Urim për Natën e Beraetit

BFI informon besimtarët Islam në RMV se më 19 prill 2019, (në mbrëmje) është nata e gjysmës së Muajit Sh’aban e cila njihet si Nata e Beraetit (Beratit) që nënkupton natën e faljes së mëkateve, pastërtisë, shpëtimit dhe e mëshirës. Me këtë rast, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përgëzoj të gjithë besimtarët dhe uroj që këtë natë ta kalojnë me ibadet, me përkushtim, me lutje në emër të Allahut (xh. sh.). 
Kjo natë është një mundësi e shkëlqyer e dhuruar nga Allahu (xh. sh.) për të rizgjuar ndjenjat tona shpirtërore dhe për t’u pastruar nga gjynahet, mëkatet dhe gabimet. Gjithashtu kjo natë mbanë edhe emrin “Nata e Mëshirës”, meqë njerëzit këtë natë, nga mirësia dhe mëshira e madhe e Allahut (xh. sh.) përfitojnë shumë më shumë se netët tjera. Rreth vlerës dhe begatisë së natës së Beraetit po i referohemi haditheve të Muhamed Mustafas s.a.v.s., e në mesin e hadithve edhe thënia e tij: “Kalojeni natën e gjysmës së muajit Shaban me namaz, kurse ditën, me agjërim”! Këtë natë, pas perëndimit të diellit, Allahu i Lartëmadhërishëm zbret në qiellin e tokës dhe na fton duke thënë: “A s’ka ndonjë që kërkon falje, ta falë, a s’ka ndonjë që kërkon furnizim, t’i jap, a s’ka ndonjë që është goditur me sëmundje e që kërkon shërim, ta shëroj?”, Kështu vazhdon deri në mëngjes.” (Ibn Maxhe, Ikame fi’s-salat, 191) 
Prandaj, Meqë Pejgamberi a.s. në hadithin e tij të transmetuar nga Aisheja r.a na mëson se: “natën e gjysmës së muajit Sha’ban Allahu xh.sh. falë prej mëkateve më shumë se sa qimet e deleve të fisit Kelb”, atëherë të përfitojmë të gjithë nga kjo natë e bekuar! 

Es-selamu alejkum ve rahmetullah.

Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, 
Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Comments are closed.