Tre Muajt e Bekuar

Nga Doc. Dr. Selver Xhemaili

“Tre Muajt e Bekuar”

Nga Doc. Dr. Selver Xhemaili

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten!” (Kuran, 59/18-19)

Tre muajt e bekuar të cilët mbjellin një klimë shpirtërore në mesin e myslimanëve e cila mbizotëron për çdo vit ambientet e besimtarëve dhe që përfundojnë me madhështinë e muajt Ramazan gjegjësisht festën/Bajramin e Ramazanit e shoqëruar me dendësinë e ndjenjave dhe adhurimeve fetare u ofron besimtarëve mundësinë për të pyetur, eksploruar, rinovuar dhe pasuruar jetën e tyre në përgjithësi në raport me Krijuesin e Lartëmadhërishëm dhe krijesat.

Lidhur me virtytet dhe mirësitë e këtyre tre muajve përveç transmetimeve të ndryshme nga i Dërguari i Allahut që theksojnë elemente të veçanta të këtyre muajve të bekuar, në kulturën fetare islame përkujtimi dhe festimi i netëve të dalluara që gjenden brenda këtyre muajve, siç është Nata e Regaibit, Beratit, Miraxhit dhe Nata e Kadrit iu japin një rëndësi të veçantë këtyre tre muajve dhe motivojnë që ndjeshmëria fetare të jetë edhe më e dendur, adhurimi, lutja, përmendja e Zoti/dhikri dhe veprimtaria e bukur të shtohet edhe më tepër dhe të jetë sa më prezentë në mesin e besimtarëve mysliman. Ato janë si stacione, pika të vetëkontrollit tonë të jetës fetare, që na rikujtojnë herë pas here rëndësinë e periudhës kohore ku gjendemi, që na drejtohen me pyetjet, ja ne u kthyem përsëri, e pra, në ç’nivel gjendet fetaria juaj?

Të gjitha netët e dalluara në kulturën islame përveç Natës së Mevludit, ndodhen brenda këtyre tre muajve. Muaji Rexheb cilësohet si muaji i mbjelljes, muaji Shaban si muaji i ujitjes dhe muaji i Ramazanit si muaji i korrjes apo mbledhjes së bereqeteve. Njeriu do të  korr vetëm atë që ka mbjell, do të merr vetëm barasvlerën e asaj që ka bërë. All-llahu xh. sh. i ka dalluar disa pjesë të kohës prej disa të tjerave, duke lëshuar në to mëshirën dhe mirësinë e Tij për krijesën më të përsosur-njeriun. Kohërat apo vendet e caktuara, të gjithë vlerën dhe shenjtërinë e tyre e marrin sepse ashtu dëshiron Allahu i Madhërishëm. Vlerësimi, favorizimi dhe përzgjedhja e diçkaje, është një çështje që i takon vetëm Allahut Madhëriplotë. Është në dorën e Tij që një vendi të caktuar t’i japë prioritet ndaj vendeve të tjera. Kjo dëshirë hyjnore përfshin mijëra urtësi për krijesat. Shenjtëria e disa aspekteve të kohës apo vendit në Islam është një mënyrë që begatia dhe mirësia e pafund e Zotit të mbërrijë tek krijesat e tij, në veçanti tek ata që dinë të përfitojnë nga mëshira e Zotit nëpërmjet lutjeve dhe adhurimeve të ndryshme.

Allahu Madhëriplotë e ka vlerësuar Qaben më shumë se çdo xhami tjetër. Po kështu, Ai ka lartësuar dhe ka dalluar pejgamberët  e Tij nga të gjithë njerëzit e tjerë. Madje edhe nga mesi i të Dërguarve disa i ka veçuar më tepër (Ulul Azm). Kështu që prej ditëve të javës e ka dalluar ditën e  xhuma; prej netëve ka dalluar; Natën e Regaibit, të Miraxhit, të Beratit e të Kadrit; prej muajve hënor: Rexhebin, Sha’banin dhe Ramazanin. Në këta muaj të bekuar, Pejgamberi a.s. bënte ibadet më shumë se çdo muaj tjetër dhe ia bashkëngjiste këtë dua: “O Zoi ynë! Na beko muajin Rexheb e Sha’ban dhe na mundëso ta mbërrijmë muajin Ramazan!” (Ahmed b. Hanbel, Musned, 1/259). Në një hadith tjetër ai thotë: “Muaji Rexheb është muaji i All-llahut, muaji Sha’ban është muaji im, kurse muaji i Ramazanit është muaji i ummetit tim” (Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 1/423).

