Të pakompromistë për interesat fetare dhe kombëtare

reis ulema 77777.1

Bisedë kokë më kokë me kryetarin e BFI-së në Maqedoni, H. Sulejman ef. Rexhepi
“Teologë të ndryshëm që dolën nga këto qendra u vunë në ballë të çdo lëvizje kombëtare dhe për këtë flasin edhe argumentet historike. Shembull kemi momentin që Ismail Qemal e shpalli pavarësinë e Shqipërisë, përkrah tij ishte myftiu i njohur Vebi Dibra që bashkërisht ngre flamurin kombëtar dhe shpallin pavarësinë e shtetit shqiptar”, thotë kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi


Intervistoi: Shkëlzen LUSHAJ

Me një çaj tradicional, ngrohtësi dhe bujari shqiptare, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoni, z. Sulejman Rexhepi, flet për ecurinë e këtij institucioni nëpër shekuj, për problemet që ka përballë komuniteti shqiptar dhe mysliman në Maqedoni, për marrëdhëniet e tendosura ndëretnike dhe ndërfetare dhe për pasojat e politikës që zhvillon Qeveria aktuale kundrejt bashkësive fetare. Rexhepi që dëshmon se është njohës i pashembullt i Islamit dhe i historisë së tij në Ballkan, thotë se së bashku me ndihmën e Zotit, bashkëpunëtorëve e tij dhe përkrahjes që gëzon gjithandej, do të vazhdojë t’u bëjë ballë sfidave që vijnë pareshtur…
Zhurnal Plus: Z. Rexhepi, keni festuar para dy vitesh 650 vjetorin e Bashkësisë Fetare Islame (BFI). Ekzistenca gati shtatëshekullore e këtij institucioni e bën atë më të vjetrin në Maqedoni dhe jo vetëm. Së këndejmi, cili ka qenë roli i BFI-së nëpër shekuj në jetën fetare, politike dhe shoqërore në Maqedoni por edhe më gjerë?
Sulejman ef. Rexhepi: Sa i përket këtij institucioni prej se funksionon, ecja e tij gjatë historisë dhe roli i tij, nëse përqendrohemi në detaje atëherë me siguri se do të duhej të shkruheshin vepra të tëra. Por ajo që është e argumentuar dhe dokumentuar është se prej momenteve të para kur përhapet Islami në mënyrë kolektive në trojet e Ballkanit, kultivimi i jetës fetare islame, identitetit islam, nuk është bërë përmes individëve, grupeve apo grupacioneve, por nëpërmes këtij subjekti që ne sot e quajmë Bashkësi Fetare Islame (BFI). Gjatë historisë ky subjekt ka pasur emra të ndryshëm, por në opinion ka qenë i njohur si “bashkësi islame”. Përkundër emërtimeve të ndryshme, funksioni i këtij ka qenë një – kultivimi i jetës fetare, kultivimi i begative shpirtërore të popullit tonë, njëherësh ecja e asaj kulture, mbrojtja e identitet shpirtëror, por njëherësh u dëshmua gjatë historisë se ka qenë subjekti që ka ruajtur identitetin kombëtar. Prandaj, kur përmendet Islami dhe jeta fetare islame në Maqedoni pa dyshim se menjëherë mendja shkon tek një fortifikatë e fortë, BFI-ja, e cila në rolin e saj historik në këto troje i ka shërbyer popullit, sa në aspektin shpirtëror dhe kulturor po aq edhe në atë kombëtar. Duke u nisur nga një e vërtetë shumë e madhe dhe e pamohueshme se jeta e Islamit në Maqedoni në mënyrë institucionale zhvillohet 650 vjet, është e logjikshme që të kemi përjetuar batica dhe zbatica. Por pavarësisht kësaj, BFI-ja në çdo kohë ka luajtur një rol shumë të çmueshëm, të madh, të shtrenjtë për interesin e popullit tonë. Edhe përkundër shtypjeve, represalieve, diskriminimeve që na janë bërë nga