Të punësuarit në BFI ngelen “peng” të uzurpuesve video

bdi hyrje

Pas uzurpimit të BFI-së nga një grup prej 50 personash ditë më parë, në këtë institucion ka edhe punonjës të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në vend të punës, dhe nuk mund të largohen, pasi në rast të tillë, atyre u zihet vendi dhe nuk do iu lejohet të rikthehen në post. Raste të tilla janë disa, dhe njëri prej tyre, që ALSAT arriti të filmonte, është edhe përgjegjësi i sektorit për marrëdhënie me publikun në Bashkësinë Fetare Islame, Agron Vojnika. Duke sqaruar zhvillimet e mëngjesit të së hënës, Vojnika thotë se ka përjetuar tmer të vërtetë nga uzurpimi, sipas tij, i urdhëruar nga ish zyrtarë të BFI-së, të shkarkuar nga Rijaseti.

“Ne të punësuarit e Rijasetit të BFI-së ishim shënjestër e sulmit të organizuar dhe të udhëhequr nga Ibrahim Shabani, ish Muftiu i shkarkuar i Shkupit, nga ish sekretari i përgjithshëm i BFI-së Afrim Tahiri, Skënder Buzaku, ish sekretar i Myftinisë së Shkupit dhe Abaz Islami. Afrim Tahiri udhëzoi gjithë grupin që të sulmojë personat e punësuar në BFI, t’i sulmojnë drejtpërdrejt me grushte. Pashë armë, pashë thika. Domethënë, jeta jonë ishte në rrezikun më të lartë. Ishte një gjendje kaotike që vërtetë nuk do t’ia kisha dëshiruar askujt”, deklaroi Agron Vojnika, përgjegjës në sektorin për Marrëdhënie me Publikun në BFI.

Gjuajtja me armë, siç sqaron Agron Vojnika, ka ndodhur në momentin kur jetët e të punësuarve të BFI-së ishin vënë në rrezik. Shkrepja thotë ai, u bë nga një i punësuar që kishte leje për armëmbajtje, dhe i autorizuar për të siguruar objektin e BFI-së. Pasojat fizike dhe psikike thotë Vojnika, janë konstatuar edhe nga ndërhyrja e ndihmës së shpejtë.

“Në atë moment, kur jeta jonë ishte në rrezikun më të madh, njëri nga të punësuarit në BFI, i cili është i autorizuar nga Reis Ul ulemaja që të mbronte kabinetin, i cili posedon leje për armë dhe ka licencë për sigurim, shkrepi një plumb. Shkrepja ishte në ajër dhe mendoj se ajo shkrepje na shpëtoi jetën të gjithëve neve. Menjëherë pas asaj shkrepje, shumica nga sulmuesit u tërhoqën. 20 orë pasi ndodhi sulmi ne kërkuam ndihmë mjeksore, nga ndihma e shpejtë e cila erdhi dhe ofroi ndihmën e saj ndaj dy të lënduarve më keq nga sulmi, dhe një personi me problem serioze nga stresi i përjetuar dhe nga tensioni i gjakut”, theksoi Vojnika.

ALSAT M siguroi një ditë më parë, pamje ekskluzive nga kamerat e sigurisë, që tregonin pikërisht momentin e hyrjes me dhunë në institucionin e Bashkësisë fetare Islame. Turma duket se ka hyrë e organizuar; njëra pjesë e të pakënaqurve ka hyrë nga anash, ndërsa pjesa tjetër ka kapërcyer kangjellat e portës së madhe, për t’iu drejtuar derës kryesore të BFI-së. Siç tregojnë edhe pamjet, besohet se në mes të personave që hynë me dhunë, ka pasur edhe të armatosur. Në pamje duken disa persona, që vendosin duart në xhepa, apo bëhen gati të nxjerrin, ato që dyshohen si armë të ftohta. Po ashtu, në reagime, kuptohet edhe momenti i shkrepjes së armës së zjarrit. Pamje janë pa audio, pasi janë siguruar nga kamerat anësore të sigurisë së institucionit fetar.

Sot, Agron Vojnika tha për ALSAT se grupi që mori me dhunë këtë institucion, është vendosur vetëm në zyrën e ish sekretarit Afrim Tahiri, duke përvetësuar edhe vulat e BFI-së, ndërsa kabineti i Reis Ul Ulemasë Sulejman Rexhepi dhe ambientet e tjera të BFI-së menaxhohen nga të punësuarit aktualë të BFI-së dhe zyrtarët e tjerë që mbështesin Rexhepin. Forcat policore nga ana tjetër, vazhdojnë të sigurojnë hapësirat brenda dhe jashtë objektit të BFI-së.Arben Zeqiri 

Comments are closed.