U MBAJT MBLEDHJA KONSTITUIVE E OH “HILAL”

Untitled-6
“Hilal” është dhe do mbesë pjesë e pandashme e BFI-së
Pas votimit unanim, për kryetar të OH “Hilal” u zgjodh Mustafa Dauti nga Kumanova, për nënkryetar Jusuf Zylbeari nga Tetova dhe Irsal Jakupi, nga Gostivari ndërsa për sekretar Driton Dikena nga Kërçova. OH “Hilal” numëron edhe 11 anëtarë në kryesinë qendrore duke përfshirë të gjithë gjeografinë e myslimanëve në Maqedoni
mustafa dauti
Në prag të muajit të Bekuar të Ramazanit, është mbajtur mbledhja konstituive e Organizatës Humanitare “Hilal”, një iniciativë e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame dhe misioni i së cilës do të jetë të ndihmojë popullin mysliman në të gjitha trevat shqiptare, të ndihmojë familjet e varfra të cilat kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.
Kuvendi i cili numëronte 45 anëtarë nga të 13 myftininjtë e BFI-së, zgjodhi edhe kryesinë qendrore të OH “Hilal” ku me një votim unanim për kryetar u zgjodh Mustafa Dauti, teolog për nga prifili por edhe një organizator dhe menaxher i suksesshëm për shumë aktivitete humanitare që janë bërë deri më tani nën ombrellën e BFI-së.
Në mbledhjen e parë të Kuvendit të OH “Hilall”, sekretari gjeneral i BFI-së, Afrim ef. Tahiri pasi përshëndeti të pranishmit në emër të BFI-së dhe kryetarit Reis Ul Ulema Sylejman ef. Rexhepi, elaboroi për rëndësinë e rithemelimit të OH “Hilal”, duke i nxjerr në shesh rëndësinë që kjo organizatë duhet të luaj në organizimin e aktiviteteve humanitare tani në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit por edhe gjatë dy festave të Bajramit që po afrohen.
Në fjalën e rastit, Afrim ef. Tahiri, para të pranishmëve tha se Bashkësia Fetare Islame në Kushtetutën e saj, si parim kryesore i ka vënë vetes për obligim që të pengojë dhe zbutë vuajtjen njerëzore kudo qoftë, të mbrojë jetën dhe shëndetin, të sigurojë respekt dhe dinjitet për qenien njerëzore, të punojë për avancimin e mirëqenies shëndetësore dhe sociale të njerëzve, të nxitë angazhimin vullnetar dhe gatishmërinë e përhershme për dhënien e ndihmës si ndjenjë universale për solidaritet dhe humanizëm.
Sektretari gjeneral bëri të ditur se “Hilal”, është një organizatë joprofitabile dhe ka karakter jo partiak dhe me aktivitetin e saj nuk anon nga asnjë program i ndonjë partie politike.
“Qëllimi i formimit të kësaj organizate është përfaqësimi i vlerave më të larta humanitare, ka për qëllim lidhjen e vlerave njerëzore nëpërmjet aktiviteteve kulturore, humanitare”, theksoi Tahiri i cili më pas kërkoi nga 45 kuvendarët që të zgjedhin kryesinë e re të OH “Hilal”.  Pas votimit unanim, për kryetar u zgjodh Mustafa Dauti, për nënkryetar Jusuf Zulbeari nga Tetova dhe Irsal Jakupi, nga Gostivari ndërsa për sekretar Driton Dikena nga Kërçova.
Në fund ju dha fjala e rastit kryetarit të sapo zgjedhur të OH “Hilal” , z. Mustafa Dauti i cili pasi përshëndeti Reis Ul Ulemanë Sylejman ef Rexhepi , falënderoi kuvendarët për besimin e dhënë duke ju premtuar se së bashku do të punojnë që OH “Hilal” të bëhet një organizate humanitare e suksesshme e cila do të mbush boshllëkun e aksioneve humanitare në këtë hapësirë.  Premtoi se do të punohet që OH “Hilal” të jetë organizata më e fuqishme në Maqedoni , që do të dëshmoj në praktikë aktivitetin e saj.  Përmendi që kjo organizatë është dhe do të mbes si pjesë e pandashme e BFI-së në RM.  Falënderoi edhe myftinitë e BFI-së për angazhimin disa javorë për konstituimin e OH “Hilal”  “Bashkë drejt suksesit” ishte motoja që e dha kryetari i sapozgjedhur z. Mustafa Dauti.
Përndryshe, që në vitin 1990, Rijaseti i BFI-së morri vendim për themelimin e Organizatës Humanitare “EL Hilal”, organizatë e cila jo vetëm që ndihmoi skamnorët dhe nevojtarët gjatë gjithë dekadës së parë të saj por bëri bujë me angazhimin e saj të madh gjatë konfliktit në Bosnjë dhe konfliktit Kosovë-Serbi, posaçërisht gjatë valës së refugjatëve këtu në Maqedoni, dhe falë angazhimit të strukturës së saj arriti që të strehoj qindra mijë vëllezër mysliman që i ikën bishës së egër serbe.
Por pas një dekade punë të pa lodhshme sa humanitare aq edhe kombëtare, Organizata Humanitare “EL HILAL”, përjetoi tradhëtinë më të madhe, ku personat që i emëroi në udhëheqësin e saj, duke u udhëhequr nga vetëdëshira personale për më shumë pushtet, përfitimi personal, mallverzimet dhe gënjeshtrat bënë që Organizata humanitare EL HILAL , e cila nën ombrellën e BFI-së aq shumë i ndihmoi kësaj shoqërie pa dallim feje dhe etnie , të privatizohet dhe ta shkëpusin nga BFI-ja.
Këto persona që dhunshëm vodhën EL HILALIN shkelën edhe mbi parimet islame, shkelën edhe mbi porosinë e Profetit të fundit të Zotit – Muhammedit a.s. dhe Allahut xh.sh. kur thotë: “All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmeve, ndërsa ndalon imoralitetin, atë që është e neveritshme dhe dhunën” (En-Nahël, 90)

Comments are closed.