sisteme të ndryshme shoqëroro-politike, që kanë dominuar në këto troje, përsëri BFI-ja asnjëherë nuk është gjunjëzuar. Ajo që është më rëndësi të thuhet është se që me përhapjen e islamit në mënyrë kolektive në Maqedoni, Shkupi dhe Manastiri, gjatë 450 viteve të udhëheqjes së një perandorie pa konkurrencë në atë kohë, siç kanë qenë osmanlinjtë, kanë qenë qendra të kulturës islame dhe kombëtare. Këto dy qytete nuk kanë qenë të rastit por kanë qenë shtylla në ruajtjen e identitetit tonë të plotë fetar-kombëtar. Gjithashtu edhe forcat e mëdha progresive, intelektuale, politike gjithmonë rolin e tyre e kanë luajtur nga Shkupi. Ne si BFI, qëndrojmë edhe sot e kësaj dite në Shkup dhe vazhdojmë ta luajmë të njëjtin rol sepse mendojmë se me rolin dhe peshën që ia kushtojmë si qendër Shkupit, kemi pozicion më të fuqishëm të ruajmë kulturën islame në tërë territorin e Maqedonisë. Ne asnjëherë nuk i arsyetojmë tendencat e disa subjekteve që duhet të angazhohen për interesin e popullit, qofshin ato interesa fetare, politike, kulturore apo arsimor që aktivitetet e tyre t’i realizojnë prej qyteteve të tjera. Jo rastësisht ideologët e çështjeve fetare dhe kombëtare, qendrat më të mëdha i kanë hapur në Shkup si Medreseja e Madhe në kohën e Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, pastaj Medreseja e “Isa Beut” që tani mbush 535 vjet. Në këto qendra, intelektualë të ndryshëm shqiptarë janë shkolluar dhe atë jo vetëm nga territori i sotëm i Maqedonisë, por edhe nga Vilajeti i Kosovës, Shqipërisë së sotme dhe vende të tjera të Ballkanit. Teologë të ndryshëm që dolën nga këto qendra u vunë në ballë të çdo lëvizje kombëtare dhe për këtë flasin edhe argumentet historike. Shembull kemi momentin që Ismail Qemal e shpalli pavarësinë e Shqipërisë, përkrah tij ishte myftiu i njohur Vebi Dibra që bashkërisht ngre flamurin kombëtar dhe shpallin pavarësinë e shtetit shqiptar. Prandaj, BFI nuk është hamendur asnjëherë të lëvizë nga qendra e saj në Shkup, por këtë e ka edhe me dispozitë të Kushtetutës së saj.
Kemi qenë çdoherë konstruktiv, ne punojmë me dispozitat islame
Zhurnal Plus: Mbase të gjitha këto argumente që i numëruat e bën këtë institucion që udhëhiqni një nga faktorët më relevantë dhe me peshë në Maqedoni, që vizitohet dhe kontaktohet nga përfaqësues ndërkombëtarë apo vendorë në situata krize apo të rëndoma…
Sulejman ef. Rexhepi: Që nga momenti i shpërbërjes së ish – Jugosllavisë kur filluan të gjitha pjesët e federatës jugosllave të shpërbëhen, BFI-ja ka qenë qendër e vëmendjes për shumë çështje me interes fetarë dhe kombëtare, prandaj edhe ka qenë interesante për shumë figura shtetërorë dhe ndërkombëtare që ta vizitojnë të njëjtën. Dhe jo rastësisht, BFI-ja ka qenë e para që ka ngritur iniciativën gjatë shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e cila deri në atë kohë ishte kategori statutare, të përshpejtojë që statusin e bashkësisë islame ta ngre në nivelin kushtetutës dhe atë e bëri para të gjithë bashkësive islame që ishin pjesë përbërëse të bashkësisë islame të ish Jugosllavisë. BFI-ja e Maqedonisë poashtu shpalli e para Kushtetutën e saj si akt më të lartë juridik, madje edhe një vjet para Kishës Ortodokse Maqedonase.
