Të mësuarit dhe dituria
A nuk është me rëndësi dituria? Po, me siguri që është, por i dërguari i Allahut Fuqiplotë në një hadith thotë: “Kush punon me atë çka di dhe sa di, Allahu ia mëson edhe atë që nuk e di.” Myslimani duhet t’i ketë këto dy cilësi – paranë në xhep, po, por në zemër jo; dhe, dora të jetë në punë dhe zemra, te Krijuesi.
Dr. Abas Jahja
Çka nënkuptojmë me termin të mësuarit, ose ndryshe thënë, si duhet ta kuptojmë këtë term?
Para se të gjithash, duhet të dimë dhe të kuptojmë se qëllimi i të mësuarit është të vepruarit. Dija të kalojë te veprimtari, ose, me fjalë të tjera, mësojmë që të veprojmë. Sepse, nëse vetëm mësojmë dhe nuk veprojmë, atëherë jemi vetëm grumbullues të diturisë. Nëse grumbullimi i diturisë ose të mësuarit nuk reflektohet në praktikë, atëherë te njeriu lindin pasoja të çuditshme. Një ndër këto pasoja dhe simptoma me karakteristikë të çuditshme janë egoizmi dhe narcizmi i madh; p.sh. njeriu fillon të mendojë se e tërë dituria është tek unë dhe se vetëm unë di; vetëm atë çka e di unë, ajo është e vërtetë, ndërsa të tjerët nuk dinë. Pra, me këtë paraqitet edhe një nënçmim i jashtëzakonshëm.
Sipas kësaj që thamë deri më tani, kuptojmë se me grumbullimin e diturisë nuk mund të konsiderohet për dijetar, por vetëm depozitues i diturisë. Nëse flasim për një depozitim, atëherë interneti është më dijetar se të gjithë.
Këtë shembull më së miri neve na e tregon edhe ajeti i Kuranit famëlartë, të cilën Allahu (xh. sh.) e tregon me shembullin e gomarit.
Nëse e analizojmë këtë fenomen, këtë dukuri, do të shohim se nëse e ngarkojmë një gomar me libra, ose e ngarkojmë atë me ndonjë ngarkesë tjetër, si p. sh. me dru, në të dyja rastet gomari mbetet gomar. Kjo cilësi i përshkruhet, për shkak se gomari nuk është i vetëdijshëm për vlerën që mbart. Gomari, ndërkaq, është një kafshë që është shumë punëtore dhe sytë i ka shumë të bukur, por cilësia e të qenit gomar nuk ndryshon.
Ajeti i Kuranit thotë: “Shembulli i atyre që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është shembulli i ndonjë gomari që bart libra. Shembulli i keq, është shembull i popullit që përgënjeshtroi ajetet e Allahut, e Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin jobesimtar.”(El Xhuma, 62)
Ajeti i Kuranit famëlartë na tregon shumë qartë se qëllimi kryesor, parimor dhe final i diturisë është veprimi dhe praktikimi. Ne kur do të dalim para Allahut (f. p.) që të japim llogari, nuk do të na pyet se sa kemi ditur dhe çka kemi ditur, por do të na pyesë se çka kemi punuar dhe çka kemi vepruar.
Tash, parashtrohet pyetja se a nuk është me rëndësi dituria? Po, me siguri që është, por i dërguari i Allahut (f. p.) në një hadith thotë:
“Kush punon me atë çka di dhe sa di, Allahu ia mëson edhe atë që nuk e di.”
Po ashtu, edhe ajeti i Kuranit thotë: “Frikësohuni Allahut e Allahu ju mëson. Allahu është i gjithëdijshëm për çdo send.” (Bekare, 282)
Po ashtu, edhe në një ajet tjetër thuhet: “E kush i frikësohet Allahut, atij Ai i hap rrugët (për atë ka rrugëdalje).” (Talak, 2)
Me fjalën “takva” nënkuptojmë t’u përmbahesh dispozitave dhe t’i respektosh dispozitat e Allahut, do të thotë frika ndaj Allahut xh.sh. nënkupton mos të humbim dashurinë ndaj Tij.
Nëse duam të mësojmë, duhet ta respektojmë Allahun xh.sh., sepse dituria e njeriut në krahasim me diturinë e Allahut Fuqiplotë nuk është asgjë.
Në lidhje me këtë është një shembull shumë i mirë, ku një ditë në një mbledhje ishin tubuar të gjithë dijetarët e lëmenjve të ndryshëm për të diskutuar disa çështje shumë të rëndësishme, kur në këtë tubim papritmas hyn një njeri dhe thotë se ka dëshirë të parashtrojë një pyetje. Udhëheqësi i tribunës i dha leje dhe pyeti se çka është pyetja e tij.
Të gjitha i kuptoj, por vetëm një gjë nuk e kam të qartë: si mund ta krahasojmë diturinë e njeriut me diturinë e Allahut Fuqiplotë? – pyeti njeriu.
Dijetari i tha se kjo pyetje është e gabuar dhe nuk mund të bëhet një krahasim i tillë.
Njeriu tha: Po, edhe unë e di dhe jam i vetëdijshëm për këtë, por përsëri dua një shpjegim krahasues.
Dijetari e merr një letër shumë të madhe dhe e bën një rreth shumë të madh, duke i thënë: Kjo nuk krahasohet për ta kuptuar ti; do ta sjell si shembull. Po të themi se ky rreth i madh është dituria e Zotit, ndërsa kjo pika në mes është dituria e njeriut.
Njeriu tha: Po, e kuptova, por edhe një gjë dua të pyes: ku është dhe ku qëndron dituria juaj në atë pikë?
Dijetari e kupton se ky njeri nuk ishte njeri i thjeshtë dhe kërkon falje prej tij.
Nga kjo duhet të mësojmë: njeriu nuk duhet të sillet kryelartë, por përkundrazi, ai duhet të jetë i vetëdijshëm se me të vërtetë nuk di asgjë në krahasim me Krijuesin. Prandaj, Sokrati, filozofi i madh antik, kur arrin në gradën më të lartë të diturisë, thotë shprehjen e tij të mirënjohur “Tash e di se nuk di.”
Edhe Faraoni ishte dijetar shumë i madh, por përsëri nuk mundi që të shpëtojë nga faraonllëku; pra, dituria e tij nuk e shpëtoi atë, por përkundrazi, e humbi atë. Edhe Karuni ishte shumë i pasur, por pasuria e tij edhe atë nuk e shpëtoi.
Prandaj, duhet të marrim mësim edhe nga shembulli i Sulejmanit (a. s.). Ai ishte edhe i pasur, edhe i fuqishëm, por edhe pejgamber.
Isai (a. s.) ishte i varfër, por mirënjohës dhe falënderues ndaj Krijuesit.
Pra, myslimani duhet të ketë këto dy cilësi: paranë në xhep po, por në zemër jo dhe dora të jetë në punë dhe zemra te Krijuesi.
Comments are closed.