Uniteti duhet ruajtur si sytë e ballit

o të mundohem të kemi një institucion që do të frymojë islamikisht, me një frymë të re, ku primare do të jetë moralja, njerëzorja, shpirtërorja, konsultimi, debati, dialogu, mendimi i lirë, konstruktiviteti etj. BFI do të jetë një organizëm i konkurrencës në të mirë, e hapur për të gjithë, në veçanti për të gjithë besimtarët, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, por në të njëjtën kohë do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët relevantë në shoqëri – prej atyre lokalë e deri tek ata të nivelit republikan dhe ndërkombëtarë – me qëllim të realizimit të synimeve të veta dhe për të qenë faktor stabiliteti, paqeje, solidariteti dhe kreativiteti në shoqërinë tonë”, – thotë Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Intervistën Ekskluzive për Zhurnal.mk”.
Zhurnal: Jeni në krye të detyrës i pari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u.d. Reis’ul-Ulema i BFI-së. Si erdhi deri te ndryshimet e fundit në institucionin tonë të lartë islam?
– Mendoj se opinioni i gjerë tashmë është njoftuar përmes komunikatave tona dhe konferencave për shtyp. Kohëve të fundit u ndie nevoja që vërtet të ndodhin ndryshime në kreun e BFI të RMV, sepse u formua një ambient te besimtarët dhe te faktorët tjerë në BFI e RMV dhe u ndie nevoja për ndryshime, të cilat ne i emërtuam si zhvillime të reja në BFI e RMV. Këtë proces e udhëhoqën vetë Myftinjtë e Myftinive të BFI të RMV dhe anëtarët e Rijasetit të BFI, ku me dy të tretat u vendos ky ndryshim. Ajo që mendoj se u bë mirë është mënyra e qetë e realizimit të këtij zhvillimi, ku mendoj se dhanë kontribut të gjithë faktorët relevantë dhe kjo mundësoi që menjëherë t’i futemi punës për stabilizimin e BFI në sfera të ndryshme.
Zhurnal: Si është BFI – si Myfti i Gostivarit dhe si është sot – si Kryetar i saj në detyrë?
-Brenda BFI të RMV jam mbi 25 vjet, duke filluar nga detyra e Imamit 2 vjet, mësimdhënës në shkollën e mesme islame “Medreseja Isa Beu” – Shkup mbi 9 vjet, 9 vjet në Medresenë e vajyave në Gostivar, drejtor në disa sektorë të BFI-së, pastaj plot 18 vjet Myfti i Myftinisë së Gostivarit. Nisur nga kjo, e njoh mirë këtë institucion dhe rrugëtimin e tij gjatë kësaj kohe. Unë aq sa ndihem i Gostivarit, aq ndihem edhe i Shkupit, sepse gjysmën e rrugëtimit tim në BFI e kam bërë në Shkup. Janë bërë shumë punë në organizimin e jetës fetare-islame, ku me Myftininë e Gostivarit kemi qenë gjithmonë subjekt kreativ dhe shtyllë e stabilitetit brenda BFI-së, duke qenë pa kompromis në mbrojtjen e unitetit dhe të forcës së saj. Gjatë kësaj kohe është ndërtuar Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup (FSHI), ku kam qenë njëri ndër anëtarët e themelimit të tij; është mirëmbajtur SHMI “Medreseja Isa Beu”, janë hapur edhe katër Paralele të Shtrira të saj, si dhe shumë punë të tjera. Si Myfti i Gostivarit, gjatë 18 viteve kemi ngritur një Myftini moderne, me të gjitha kushtet që i nevojiten. E gjeta Myftininë me do kushte të mjerueshme, kështu që menjëherë u dhamë në ndërtimin e selisë së Myftinisë, ku formuam kushte optimale për punë, rregulluam standardin e imamëve – që ishte një detyrë e vështirë, por me hapa të sigurt arritëm ta rregullojmë këtë çështje – pastaj shumë herët e kthyem pronën e nacionalizuar dhe tani Myftinia menaxhon me 40 lokale afariste, me 5 banesa, me Parkingun qendror, me tri ndërtesa në qytetin e Gostivarit. Në