses në të gjitha organet, entet dhe institucionet fetare islame. Sfidë e veçantë është mosakreditimi deri më tani i SHMI “Medreseja Isa Beu”, me Paralelet e Shtrira të saj. Kësaj çështjeje i jemi përkushtuar seriozisht, me të gjithë faktorët shtetërorë, që në këtë vit (2022) njëherë e përgjithmonë të zgjidhet kjo problematikë dhe shkolla jonë të jetë e barabartë me të gjitha shkollat tjera. Në këtë drejtim, nga ana jonë janë kryer të gjitha përgatitjet programore konform kërkesave të Ministrisë dhe të institucioneve të tjera. Kjo çështje ka arritur deri në Parlament, ku duhet të miratohet ligji përkatës, me të cilin Medreseja do të fitojë akreditimin si të gjitha shkollat tjera. Pra, shpresojmë në shumicën e re parlamentare që të kalojë Ligji.

HËNA E RE: Denacionalizimi ka qenë gjithmonë një sfidë e rëndë për BFI e RMV. Ku keni arritur në këtë sferë të rëndësishme për BFI-në?

REIS’UL-ULEMAJA: Denacionalizimi është sfera ku vërtet kemi arritur rezultate të rëndësishme, kështu që gjatë vitit 2021 janë kthyer objekte të rëndësishme si: Bezistani, Kapan-Hani dhe ‘Kinemaja e Vjetër’ në Shkup, pastaj 24 hektarë tokë në territorin e Myftinisë së Gostivarit; është bërë kthimi i Pazarit të Gjelbër në menaxhim të Myftinisë së Kërçovës; si dhe shumë prona të tjera në Manastir dhe gjetiu. Për këtë shkak, vitin 2021 e kemi emërtuar si “vit i denacionalizimit”. Bëjmë përpjekje që procedurat e denacionalizimit të vazhdojnë dhe të kthejmë sa më tepër prona-vakëfe të nacionalizuara nga sistemi monist.

HËNA E RE: Ju personalisht në Raportin e Komisionit Evropian pranuat mirënjohje të veçantë për kontributin gjatë kësaj periudhe, prej kur jeni Kryetar i BFI të RMV. Si e vlerësoni këtë?
REIS’UL-ULEMAJA: Është e vërtetë se në Raportin e përgjithshëm të Komisionit Evropian u përshëndet dhe u çmua puna jonë në sferën e luftës kundër Covid-19 dhe në kontributin e dhënë në nxitjen e dialogut ndërfetar në RMV. Fundja, angazhimin kundër të keqes e kemi obligim fetar dhe moral. Është e vërtetë se si Bashkësi, gjithmmonë, po edhe tani, kemi qenë maksimalisht të angazhuar në kontributin tonë në sfera të ndryshme, në veçanti në luftën e pakompromis kundër Covid-19, ku me angazhimin tonë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut të gjitha Myftinitë, me xhamitë e tyre, vepruan në mënyrë unike, konform vendimeve që i merrnim në mbledhjet tona. Deklaratat tona publike bënë që ndikimi ynë të jetë shumë i dukshëm në shoqëri dhe këtë e vërejtën të gjithë faktorët relevantë të shoqërisë sonë dhe ata ndërkombëtarë. Mirënjohja për ne ishte rezultat i kësaj. Kjo mirënjohje është për të gjithë ne, sepse në këtë veprimtari kemi qenë unikë të gjithë, duke filluar nga maja e hierarkisë sonë, e deri të xhematet tona të vyeshme. Këtu dua të potencoj edhe një herë se ne kemi xhemat të mrekullueshëm, respektivisht popullata myslimane e vendit tonë është një popullatë me shpirt human, tolerues, bashkëjetues dhe solidar. Andaj, mirënjohjen e Komisionit Evropian e konsideroj, para së gjithash, si mirënjohje për xhematet tona dhe mirënjohje për të gjithë nëpunësit fetarë në vendin tonë. Ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm të jemi konstruktivë konform parimeve të Islamit dhe vlerave të përgjithshme ngado që vijnë. Jemi shoqëri multinacionale dhe multikonfesionale, andaj bashkëjetesa është domosdoshmëri dhe ne mendojmë se Bashkësitë Fetare janë element me ndikim shumë të madh në sferën e mirëkuptimit, të paqes, të tolerancës, të afrimit me njëri-tjetrin etj. dhe pikërisht për këtë ne kërkuam që dialogut ndërfetar t’i jepet një rëndësi e veçantë dhe Bashkësitë Fetare të jenë unike në çështjet fundamentale të shoqërisë, sepse e tërë shoqëria jonë është fetare, e konfesioneve të ndryshme.