Duke e parë këtë realitet edhe faktori relevant jashtë Maqedonisë, duke e konstatuar rolin e BFI-së, nuk ka ndodhur asnjëherë të tejkalohet por gjithnjë ka qenë e vizituar prej momenteve të para e deri në ditët e sodit dhe vazhdon si e tillë të vizitohet nga burrështetas, nga kryetarë të shteteve të ndryshëm, nga princër dhe emirë të ndryshëm nga bota islame. Në kohën më të komplikuar në Maqedoninë pluraliste, mysafirë i BFI-së ka qenë personi më i shquar për të drejtat e njeriu, z. Mazobevski. Faktori i jashtëm edhe sot e kësaj, çdo gjë që lëviz në territorin e Maqedonisë kërkon që BFI me peshën e vet, autoritetin e vet ta ndihmojë vetëm atë që është konstruktive, që shkon në favor të popullit dhe jetës së përbashkët në Maqedoni. Është një e vërtetë shumë e madhe se ne si Bashkësi islame në krahasim me bashkësitë tjera fetare gjithmonë kemi dhënë kontributin shembullor dhe kemi qenë në vendin e parë, në këtë drejtim edhe sa i përket bashkëjetesës me të tjerët, jo vetëm me fjalë por edhe me demonstrim praktik kemi dëshmuar vetën tonë se ne punojmë me dispozitat tona islame.
Cërvenkovski na pati thënë, “nëse ua kthejmë pronat, BFI do të jetë shteti, ndërsa ne – filiale e juaj”
Zhurnal Plus: Supozoj se këto takime dhe vizita në selinë e juaj nga personalitete të ndryshme, i shfrytëzoni për t’i informuar ata për problemet me të cilat përballeni. Jo njëherë keni reaguar si institucion ndaj padrejtësive dhe kuteve të dyfishta të shtetit në procesin e denacionalizimit…
Sulejman ef. Rexhepi: Është një e vërtetë shumë e madhe se BFI e Maqedonisë prej viteve të para të pluralizmit, bile më të thënë të vërtetën edhe para se të hartohet dhe miratohet Ligji për denacionalizim, ne kemi qenë e para Bashkësi Fetare në Maqedoni që kemi iniciuar nga Qeveria dhe kreu i Qeverisë atë kohë, kthimin e pronave që sistemi i dikurshëm i kishte nacionalizuar, uzurpuar ose ndryshe thënë, i kishte plaçkitur. Disa herë kemi pasur orvatje para se të miratohet ligji, por politika asokohe sikurse donte bashkërisht të jemi me KOM-in dhe të bëjmë një marrëveshje politike, jo të zgjidhjet me ligj, se çfarë ka mundësi të kthehet e çka jo – të mos na kthehet. Ne si BFI asnjëherë nuk kemi pranuar që prona të na kthehet me marrëveshje politike por gjithnjë kemi kërkuar që ashtu siç na është marrë, ashtu të na kthehet. Është marrë përmes nacionalizimit, me akt juridik, dhe përmes denacionalizimit të na kthehet po ashtu me akt juridik. Ne kemi kërkuar që të përshpejtohet hartimi i Ligjit për denacionalizim, të miratohet dhe të fillojë denacionalizimi, të fillojë të hiqet zullumi 50-vjeçar mbi kurrizin e bashkësisë islame. Mirëpo, më në fund erdhi deri te ajo, por jo ashtu siç dëshiruam. Ligji për denacionalizim i vitit 1998 nuk duhej të miratohet në atë formë, nga një arsye shumë e madhe se për bindjet e mia edhe për bindjet e të gjithëve ne që e njohim realitetin është ligji më i komplikuar që ka kaluar në Kuvend nga mëvetësimi i Maqedonisë. Është ligj shumë i komplikuar, i koklavitur, i ndërlikuar i cili ka krijuar barriera, mjegullina dhe pengesa që vetëm e vetëm të mos vijë deri te kthimi i pronës së Bashkësisë Islame. Më kujtohet, me kryeministrin e atëhershëm para se të miratohet ky ligj, Branko Cervenkovski, haptas na e tha “mos ushtroni iluzione se do të ju kthehet prona që ju është marrë juve, nga një arsye shumë e madhe se atëherë ju duhet të jeni shtet, ndërsa ne filiale e juaj”. Edhe përkundër asaj që tentuan të na bindin se ligji nuk është i koklavitur, sot nga ky prizëm shihet se BFI-ja edhe atëherë por edhe sot ka të drejtë. Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite BFI-ja vazhdon të jetë e diskriminuar, edhe më tutje vazhdon avazi i zullumit mbi të, sepse sipas të dhënave që i kemi ne, vetëm dokumentacionin që e posedojmë, tregon se na kanë nacionalizuar mbi 4 milionë metra katrorë, duke përfshirë këtu ara, livadhe, pyje, tokë të pjellore dhe nga ana tjetër kemi 42 mijë metra katrorë dyqane, shtëpi, lokale të ndryshme që duhet të na kthehen. Por një numër i madh i dokumentacioneve tani më janë humbur ose i kanë zhdukur me qëllim. Duke marrë parasysh në total të gjitha këto, nëse përkthehet në përqindje sa kemi arritur brenda 14 viteve sa është në funksion ligji për denacionalizim, vetëm 10 për qind kemi arritur të kthejmë. D.m.th 90 për qind e pronës së BFI shfrytëzohet nga individë, kompani të ndryshme dhe nga shteti. Ne nga faktorët relevantë të huaj kemi kërkuar që të na ndihmojnë që ata të bëjnë presion dhe të ndikojnë në politikën aktuale të qeverisë aktuale që padrejtësia të marrë fund, por për fat të keq shumica e faktorëve janë shprehur se e dinë këtë realitet, se u vjen keq por se kanë hasur në vesh të shurdhër tek Qeveria. Më e keqja është se në krahasim me KOM-in jemi të diskriminuar, sepse kësaj të fundit i është kthyer 90 për qind e pronës dhe përveç asaj i kanë dhënë edhe pronë të re, siç është hoteli “Izgrev” në Strugë dhe një kazermë në Maqedoninë Lindore për shfrytëzim në afat prej 100 vitesh. Më e keqja që kohëve të fundit kemi një paraqitje për një xhami tonën që e kemi në Shtip, e quajtur me emrin Hysamedin xhamia. Shumë kohë kemi pasur probleme, gjithmonë kemi qenë në luftë e sipër që atë xhami ta marrim ne nën udhëheqje sepse gjithmonë për 2 gusht vazhdimisht zhvilloheshin mesha ortodokse në të, ne arritëm me sukses të futemi në xhami duke i bërë presion Qeverisë dhe me vendim të saj na u la në përdorim, por përsëri kohët e fundit dëgjojmë se komuna e Shtipit ia ka dhënë dioqezës së Kishës Ortodokse duke ia shitur për 6 mijë apo 7 mijë euro. Këto punë që ndodhin këtu nuk besoj se kanë ndodhur në botë, janë tejet provokuese dhe krijojnë shqetësime dhe indinjatë të madhe jo vetëm tek njerëzit që i njohin aktualisht këto probleme, por kushdo që kupton edhe të mos i jetë mysliman habitet kur i dëgjojnë këto gjëra të palogjikshme dhe të panatyrshme.
Xhamitë tona i quajnë me emrat e shenjtorëve të krishterë, ndërsa politika shqiptare hesht
Zhurnal Plus: Kam bindjen se nuk është vetëm xhamia në Shtip që tenton të tjetërsohet, është një rast i ngjashëm, nëse nuk gaboj, me Jeni xhaminë në Manastir. Cili është fati i saj, por edhe i xhamisë së ruinuar në Prilep, xhamisë që duhet të ndërtohet në Llazhec të Manastirit dhe Burmali xhamisë në Shkup?