këtë kohë u nis iniciativa për hapjen e Medresesë së Gostivarit dhe e ndërtimit të godinës së re, hapja e Institutit të Hifzit dhe bukurleximit të Kur’anit “Hafiz Hasan ef Zendeli” dhe shumë punë të tjera. Këtë e arritëm me një unitet të paparë të të gjithë faktorëve të Myftinisë, nga imamët, vaizët, myezinët, mutevelitë dhe besimtarët në përgjithësi, të cilët me kontributin e tyre moral e material bënë që të kemi një Myftini bashkëkohore dhe të jemi model se si duhet të udhëhiqet një institucion fetar. Por, rezultatet tona në kontributin ndaj Rijasetit të BFI, edhe pse me territor jo aq të madh, kanë qenë optimale dhe janë marrë si shembull për të tjerët. Sot si njeri i parë i BFI të RMV – dua të jem i sinqertë: Institucionin nuk e kemi gjetur si rrënojë; ajo është një organizëm i madh, me të gjitha strukturat që duhet t’i këtë një institucion, me pesë medrese, me FSHI – Shkup, me shoqata dhe organizata… Por, kohëve të fundit Institucioni fetar islam filloi të duket si një anije e madhe që po lëkundet nga stuhitë dhe valët e detit – si në sferën autoritative, po ashtu edhe në atë materiale, andaj ishte koha që kjo lëkundje të ndalet dhe të stabilizohet. Çdo vonesë do të ishte fatale për vetë BFI dhe myslimanët në përgjithësi. Në këtë shërbim u vendosën të gjithë Myftinjtë dhe Koordinatorët e Myftinive dhe disa nga anëtarët e Rijasetit dhe morëm vendimin tanimë të njohur për opinionin, që u kurorëzua me dorëheqjen e ish-Reis’ul-Ulemasë.
Zhurnal: Çfarë ka ndryshuar brenda BFI-së me ardhjen Tuaj në krye të këtij institucioni?
-Ne jemi në muajin e pestë të ardhjes sonë në krye të BFI të RMV. Menjëherë i jemi përkushtuar stabilizimit të gjendjes financiare të BFI-së, të cilën – duhet pranuar – e gjetëm në një nivel shumë të ulët. Për këtë qëllim kemi marrë vendime për një kursim të rreptë, ndërprerjen e harxhimeve të kota, derdhjen e financave atje ku ka nevojë primare, kontrollimin mbarështues të çdo denari, si dhe planifikimin financiar me nikoqirllëk, masa këto që në të ardhmen e afërt do të japin rezultate. Po ashtu, i jemi qasur me seriozitetin më të madh punës administrative, sepse mu aty ka qenë defekti i dobësive brenda BFI të RMV dhe nuk ishte e rastit që dokumentacioni i BFI-së është gjetur në çdo skaj të botës, e të mos flasim në vendin tonë. Administrata është busulla e çdo institucioni – qoftë ai fetar apo ndonjë tjetër. Ajo që na gëzoi pa masë, zhbllokim i BFI, si dhe dalja nga një izolim i paparë deri më tani. Kjo ndodhi me njohjen e menjëhershme nga institucionet brenda dhe jashtë vendit, si Rabita, Organizata e Ligës Botërore Islame me seli në Arabinë Saudite, Ambasada e Arabisë Saudite në Tiranë, me vizitën e realizuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, urimet nga institucionet zyrtare nga Kuvajti, Turqia, Ambasada Amerikane, nga subjektet politike të vendit, Bashkësia Islame e Kosovës dhe e Shqipërisë, si dhe shumë shoqata dhe organizata të tjera. Shumica prej këtyre na ftojnë që t’i vizitojmë dhe të fillojmë bashkëpunimin reciprok. Këtu do të veçoja edhe emrimin tim për anëtarë të sekretariatit te përgjithshme dhe ekzekutiv të organizatës ndërkombëtare me renome në boten Islame dhe më gjërë “The World Muslim Communities Council” me seli në Abu Dhabi, akt i cili ishte i mirëseardhur edhe nga instancat më të larta shtetërore në RMV, të njetën duke e konsideruar edhe si akt mirënjohjeje për shtetin tonë.