HËNA E RE: A ka diçka që e shqetëson Kreun e BFI-së?
REIS’UL-ULEMAJA: Normalisht, në këtë kohë të vështirë në sfera të ndryshme, ka edhe momente që e shqetësojnë njeriun, kushdo që është ai. Ajo që na shqetëson të gjithëve, është largimi i popullatës sonë, sidomos i gjeneratës së re nga vendlindja për në vendet perëndimore. Për ne ky fenomen është i dëmshëm për popullin tonë dhe boshatisja e vendit do ta dëmtojë të ardhmen e qenies sonë. Për fat të keq, për një kohë të shkurtër ne si shoqëri përjetuam dy tragjedi tronditëse: atë që ndodhi me djegien e Spitalit modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 bashkëqytetarë tanë, dhe aksidenti i autobusit në Bullgari, ku humbën jetën 45 bashkëqytetarë tanë. Ishte vështirë të përjetohen këto ngjarje të trishtueshme. Por, ne patëm fuqinë e imanit dhe bëmë përpjekje që në këto raste të rënda të jemi sa më afër familjeve të viktimave, që sado pak t’u ndihmojmë në zbutjen e dhimbjes dhe të humbjeve të pësuara. Bashkësia Fetare Islame, me mundësitë e veta, dha kontribut si në organizimin e varrosjes së viktimave, ashtu edhe përmes ndihmave materiale, me qëllim solidarizimi me familjet e viktimave. Me këtë rast, apeloj që të gjithë faktorët relevantë të jetës politike-shoqërore, si dhe të gjitha institucionet, të veprojmë me përkushtimin më të madh në ngritjen e kujdesit, veprimit, profesionalizmit, që tragjeditë e këtilla të mos na ndodhin më.

HËNA E RE: Cilat janë planet Tuaja për të ardhmen?
REIS’UL-ULEMAJA: Si institucion me përgjegjësi të madhe në organizimin e jetës fetare islame, edhe në vitin që vjen do t’u qasemi me një vetëdije të lartë punëve, duke filluar nga organet më të larta e deri te Këshillat e xhamive. Këtë e ndihmon edhe fakti se sivjet u mbajtën zgjedhjet e organeve kolektive, kështu që në organet e BFI-së kemi njerëz të rinj, me elan dhe vizione të reja. Ne jemi të gatshëm që t`i paraprijmë çdo iniciative që ka të bëjë me zhvillimin e jetës sonë fetare. Ndryshe, prioritetet tona, për të ardhmen do të jenë me sa vijon: vazhdimi i stabilitetit financiar, si një çështje shumë me rëndësi në këtë kohë të krizës ekonomike dhe të sëmundjes Covid-19 në shoqëri dhe më gjerë; mbrojtja dhe përmirësimi i standardit të nëpunësve fetarë – atje ku vërtet është i ulët; fillimi i funksionimit të Institutit për Hulumtime Shkencore e Kulturore Islame, themelimi i të cilit u miratua nga Rijaseti i BFI të RMV, që pas hapjes së Arkivit do të jetë një ngjarje tjetër e rëndësishme; fillimi i botimit të një reviste kryekëput shkencore, ku do t’u qasemi problematikave të ndryshme në rrjedhat bashkëkohore; tashmë e kemi paralajmëruar formimin e Dikasterit të gruas myslimane, me qëllim të organizimit sa më të mirë të gjinisë femërore, si segment i barabartë në të gjitha sferat e jetës islame; fillimi më intensiv i realizimit të Projektit të Selisë së re të BFI, për formimin e kushteve sa më komode për punë; organizimi i konferencave shkencore të karakterit vendor dhe ndërkombëtar për çështje aktuale; ngritja e nivelit të mësimbesimit islam nëpër mektebet tona, si bazë e edukimit të gjeneratave të reja; vazhdimi me të njëjtin intensitet në sferën e denacionalizimit, proces ky që ende nuk ka arritur finalizimin e vet; intensifikimi i angazhimit në sferën e inkorporimit të vlerave fetare në burgje, në qendra spitalore, në kazerma ushtarake etj.; forcimi i organizimit të bashkatdhetarëve tanë në vendet e Perëndimit, të cilët janë pjesë e pandashme e popullit, në bashkëpunim me Unionet e tyre atje, që janë kompetente anembanë Evropës; vazhdimësia e bashkëpunimit konstruktiv me të gjitha Bashkësitë Islame të Ballkanit, Dijanetin e Turqisë, Ligën Islame – RABITA, Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane me qendër në Abu Dhabi të EBA, dhe me shumë vende të tjera të botës; vazhdimësia e bashkëpunimit me faktorët relevantë të BE, SHBA dhe të tjerë, për të dhënë kontributin tonë në prezantimin e vlerave islame, si: paqja, mirëkuptimi, dialogu ndërfetar dhe shumë segmente të tjera, të cilat nuk kemi mundësi të gjitha t’i prezantojmë këtu.

HËNA E RE: Në fund, cili është mesazhi Juaj për besimtarët në përgjithësi?
REIS’UL-ULEMAJA: Pjesëtarët e Islamit janë faktori kyç brenda Bashkësisë Fetare Islame dhe ne u qasemi me një kujdes, me respekt dhe përgjegjësi të madhe. Ata janë bartësit kryesor në zhvillimin e Islamit. Ne do të jemi në shërbim të tyre në çdo kohë; në gëzim dhe në vështirësi. Fundja, ne ekzistojmë me qëllim që të jemi në shërbim të tyre. Uroj të jenë unikë, të bashkuar, të afërt njëri me tjetrin, të aftësuar në sfera të ndryshme, të jenë të vetëdijshëm për kohën që jetojmë, të qëndrueshëm në tejkalimin e sfidave, me qëllim që të jemi bartës të vërtetë të Islamit në kohë dhe në hapësirë. Lus Allahun Fuqiplotë që të na japë forcën e imanit, të mendimit të mirë, me veprim konform parimeve të Kuranit Famëlartë. ZOTI NA BEKOFTË ME TË MIRAT E TIJ!

Intervistën e realizoi: Ekipi i “Hënës së Re”

Comments are closed.