Sulejman ef. Rexhepi: Ta fillojmë prej xhamisë së Shtipit, për të cilën pak më parë folëm, pushteti edhe sot e kësaj dite vazhdon me atë avaz. Ata nuk i thonë Hysamedin xhamia por Sveti Ilija. Pastaj Jeni Xhamia e Manastirit ku shteti me vite të tëra po bën gërmime gjoja se për gjetjen e kishave dhe sipas deklaratave zyrtare të Ministrisë së Kulturës paskan gjetur themele të dy kishave por më meritorja na qenka kisha Sv. Gjorgjia apo Shën Gjergji, dhe tash në komunikim Ministria e Kulturës kur shkruan për këtë objekt nuk e emërton më vetëm si Jeni xhamia po si kisha Sveti Gjorgjia-Jeni xhamia. Këto janë raste të çuditshme, janë tragjike jo vetëm për BFI-në, por edhe për të gjithë myslimanët në këtë vend e sidomos për partinë shqiptare në pushtet. Si munden ata të kenë durim, si nuk reagon ndërgjegjja e tyre, p.sh për Jeni xhaminë të dëgjojnë emërtimin Sveti Gjorgji ndërsa për Hysamedin Xhaminë Sveti Ilija. Habitem shumë poashtu me këta politikanë shqiptarë se si mund të bëjnë marrëveshje politike që Xhamia e Burmalisë të mos ndërtohet asnjëherë. Jo vetëm që nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve por tentojnë ta keqpërdorin opinionin gjoja se ne si BFI, nuk jemi të interesuar që të rindërtojmë të njëjtën. Ne kemi qenë të interesuar kur askush nuk ka qenë fare i interesuar, por për fat të keq gjithmonë kemi qenë të refuzuar, derisa kërkoi nevoja që t’i publikojmë të gjitha dokumentet tona që nuk mund të shlyhen. Tani dëgjojmë, dashtë Zoti të mos jetë e vërtetë se kinse ka marrëveshje politike që ajo të mos ndërtohet kurrë, kurse kisha të dislokohet në vend të tjetër. Atje ku do të dislokohet kisha, është vend i vakëfit dhe për atë parcelë neve na e ka refuzuar komisioni për denacionalizim me arsyetim se ajo është park dhe gjelbërim dhe gjithkund ku del park dhe gjelbërim nuk kthehet. E si mundet për ne si pronar të dikurshëm të jetë pengesë parku dhe gjelbërimi dhe të mos na kthehet ndërsa mund të jepet një bashkësie fetare tjetër komplet vendi me qëllim të ndërtojë kishë prej në themel. Një rast eklatant është edhe Xhamia e Prilepit që u dogj në vitin 2001, në shenjë hakmarrje për ndodhinë në Karpalak, për të cilën xhami, BFI ka bërë luftë të vërtetë për ta kthyer. Kur para dy viteve u mbajt Konferenca ndërfetare në Ohër, në pragun e mbajtjes së kësaj konference vendosa që ta bojkotojë atë, atëherë ndërhyri Ambasada amerikane, por ndërhyrjen e tyre e kushtëzova me atë që ata të detyrojnë Qeverinë që të gjejmë rrugëdalje për rikthimin e xhamisë së Prilepit dhe ndërtimin e xhamisë në Llazhec të Manastirit, vend ku me siguri bëhen qindra vite që maqedonasit nuk lejojnë të ndërtohet, edhe pse populli jonë është atje, jeton, është evident. Atëherë Ambasada amerikane vendosi të ndërmjetësojë dhe ata e morën përsipër, duke e detyruar Qeverinë që të bëjmë marrëveshje memorandumi mes Qeverisë e përfaqësuar nga Ministria e Kulturës dhe BFI e Maqedonisë, me të cilën jemi pajtuar që xhamia e Prilepit të rikthehet dhe financimin ta bëjmë bashkërisht, megjithëse ata nuk dëshironin që ne të paraqitmi si investitor, por vetëm shteti të investojë, por ne ishim këmbëngulës që bashkërisht të jemi investitor dhe ajo pjesë e parave tona është në arkën buxhetit të shtetit. Kaluan dy vite dhe nuk lejojnë assesi të zbatohet marrëveshja dhe të fillojë rikonstruimi i xhamisë, me arsyetime të kota se ende rasti i Karpallakut qenka i freskët, dhe se atje qenka bërë një zullum shumë i madh ndaj maqedonasve, ku e vërteta tregon se aty ka pasur edhe myslimanë dhe jo vetëm