Bërja traditë e agjërimit në tre muajtë e bekuar mbështetet në mësimet e Pejgamberit tonë të dashur i cili flet në lidhje me vlerën e këtyre tre maujve, siç shihet edhe nga këto hadithe të cituara më lartë, por si duket e gjith kjo bëhet që mbreti i muajve, Ramazani, të pritet me një ndjeshmëri më të thellë fetare dhe me një dendësi më të madhe të adhurimeve. Allahu i Madhërishëm i cili ëshë Mëshirëdhurues dëshiron që robin e vet ta shpie në xhenet, në fakt për te edhe e ka krijuar xhenetin, prandaj i ka vënë atij në dispozicion forma të ndryshme se si të arrijë faljen dhe kënaqësinë hyjnore. Kjo periudhë trimujore është koha më e përshtatshme për të arritur këtë synim, por detyra e njeriut është që të analizojë, hulumtojë, ta gjejë dhe të vazhdojë ndërtimin e të ardhmes në rrugën e vërtetë.

Nuk mund të mohohet fakti që këta muaj janë një dhuratë e bukur për t’i qetësuar shpirtrat tanë nga shqetësimet e përditshmërisë sonë, të trazuar me punët, telashe dhe problemet e rënda të kësaj bote, në veçanti edhe nga shqetësimet dhe stresi që shkakton situate e këtij viti nga pandemia Covid 19, e për të gjetur prehje, strehim e mbështetje në mëshirën dhe faljen e pakufishme të All-llahut Mëshirdhurues. Sigurisht që adhurimet, lutjet/duatë, pendimet, përmendja apo dhikri i Allahut xh.sh. solidariteti dhe ndihmesa e afruar tjetrit në këto kohëra të vështira dhe çdo punë e mirë shpërblimin do ta kenë të shumëfishtë në këtë periudhë. Prandaj këto mundësi të arta që po na jepen nga tre muajt e bekuar t’i shfrytëzojmë si është më së miri, duke i braktisur gjynahet, duke i hedhur tej nga zemra tona ndjenjat dhe idetë e këqija e të fëlliqura, duke i lënë mënjanë punët e sjelljet që na çojnë ta harrojmë All-llahun xh.sh.

Për të përfituar më së teprëmi nga klima madhështore e këtyre ditëve dhe netëve të bekuara akti i parë që duhet bërë padyshim është llogaritja e vetvetes, bërja hesab e punëve tona, duke kontrolluar të kaluarën tonë në ç’nivel e kemi jetën tonë të organizuar në përputhje me kodet  morale islame dhe ç’janë planet dhe përgatitja jonë për të ardhmen. Autokontrolla apo marrja  vetes në llogari është një domosdoshmëri që duhet të bëhet në të gjitha fazat e jetës nga çdo qenie njerëzore që posedon dhuntinë e të menduarit dhe arsyen. Kështu, mendja do të angazhohet për çëshjte të dobishme dhe të nevojshme, jo në vepra të këqija. Një vetëkontroll ose vetë-llogari e mirë do të ndihmojë individin dhe shoqërinë, për të ndërmarrë hapa të shëndetshëm. Kjo rrugë, e cila çon në zbulimin e mangësive dhe dobësive personale, nuk lë mundësi për të kërkuar mangësi dhe turp tek dikush tjetër. Mu për këtë shkak, sipas mësimeve islame një orë meditim është konsideruar e barabartë me adhurimin vullnetar/nafile të viteve të tëra. Vetëllogaria është si një pasqyrë transparente që u mundëson njerëzve të shikojnë vetëveten. Thënë shkurt njeriu nëpërmjet metodës së autokontrollës ​​do të diagnostikojë dhe përcaktojë sëmundjet shpirtërore qo ia dëmtojnë shëndetin fetarë dhe më pas do t’i drejtohet trajtimit me pendim, kërkim-falje dhe ilaçe shprese dhe sigurish personaliteti i besimtarit do të gjejë rifreskim, rinovim dhe do të rimarrë shëndetin shpirtërorë. Allahu i Lartëmadhërishëm në shumë ajete kuranore na përkujton për këtë gjë duke na thënë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten!” (Kuran, 59/18-19) Në dritën e këtyre porosive hynore marrja e vetes në llogari, qërimi i hesapeve me vetveten apo autokritika si dhe planifikimi i të ardhmes do të ishte puna më bukur brenda këtyre muajve me qëllim që të presim Ramazanin e bekuar sa më të dëlirë dhe të përgatitur për ta ndërtuar personalitetin fetarë edhe më të fortë. Kjo është më se e nevojshme të bëhet pikërisht tani kur personaliteti i njeriut është i ngarkuar tejmase me materializma të ndryshëm që gjithnjë shkojnë duke e ngulfatur dimensionin shpirtëror. Për pasoj në mesinë e shoqërisë tonë gjithnjë po çfaqen çregullime, gjëra të shëmtuara, të fëlliqura, padrejtësi, stres, depresion dhe shumë sëmundje tjera.