Zhurnal: Sa ndikojnë zhvillimet politike në vend dhe jashtë në sfidat që po kalon BFI e RMV?
-Është krejt normale se në pluralizmin demokratik të vendit, i cili edhe më tutje është i brishtë, BFI të ballafaqohet me tendenca për futjen e ndikimeve politike në të. Kjo ka ekzistuar dhe do të ekzistojë. Do të varet prej nesh sa do të jemi të aftë dhe të vetëdijshëm për këto tendenca. Ajo që është e sigurt, se ne do të jemi të pa kompromis në mbrojtjen e autonomisë së BFI-së në veprimtarinë e saj. Bashkësia Fetare Islame është mbipartiake dhe do të mundohet maksimalisht këtë ta vërtetojë edhe në praktikë, me një bashkëpunim me të gjithë, por në shërbim të realizimit të synimeve bazë të BFI, me qëllim që të jetë një organizëm i prezantimit të shëndoshë të Islamit dhe faktor kreativ në mirëqenien e shoqërisë në përgjithësi. Kjo kryesisht do të varet prej vetë neve, respektivisht nga të gjitha organet e BFI të RMV. Kam bindjen se do t’ia dalim, sepse kemi organe të vetëdijshme për lëvizjen e rrugëtimit të BFI-së tash e në të ardhmen. Me këtë rast do t’i kisha lutur edhe subjektet politike që të mos japin deklarata të pamatura lidhur me BFI-në, ngase ajo është e hapur për bashkëpunim me të gjithë spektrin politik në vend.
Zhurnal: Çështja e akreditimit të Medresesë Isa Beu vazhdon të jetë e pazgjidhur dhe paraqet problem për të diplomuarit e saj. Çka pritni Ju dhe a besoni se shumë shpejtë do të kemi një epilog?
-Në këtë sferë edhe më herët janë bërë hapa përpara, por ka ngecur në Qeveri. Gjendja e jashtëzakonshme që u krijua nga sëmundja Covid-19, si dhe zgjedhjet parlamentare, e penguan këtë proces. Ne menjëherë me ardhjen tonë mbajtëm edhe një takim me ministrin aktual të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, z. Arbër Ademi, me ndrimin e qeverisë u takuam gati me të gjithë faktorët e qeverisë dhe na u premtua se kjo çështje definitivisht duhet të finalizohet dhe duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe se do të bëhen përpjekje maksimale që të zgjidhet ky problem dhe nxënësit dhe nxënëset e Medresesë t’i gëzojnë të drejtat si të gjitha shkollat tjera. Ne nuk do të ndalemi së angazhuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje – do t’i përdorim të gjitha aftësitë tona, si dhe mekanizmat e mundshëm për përfundimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm.
Zhurnal: Cilat janë planet e juaja për zhvillimin e BFI të RMV në të ardhmen?