maqedonas, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Unë nuk e di edhe sa vite ky rast duhet të jetë i freskët në kokën e tyre. Këto padrejtësi me të vërtetë paraqesin shqetësime shumë të mëdha për ne, lufta jonë nuk është për interesa grupore, individuale e as personale, por luftë për interes të përgjithshëm sepse e kaluara jonë e largët na përkujton se si në një kohë të gjitha shkollat u mbyllen në Maqedoni, i vetmi institucion që ishte i hapur për të gjithë ne, pavarësisht se në cilin lëmi, ka qenë BFI, takimet tona janë mbajtur në Medresenë e “Isa Beut”, simpoziumet tona ne Medresenë e “Isa Beut”, në Fakultetin e shkencave islame, nëpër myftinitë…këto kanë qenë të vetmet institucionet tona që i kemi pasur dhe duhet ti ruajmë. Opinioni duhet të ketë ende të freskët momentin e themelimit të Universitetit të Tetovës, ku BFI-ja u paraqit jo vetëm si bashkëthemelues por edhe vakëfet e saj u përdorën sa për ligjërata ashtu edhe për zyrat e rektoratit të këtij universiteti. Madje më shumë, publikimi i revistës “Studenti” që nxirrte në shesh zërin e studentëve të këtij universiteti dhe që meritonin të dëgjoj u financua nga buxheti i BFI-së gati më shumë se një vjet. Në anën tjetër trajtimi nuk është aspak i barabartë me Kishën maqedonase. U kam thënë edhe ministrave maqedonas dhe vetë Gruevskit, se “ti ke marrë rolin e kryepeshkopit të kishës maqedonase”, dhe është e vërtetë se KOM nuk ka autonomi, ajo është pjesë e politikës, por kjo nuk do të thotë se BFI duhet anashkaluar dhe të diskriminohet kundrejt KOM-it.
Ngjarjet në Vevçani, pasojë e politikës diskriminuese të Qeverisë
Zhurnal Plus: Do të ishte mbase e paimagjinueshme që këtu të mos përmenden problemet që kapin dimensionin politik, etnik dhe fetar. Janari i këtij viti do të mbahet mend për nga acari i motit dhe zjarri i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare…ku është BFI në të gjithë këtë situatë?
Sulejman ef. Rexhepi: Ne kemi pasur një qëndrim si bashkësi islame, në nivel të organit më të lartë dhe kemi bërë vlerësimet tona se si ka ardhur deri tek acarimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike. Krejt kjo politikë diskriminuese që zhvillohet nga qeveria, është shkaktare për ndodhitë që indinjojnë myslimanët. Ndodhia e fundit në Vevçani, është vetëm pasojë e një politike diskriminuese të shtetit ndaj myslimanëve. Prapë se prapë ne si BFI edhe përkundër ofendimeve të shumta tentuam që të zgjidhim këtë çështje në një relacion më të ngushtë. Pasi që Myftinia e Strugës, siguroi materialin dhe pas një studimi kokëftohtë, sugjerimi jonë ka qenë që Myftiu i Strugës këtë problematikë ta zgjedhë në relacionin myftini-kryetar i Vevçanit dhe kryetar i Strugës. Edhe përkundër përpjekjeve nga ana e myftiut, kryetari i Vevcanit është treguar shumë kokëfortë. Hapi i dytë ka qenë protesta. D.m.th protestën e ka organizuar myftinia, por fatmirësisht protesta ka qenë në nivelin e e duhur dhe nuk ka ndodhur asnjë incident. Protesta e ka bërë punën e vet dhe më pas, njerëzit qëllimkëqij që me siguri nuk ia duan të mirën këtij shtetit multietnik dhe multifetar, i kanë vënë zjarrin kishës në Llabunishtë dhe Reçicë të Vogël. Ende edhe sot e kësaj dite nuk dihen fajtorët e zjarrit. Edhe pse institucionet heshtin informatat tona janë shumë të sakta për atë se zjarrin kishave ua kanë vënë maqedonas-ortodoks kurse i kanë shuar shqiptarë të besimit islam. Fajtorë nuk kemi edhe për mbishkrimet ofenduese në xhamitë e Manastirit. Edhe këto mbishkrime ofenduese i bënë maqedonas-ortodoks. Duke u frikësuar se