U përurua Xhamia e Sahatit në Dibër

Në Dibër më 26 janar 2013 u bë përurimi solemn i Xhamisë së Sahatit nga Kryetari Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, Kryebashkiaku i Tiranës z. Lulzim Basha dhe Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti.
Në një ceremoni të rastit por edhe për nder të Kryebashkiakut Basha, i cili është Kryetari i Parë i Tiranës që viziton Dibrën e Madhe në këto 60 vitet e fundit, dibranët kishin dalë në mënyrë masive për të festuar këtë ditë madhështore për Dibrën e Madhe. Me këtë rast, delegacionet e larta, vendosën lule të freskëta te varri i Rilindasit Said Najdeni, i cili ndodhet në oborrin e kësaj xhamie.  Në fjalën e tij përshëndetëse myftiu i Dibrës, Mr. Ruzhdi Lata tha: “Këtë manifestim do ta ndajmë në dy pjesë, në atë fetar – si shtëpi fetare, dhe atë historike ku dibranët e kanë historinë e vetë. Sot është ditë e shënuar, ditë gëzimi, manifestim për muajin e lindjes së Muahmedit a.s. Është një ngjarje që ne dibranët e kemi pritur me ditë, me muaj, kemi bërë disa biseda dhe më në fund u realizua ajo që mendonim që këtë xhami do ta përurojë kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Reis ul Ulemaja i BFI”- tha mes tjerash Muftiu i Dibrës, Mr. Ruzhdi Lata i cili i falënderoi të gjithë për përkrahjen dhe dhënë që kjo ëndërr e kamotshme e dibranëve të bëhet realitet.”
Kryebashkiaku Lulzim Basha, në fjalimin e tij deklaroi se: “Projekti i Kryeministrit për bashkim, nuk duhet të trembë fqinjët, ne nuk pushtojmë, nuk gllabërojmë troje, ne jemi në trojet tona”. Mes tjerash shtoi se: “Ka tre Dibra, një në Dibër duke e konsideruar një Dibrën e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë, një Dibër e madhe në Tiranë dhe një në Amerikë, ku gjenden rreth 13 mijë dibranë. Bashke me mua, kanë ardhur dhjetëra dibranë të shquar nga Tirana, si Njazi Kosovrasti, Faruk Kaba, Gjeneral Xhemal Gjunkshi, Flamur Gjymyshka, Petrit Bare etj.”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Gjithashtu këtë manifestim e përshëndeti edhe Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, i cili i përgëzoi Dibranët dhe Muftininë e Dibrës për këtë punë madhështore si dhe përzemërsisht e falënderoi Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi për tërë ndihmën e tij e palodhshme që po jep si në projektet me karakter fetar poashtu edhe në ato me karakter kombëtar.
Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi në fjalën e tij të rastit para të pranishmivë përmendi ajetin Kuranor dhe porosinë e Pejgamberit të fundit të njerëzimit Muhamedit a.s., për sa i përket ndërtimit dhe meremetim të xhamive dhe objekteve fetare.
“ I nderuari Kryetari i Tiranës z. Lulzim Basha, i nderuari Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, i nderuari Kryetari i Dibrës z. Argëtim Fida , të nderuara personalitete të njohura të jetës publike nga Shqipëria dhe ju vëllezër e motra , më lejoni që të gjithë juve të iu përshëndes me përshëndetjen islame Es-selamu Alejkum, përshëndetje kjo që demonstron paqen dhe sigurinë absolute – pra qofshi të gjithë të bekuar”.
Ef. Rexhepi në këtë inaugurim theksoi: “ Sot është kënaqësi shumë e madhe  që gjendem këtu në mesin tuaj dhe s’bashku me ju ti gëzohemi këtij manifestimi këtu në Dibrën e madhe me rastin e përurimit të këtij tempulli të shenjtë të xhamisë, që Kurani famëlartë thotë: “ Xhamitë i themelojnë, xhamitë i  meremetojnë ata që kanë besim të fuqishëm në Allahun fuqi plotë, që kanë një respekt  të pashembullt ndaj Muhamedit a.s, besojnë në ditën e gjykimit dhe e duan shpirtin e vetë”. Pra ju dibranët, sot demonstroni besimin e pa luhatshëm që keni brez pas brezi do të thotë se jo rastësisht në ditët e sodit por Dibra ka qenë ashtu siç u përmend nga Muftiu edhe në të kaluarën ka qenë një depo e intelektualëve fetar dhe kombëtarë. Pra, të gjithë ata që kontribuan dhëntë Zoti që t’iu jep shëndet, forcë, energji, kapital që edhe punët e tjera të infrastrukturës të interesit tonë të popullit tonë ti ndihmojë, a njëherit për kontributin e tyre në xhami, pra lus Allahun Fuqiplotë që në jetën e përhershme ti shpërblen me pallate në Xhenet”.

diber 1 diber 2 diber 4 diber

Comments are closed.