-Ne jetojmë në Ballkan dhe Europë, andaj kemi përgjegjësi të jashtëzakonshme për prezentim të pastër dhe origjinal të vlerave Islame duke iu qasur nga të gjitha sferat. BFI e RMV ka kërkesa dhe synime të shumta në realizimin e të drejtave të saj brenda kornizës ligjore, por rruga për realizimin e synimeve është përplot me sfida dhe pengesa. Vazhdojmë përpjekjet maksimale në kthimin e pronës së nacionalizuar – të Vakëfit, ku ende po na bëhet padrejtësi; çështja e Xhamisë së Prilepit është një brengë e trishtueshme, e cila prej vitit 2001 është rrënuar nga qarqet vandaliste dhe tani jo vetëm që është rrënojë dhe gërmadhë, por përdoret edhe si tualet, dhe kjo paraqet një turp për shumicën maqedonase dhe një dhimbje për pjesëtarët e Islamit. Kjo çështje definitivisht duhet të marrë fund, sepse është një pamje e turpshme edhe për faktorët ndërkombëtarë, ndërsa në vend mbjell averzion dhe prish në masë të madhe edhe bashkëjetesën në shoqëri, por edhe tolerancën ndërfetare. Zgjidhja e çështjes financiare të shkollës së mesme islame “Medreseja Isa Beu”- Shkup, e FSHI – Shkup, vendosja e taksës fetare për sigurimin e pagesave të nëpunësve fetarë sipas modelit evropian, pastaj, duke marrë parasysh se tashmë jemi anëtare e NATO-s, do të parashtrohet çështja e realizimit të të drejtave fetare nëpër kazermat ushtarake, hapja e vendeve të lutjeve nëpër spitale, burgje, hapja e çerdheve për fëmijë dhe shumë punë të tjera. Nuk duhet habitur për këto synime, për shkak se këto janë vlera demokratike në botë. Ata habiten kur dëgjojnë se ne ende nuk mendojmë për këto vlera.
Zhurnal: Na përmendni disa nga projektet më madhore që planifikoni në BFI të RMV në të ardhmen?
-Bashkësia Fetare Islame është i vetmi subjekt kompetent për prezantimin e Islamit dhe organizimit të jetës fetare-islame në vendin tonë. Ky prezantim është tejet kompleks, sepse jetojmë në Ballkan dhe Evropë, në nënqiellin e shkencës, të ekonomisë, kulturës, artit dhe zhvillimeve të shumta, andaj duhet të jemi të përgatitur mirë, si për nga aspekti kadrovik, profesional, po ashtu edhe nga ai institucional. Andaj, në programin tonë për në të ardhmen, së pari do të fillojmë me hapjen e Institutit të Arkivit të BFI, Institutit të Kërkimeve Shkencore Islame, të Bibliotekës së BFI, themelimin e Shtëpisë Botuese, me shtypshkronjë, formimin e Shoqatës së femrës myslimane, riorganizimin e organizatës humanitare “Hilal”, e cila rrënjësisht do të ndryshojë dhe do ta marrë formën e vet origjinale; formimin e Sektorit për Rininë, e cila në suaza të BFI do të mund të organizohet më së miri dhe shumë projekte që do t’i kërkojë koha. Të mos harrojmë: do të jemi shumë aktiv me pjesëmarrjen tonë në konferenca të vendit dhe ndërkombëtare, ku do prezantojmë vlerat dhe mendimet tona rreth shumë çështjeve me të cilat ballafaqohet bota moderne. Për këtë kemi edhe aftësi kadrovike, edhe profesionalizëm të vërtetë.
Zhurnal: Keni deklaruar se BFI do të jetë e hapur në zhvillimin e vlerave dhe të mendimeve?