situata mund ta eskalojë, autoritetet e shtetit kërkuan ndihmën tonë dhe se bashku me z. Stefanin na thirrën në kabinetin e presidentit z. Ivanov. Në bisedat e mia me Ivanovin kam qenë shumë konkret si tani dhe i kam thënë se incidentet janë vetëm një prej pasojave e një politike që është e padurueshme. I kam dhënë edhe një raport prej katër faqesh për vlerësimet dhe vërejtjet tona. Më pas ndodhi edhe takimi i pesë liderëve fetarë në selinë e BFI-së ku po ashtu bashkërisht dënuam incidentet. Rasti i fundit ka qenë edhe vizita e komisarit z. Volebek i cili gjithashtu na pranoi bashkërisht me z. Stefanin. Ai si një diplomat më pyeti nëse e njoh gjuhën maqedonase dhe njëherësh pyeti z. Stefanin nëse e njeh gjuhën shqipe, unë i thashë po, ndërsa z. Stefani tha jo, dhe në këtë mënyrë më dha shenjë respekti duke ma dhënë fjalën kryesore. E dyta kur e mori fjalën z. Stefani tha se nuk kam çka të shtoj dhe se vlerësimet e kryetarit të BFI-së janë të gjitha të vërteta. Prandaj, ne do të vazhdojmë në kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe ndëretnike aq sa kemi autoritet, por unë mendoj se problemi është i politikës, se ajo çdoherë prishë marrëdhëniet. Politika duhet ta kuptojë se nëse jemi përcaktuar për këtë shtet nuk kemi alternative tjetër dhe duhet të gjithë bashkërisht të ecim, por jo dikush me plot të drejta e dikush i diskriminuar. Njëherësh kisha kërkuar nga faktori politik shqiptar që participon në qeveri që kur kërkohet për shumë gjëra vullneti politik, të tregoj një vullnet konstruktiv dhe ai vullnet të na drejtojë neve si BFI dhe të zgjidhim problemet që na tangojnë edhe ne si institucion por edhe si komunitetin mysliman.
Ata që shpifin për BFI-në, janë një lloj mynafikësh
Zhurnal Plus: Do të ndërroj për një moment temën e bisedës. Folëm gjatë për problemet që keni me shtetin, por ato sikur nuk “mjaftojnë” dhe nga individë dhe grupe joformale provokoheni në mënyra të ndryshme. Cila është përgjigja e juaj ndaj fushatave që zhvillohen kundër institucionit të BFI-së?
Sulejman ef. Rexhepi: Fatkeqësisht neve këto fushata asnjëherë nuk na shqetësojnë për arsye se vazhdimisht në historinë e Islamit prej momenteve të para, kur është formuar shteti islam, ka pasur tre kategori popujsh dhe atë mysliman, mysherik politeist dhe kategoria më e rrezikshme – mynafik. Në të gjithë historinë islame, çrregullimet, fërkimet, copëtimet, fraksionimet, gjithmonë bëhen prej kategorisë së quajtur mynafik , por kjo gjë nuk na shqetëson, siç ka qenë në histori edhe sot kjo gjë mund të vazhdojë, por realiteti i BFI-së është diçka tjetër. Unë kam bindje se këto shpifje që i bëhen nuk është hera e parë, konkretisht ka pasur shpifje edhe ndaj meje personalisht, por unë në sistemin gjykues të Maqedonisë, kam arritur të fitoj të drejtën dhe dikush të dënohet penalisht dhe t’i nënshtrohet dëmshpërblimit të autoritetin tonë dhe të institucionit të BFI-së. Ne do të ngremë padi ndaj të gjithë atyre që zhvillojnë këto fushata të çoroditura, të paramenduara dhe për hakmarrje personale, grupore ose që mund të jenë në shërbim të dikujt tjetër, por ne kjo nuk na intereson sepse si institucion merremi me çështje më madhore se sa me këto shpifje që i atribuohen BFI-së. Historia flet se gjithmonë e pavërteta ka humbur dhe këto tentativa janë për ta njollosur autoritetin e këtij institucioni, por sigurisht BFI do të ketë një emision debativ në ndonjërën nga ekranet televizive në Maqedoni ku njerëzit tanë do të dalin dhe ta thonë të vërtetën dhe çdokush që kërkon mejdan do ta fitojë atë nga ne.
