Timonie: “Politika, sa më larg Bashkësive Fetare”
Më 30 tetor, 2019, pasdite, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, është takuar me ambasadorin francez Kristian Timonie (Christian Thimonier) në Ambasadën e Republikës së Francës në Shkup.
Kryetari Sulejman ef. Rexhepi i ka shprehur falënderimin Ambasadorit Timonie për kohën e ndarë për të zhvilluar takimin. Në takim ai i ka paraqitur të gjitha problemet juridike me të cilat ballafaqohet BFI – për dy tentimpuçet dhe për proceset gjyqësore që kanë mbetur shtangur, pa lëvizur fare përpara në zgjidhjen e tyre, gjithnjë në interes të gjyqësisë së mirëfilltë dhe të drejtësisë së pavonuar. Me këtë rast Reis’ul-Ulemaja ka përgëzuar Ambasadorin Timonie dhe shtetin e Francës për mbështetjen e reformave të thella në sistemin gjyqësor të RMV.
Nga ana e tij, Ambasadori Timonie ka uruar dhe ka falënderuar Kryetarin e BFI-së dhe tërë institucionin që ai udhëheq në luftimin e rrymave radikale kudo në shoqëri. Në të njëjtën kohë, ai është deklaruar se “ne si Ambasadë mbajmë qëndrimin që politika të jetë larg Bashkësive Fetare dhe ato duhet të jenë të pavarura; shqetësimet tuaja si komunitet fetar rreth mosfunksionimit të ligjeve do t’i kemi parasysh”.
Në fund, nga të dyja palët është shprehur gatishmëria për të vazhduar dhe për të thelluar bashkëpunimin.
Comments are closed.