-Po, është e vërtetë. Do të mundohem të kemi një institucion që do të frymojë islamikisht, me një frymë të re, ku primare do të jetë moralja, njerëzorja, shpirtërorja, konsultimi, debati, dialogu, mendimi i lirë, konstruktiviteti etj. BFI do të jetë një organizëm i konkurrencës në të mirë, e hapur për të gjithë, në veçanti për të gjithë besimtarët, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, por në të njëjtën kohë do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët relevantë në shoqëri – prej atyre lokalë e deri tek ata të nivelit republikan – me qëllim të realizimit të synimeve të veta dhe për të qenë faktor stabiliteti, paqeje, solidariteti dhe kreativiteti në shoqërinë tonë. E gjith kjo është e patjetërsueshme sepse shoqëria jonë tashmë është anëtare e Natos dhe bënë hapa serioz për anëtare e plotë e BE. Ne jemi vend Europian dhe drejtimi ynë është sa më shpejt të stabilizohem për të qenë pjesë integrale e proceseve Euroatlantike, ku e shohim ardhmërinë tonë të sigurt bashk me popujt e zhvilluar dhe përparuar. Islami, ku edhe jemi kompetent në prezentimin e tij, është fe universale, fe e dijes, shkencës, moralit, tolerancës, respektit, solidaritetit, paqës dhe e aftë për të qenë në shërbim të ngritjes së vlerave njerëzore, në Ballkan, Europë dhe gjetiu në botë. Nuk ka dyshim se për këtë duhet ngritur nivelin e profefesionalizmit, përvojës, dhe shumë vlera tjera që mundësojnë lëvizjen e Islamit në skenën e rjedhave botërore ku ballafaqohen besime, kultura, tradita dhe shumë vlera tjera, që janë një begati e madhe e gjinisë njerëzore, sepse diversiteti është ligj i të Madhit Zot.
Zhurnal: Keni paralajmëruar edhe për çështjen e zgjedhjeve për Reis’ul-Ulema. Çfarë mendoni për këtë, pse deri më tani ende nuk ka pasur zgjedhje brenda këti institucioni fetarë?
-Jemi në fazën e analizave të situatës në BFI. As pesë muaj nuk janë bërë që kemi ardhur në krye të këtij institucioni. Do ta analizojmë mirë edhe këtë çështje: a do shkojmë në ndryshime kushtetuese – ku duhet angazhuar ekspertë të kësaj çështjeje – apo do të shkojmë sipas Kushtetutës aktuale. Unë kam mendimet e mia për këtë çështje dhe do t’ua propozoj anëtarëve të Rijasetit dhe Myftinive. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse është çështje e ndjeshme. Kemi përgjegjësi të ruajmë unitetin e BFI të RMV, edhe atë si dy sytë e ballit.
Fatkeqësisht vazhdojnë e dhe më tutje lojnat destruktive të forcave që nuk dëshirojnë një Bashkësi stabile, të qetë, të fortë dhe produktive. Kjo po ndodh m’u në kohën kur po bëjmë përpjekje maksimale në stabilizimin ekonomik të BFI e RMV. Po ju shpalos vetëm një shembull ku një portal maqedonas nën ndikimin e të cilit vehen edhe disa portale të krijuara apostafat për ti shantazhuar rrjedhat pozitive në BFI, po mundohen të lansojnë dokumente të fabrikuara dhe lajme të rejme apo të njohura si “fake news” me dokumente falsifikat të kulluar për të diskretituar personalitetin tim të formuar përskaj një karriere te gjatë mbi katërdhjetë vite ne BFI dhe atë m’u në prag të zgjedhjeve.
Jam i bindur se këtë e bënë nëntoka me grupacionet e interesave të kombinuara për t’më dëmtuar jo vetëm mua por edhe BFI të RMV. Është më se e qartë që i ashtuquajturi dokument është një falsifikat i qëndisur dhe këtë e dinë shumë edhe më mirë institucionet përkatëse si dhe ata të cilët kanë kontribuar në “gatim-prodhimin dhe promovimin” e tij.
Sa për rikujtim, unë jam i pari nga funksionarët e lartë të BFI që kam bërë kërkesën parë për lustrim, dhe atë gjatë një tentimi nga e njejta nëntokë për një akuzë të njejtë, në kohë kur vetë Kryetari i Komisionit për lustrim Z. Tome Haxhiev doli me demant dhe deklarata të prera nëpër mediumet vendore, siq ishin TV Kanal 5 dhe në gazetën “Dnevnik” të datës 22.08.2013 etj. Ai në cilësinë e Kryetarit të komisionit për lustrim qartë pati deklaruar se tendencat e këtilla mbi Shaqir Fetain janë “spekulime të rrugëve”. Andaj, çdo tendencë për të diskretituar Shaqir Fetain është qesharake dhe jo njerëzore, mos të them mizore. M’u për këtë tani po përgatis aktakuzë për shpifje ku do të kërkojë kompenzim të dëmit material dhe moral si dhe dënim për shpifje.