Zhurnal Plus: Nuk do mend se meritat e institucionit që udhëhiqni, ju njihen jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga eksponentë të politikës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë. Para do kohe keni qenë mysafir në një iftar të shtruar në muajin e Ramazanit nga kryeministri Sali Berisha…
Sulejman ef. Rexhepi: Kryeministri Berisha është i pari që ka bërë një hap të këtillë që për çdo vit në muajin e bekuar të Ramazanit shtron iftar dhe fton të gjithë krerët e bashkësive islame të trojeve etnike shqiptare. Vitin e parë ka qenë të kyçur vetëm ne dhe bashkësia islame e Kosovës, ndërsa vitin e kaluar ka pasur përfaqësues edhe nga Mali i zi dhe Lugina e Preshevës. Në iftare marrin pjesë shumë diplomatë të huaj dhe personalitete me relevancë. Në takimin e fundit m’u dha fjala dhe mua të flas në emër të të gjitha delegacioneve. Theksova se për herë të parë në histori ndodh një kryeministër i shtetit amë,ka bërë një hap të këtillë dhe për këtë arsye e merr epitetin e kryeministrit ton ëtë përbashkët. Në emër të shqiptarëve mysliman të Maqedonisë i dhamë edhe një dhuratë shumë simbolike por me vlera të mëdha. Kryeministri Berisha ka një respekt të madh për BFI-në e Maqedonisë sidomos pas fushatës humanitare që bëri BFI-ja, për vërshimin në Shkodër.
Do të hyjmë së shpejti edhe në Suli An
Zhurnal Plus: Për në fund fare, cili është vizioni i juaj dhe përcaktimet e BFI-së për të ardhmen?
Sulejman ef. Rexhepi: Përcaktimi jonë në perspektivë është që institucionet tona edukativo-arsimore, siç është medreseja dhe fakulteti i shkencave të bëhen më të avancuara në të gjitha segmentet. Kam kënaqësi të prononcohem për gazetën e juaj se ne sot në fakultetin e shkencave islame kemi 185 studentë, përveç shumë gjeneratave që kanë diplomuar. Prej këtyre 85 janë meshkuj dhe 100 vajza. Dhe kjo është krenaria e bashkësisë islame dhe investimet dhe paratë dhe ndihmat e popullit mysliman shkojnë në mirëmbajtjen e këtyre institucioneve dhe këtyre studenteve, ndërsa medreseja e Isa beut ka gjithsej 430 vajza dhe 220 meshkuj. Meshkujt janë të lokuar në qendër të Isa Beut në Kondovë dhe Shtip, ndërsa 430 femra janë në Shkup, Tetovë dhe Gostivar. Dashtë zoti, që së shpejti planifikojmë edhe në Shkup të vëmë gurthemel të një institucioni edukativo-arsimor për vajza që do të jetë afër xhamisë Isa beu dhe do të jetë për lakmi nga çdokush, do të jetë në shërbim të popullit tonë. Përderisa nga ana tjetër është ky viti i dytë që ne si BFI jemi futur në Kapan Han dhe me bindje se jemi fut në pronën tonë. Futja jonë në të është legale dhe legjitime edhe pse dikush tenton të na paraqet ndryshe. Ne në mënyrë transparente jemi deklaruar se jemi të gatshëm të rezistojmë deri në pakufi. Ne kemi thënë se përderisa Qeveria nuk korrigjohet, nga pretendimet e saja diskriminuese nuk ka dalje nga Kapan Hani, dhe mendojmë se e njëjta formë e veprimit do të ndodhë edhe me Suli Hanin nëse nuk na kthehet ashtu siç duhet të na kthehet. Por të gjitha këto qëndrime, BFI-ja e Maqedonisë detyrohet ti marrë në këtë formë dhe situatat i imponohen nga jo funksionimi i shtetit juridik.

Comments are closed.