Tre muajtë e bekuar janë një periudhë kohore mjaftë e përshtatshme që një person që ka varësi ndaj veseve të këqija, ka mundësinë më të mirë për të hequr dorë prej tyre, pasi ditët dhe netët e Tre Muajve janë një rast i mrekullueshëm që besimtari të rrimar vetveten. Nëse na kan kapluar të ligat, mosmarrëveshjet, ngatërresat, nëse jemi grindur me dikë, hidhëruar apo kemi dëmtuar dikë, të përfitojmë nga rasti i kësaj kohe të begatë për t’u pajtuar, për t’u afruar, madje të mbledhim fuqi edhe të dimë të kërkojmë falje e të vazhdojmë jetën në paqe. Prandaj në hyrje të këtyre tre muajve duhet të kemi parasysh që kjo është një mundësi unike, një portë e madhe, për të dalur nga rëndesat e gjunaheve, për të braktisur mëkatet e shkuara, e, duke reflektuar me autokritikë e vetëllogari, të përgatitemi me plot energji për ditët që na presin në të ardhmen. Të kujtojmë faktin se Tre muajt e bekuar sivjet po i përjetojmë në një kohë diçka ndryshe nga vitet e tjera, kohë pandemie, kohë e vështirë, kohë në të cilën më tepër se kurdoherë kemi nevojë ta kujtojmë, të lutemi, e ta ndihmojmë  njëri tjetërin. Në fakt pikërisht në kohë të vështire dalin në pah virtytet e larta të besimtarit të vërtetë.

Është një e realitet për të cilin na informon Kur’ani Fisnik dhe tradita e Pejgamberit a.s. se disa kohëra janë më të vlefshme dhe më të çmuara se kohërat e tjera, përshkak të ngjarjeve dhe ndodhive që kan rrjedhë  pikërisht në ato momente. Mirëpo që këto kohëra të jenë të bekuara edhe për njerëzit, kushti themelorë është që; ato momente të kalohen me vetëdijen e të qenurit adhurues i Allahut xh.sh. Ndryshe thënë, cili do muaj, ditë apo orë e çastë të kalohet me vetëdijen dhe përgegjësinë e të qenurit adhurues i Allahut xh.sh, ajo periudhë kohore është e shenjtë, e bekuar dhe e veçantë për besimtarin. Sa e sa kohëra të bekuara ka, që për ata që nuk ia dinë vlerën, është vetëm se një humbje.  Rruga për të përfituar nga qetësia, bereqeti/bekimi, falja dhe shpërblimi i këtyre kohërave, pra për ta fituar kënaqësin e Allahut xh.sh., ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi ynë i nderuar është, qoftë edhe pak, por të bëhen adhurime të vazhdueshme. Lutja/duaja e vazhdueshme është është treguese se e meriton vlerësimin nga Zoti  Madhërishëm, Kurani Fisnik na përkujton; Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj…”. (Furkan 77)

 

Allahu xh.sh. gjatë periudhave  të ndryshme, ka krijuar kohra kur janë më të përshtatshme për mbjellje, për zhvillimin e bereqetit, kultivimin, e më në fund edhe vjeljen e tij, madje edhe vetë shoqëritë njerëzore organizojnë tregje të mëdha e panaire të ndryshme nje vjetore apo më shpesh sa kaq me qëllim që të përfitojnë më tepër. Ngjajshëm me këte edhe në anën shpirtërore Allahu Mëshirdhurues i ka dhënë mundësi robit të vet, nëpërmjet periudhave të caktuara që t’i afrohet më tepër rahmetit/mëshirës së Allahut xh.sh, normalishtë nëse besimtari e shfrytëzon atë pjesë kohore në punë të hajrit e në ibadete.

Siç u theksua edhe më lartë, në këto muaj Allahu xh.sh. i shton, madje shumëfishon shpërblimet për punët e mira që do të bëjnë krijesat e Tij.  Mu për këtë arsye kur hynë këta muaj besimtarët duhet ta ndrojnë kursin e punëve të tyre duke iu kthye shpirtënisë apo veprave të cilët do ta lartësojnë dhe pastrojnë shpirtënishtë edhe më tepër.  Duke pasur parasysh që njeriun e sodit në kohën e fundit janë duke e lodhur e raskapitur tejmase aktualitetet ditore qofshin ato politike, ekonomike apo edhe këto të sivjetmet të vitit 2020  telashet e pandemisë, qasja drejt ibadeteve që do të na relaksojnë shpirtërisht bëhet edhe më se e nevojshme. Shpirti gjithnjë ka nevojë për ushqimin shpirtëror. Individi i distancuar nga ngopja e shpirtit dhe qetësimi i tij me dhuntitë e Krijuesit të Madhërishëm e me ushqimet shpirtërore siç është adhurimi, rrezikon të përfundojë në egoizëm të skajshëm, e dalje nga natyra njerëzore. Prandaj le të shërbejnë këta Tre muaj për njeriun tonë që të ndalet të mendojë se nuk jeton vetëm ai në këtë botë, se nuk është i përjetshëm në këtë jetë, se do të përgjigjet për çdo vepër të bërë qoft edhe e vogël, se duhet përgaditur edhe për botën e tjetër, dhe se Zoti xh.sh. nëpërmjet të këtyre Tre muajve të bekuar hap një portë  të rahmetit për ata të cilët dëshirojnë të përfitojnë nga mëshira e Allahut fuqiplotë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.