Njëherit, me keqardhje duhet te them se tentativa të tilla të nivelit të ulët me intriga dhe lajme të rejme dhe të fabrikuara ka pasur gjithmonë dhe do të ketë. Lajmet e rejme edhe më tutje mbeten sfidë e të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare në mbarë botën. Kjo betejë hibride nuk është e lehtë, por ne si BFI dhe unë personalisht do t’i ndërmarrim të gjitha mekanizmat legale dhe legjitime që të luftojmë kundër këtyre fenomeneve destruktive.
Ajo që është më se e vërtetë, veprimet e këtilla janë në shërbim të agjendave të erta dhe kjo bëhet parasëgjiithash me qëllim të denigrimit të autoritetit të institucionit të BFI si dhe kredibilitetit personal të punonjësve të këtij institcioni dhe personalieteteve që janë në krye të detyrës për të stabilizuar këtë institucion dhe për ta rikthyer në vlerat e tij të mirëfillta.
Për të gjithë ata që pa vetëdije apo me vetëdije biejnë preh e këtyre manipulimeve i këshilloj të mos harrojmë se BFI është një institucion shumë i lashtë dhe shumë i thellë, si dhe i njejti është institucion më i lartë fetaro Islam në RMV. Vendosshmëria dhe konzistenca i këtij institucioni për të mbrojturr vlerat morale, humane e njerëzore të gjithë qytetarëve dhe mbi të gjitha interesat dhe vlerat fetaro islame të besimtarëve mysliman të këtij nënqielli çdo herë ka tejkaluar pritshmëritë e të gjithë vëzhguesve, miqve dhe dashakeqëve të këtij institucioni fetaro islam.
Prandaj me plotë përgjegjësi them se neve edhe më tutje do vazhdojmë të punojmë në stabilizimin e BFI dhe ruajtjen kredibilitetit dhe autoritetit të çdo organi në përbërjen e saj.
Ne e dim mirë se të gjithë ata që merren me gënjeshtra , trillime, shpifje dhe akuza të pabaza çdo herë kanë dështuar thellë në qëllimet e tyre, kurse ky institucion bashk me dashamirët e tij ia kemi dalur edhe më të fuqishëm sa që kemi qenë para ballafaqimit me çdo sfidë.
Zhurnal: Sëmundja Covid-19 po mbjell shqetësime të trishtueshme te ne dhe në mbarë botën. Si e shihni të ardhmen e kësaj situate, a mendoni se shpejtë do të përfundon kjo gjendje?
-Kohë më parë kam bërë një punim në lidhje me këtë sëmundje dhe kam dhënë mendimet e mia fetare dhe më gjerë dhe ju e dini, se është botuar në revistën “Hëna e Re”. Publikisht e kemi thënë se kjo pandemi nuk është lojë. Kjo po bën kërdi në tërë globin. Duhet në përpikëri t’u përmbahemi rekomandimeve të OBSH dhe të Ministrisë së Shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut. Ne prej momentit të parë kemi ndërmarrë të gjitha masat që janë kërkuar dhe jemi shumë të kënaqur me disiplinën nëpër xhamitë tona. Vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në nivelin e lartë. Jemi të bindur se edhe kjo sëmundje do të ketë mbarimin e saj, vetëm se duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk duhet të na përshkojë frika dhe paniku, por guximi dhe mobilizimi i të gjitha potencialeve tona intelektuale dhe morale në tejkalimin e kësaj sëmundje të rëndë dhe të vështir.

Comments are closed.