Takimi i liderëve mysliman të Ballkanit

Edhe njëherë theksojmë se fuqimisht besojmë në përcaktimin e institucioneve  kompetente në këto vende, që sa më shpejtë, pronarëve të vërtetë t`u  kthehen pronat e vakëfit dhe ku në mënyrë të drejtë do të përmirësohet padrejtësia e bërë në të kaluarën, para se t`u drejtohemi instancave kompetente ndërkombëtare dhe Zyrës juridike në Bruksel, ishte mesazhi që doli nga takimi i liderëve myslimane të Ballkanit
Liderët fetarë islamë nga shtete të rajonit të Ballkanit në takimin e V-të në këtë format, e të parin të këtij lloji në Maqedoni, diskutuan për gjendjen dhe pozitën e bashkësive fetare në vendet e rajonit.
Takimin e hapi, kreu i BFI-së, Reis Ul-Ulema H. Sulejman Ef. Rexhepi, i cili pasi u shprehu mirëseardhje liderëve fetarë islamë të Ballkanit, tha se ndihet i privilegjuar që një takim i liderëve fetarë të Ballkanit mbahet në Shkup.
Kreu i BFI-së u përqendrua tek tema qendrore e këtij takimi “Denacionalizimi i Vakëfit dhe përvoja nga shtete të tjera”.
“Procesi i denacionalizimit në Maqedoni, zvarritet në mënyrë të padrejtë, gjë e cila e konfirmon përshtypjen e përgjithshme se shteti nuk ka qëllime të mirëfillta për ta zbatuar tërësisht procesin e denacionalizimit brenda afatit të paraparë, periudhë kohore e cila tanimë ka skaduar vite të tëra. Shteti me strukturat e tij, demonstrojnë një praktikë që japin shenja se nuk janë për bashkëjetesë multietnike, multifetare dhe demokratike”, theksoi Sulejman ef. Rexhepi. Sipas tij, Ligji për denacionalizim kështu siç është, nuk e ka formën e ligjit apo më mirë më thënë është një ligj i ngatërruar dhe jo rastësisht, meqë më shumë përhap konfuzion sesa rregullon një materie që tani e 12 vite është bërë burim i fërkimeve mes bashkësisë fetare të cilën e udhëheq dhe institucioneve të shtetit.
“Mos kthimi i vakëfit nga ana e shtetit është një atak i drejtpërdrejtë i progresit të shoqërisë myslimane tek ne por njëkohësisht edhe shkelje flagrante e të drejtës pronësore që në të gjitha sistemet juridike llogaritet si e shenjtë.  Prandaj nëse organet e këtij shteti nuk u thonë PO kërkesave tona, ne drejtësinë do ta kërkojmë në institucionet ndërkombëtare dhe do të detyrohemi të gjejmë forma të tjera më të cilën do të kthejmë amanetin e të parëve tanë në vendin ku ato e kanë lënë”, theksoi kreu i BFI-së, Rexhepi duke shtuar se kërkimi për një baraspeshë të pranueshme është një nga sfidat më kryesore të epokës sonë.
“Bashkëjetesa prej shekujsh e myslimanëve dhe e të ortodoksëve në Maqedoni, ka bërë që harmonia ndërfetare të jetë një domosdoshmëri historike, duke shërbyer kështu, si mjet dhe faktor që siguron unitetin dhe ekzistencën tonë si shtet. Procesi i dialogimit ndërfetar nuk do të thotë njëkohësisht proces i kristianizimit të institucioneve në njërën anë ose islamizimit të shoqërisë në anën tjetër, por është proces që ka disa funksione dhe më kryesori është komunikim i vazhdueshëm midis kulturash e traditash, ndërtuar mbi pikat e përbashkëta, që gjithmonë janë më shumë se ato që na ndajnë”, tha Rexhepi duke nënvizuar se institucionet shtetërore duhet të operojnë në një mënyrë të tillë që të respektojnë vlerat, format, praktikat, madje dhe kërkesat e secilit prej komuniteteve fetare.
Sipas tij, edhe pse ligji për denacionalizimin ngërthen në vete ngatërresa të mëdha, BFI përsëri nuk e konteston atë, por fajëson qeverinë, e cila manipulon me të duke përzier qëllimet e saja politike. “Qeveria për bindjet tona ka arritur të politizojë 99% të instancave gjyqësore dhe t’i ketë nën kontroll të vet në përjashtim të Gjykatës kushtetuese të cilën akoma nuk e ka bërë për vete por tenton që ta bëjë edhe atë. Ne shpresojmë nga ky takim duke pasur rastin të dëgjojmë fjalët edhe të BFI-ve të tjera në Ballkan dhe shpresojmë se me këtë përvojë që u demostrua sot edhe në të ardhmen të kemi takime”, tha Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.
Edhe kryetari i BI-me së Kosovës, Mr. Naim Tërnava u ankua për të njëjtin problem, kthimin e pronave të bashkësisë islame, pasi Kosova nuk është e interesuar për një proces të tillë.
“Që 3 vite e pavarur, ende nuk është marrë vendimi në parlamentin e Kosovës për kthimin e pronave edhe pse ne kemi bërë një kërkesë të vazhdueshme dhe që dëshirojmë e kërkojmë sistematikisht që pronat të kthehen tek pronari pasi atë që ata besimtarë që kanë lënë vakëfe pronën e tyre konsiderojmë se kanë bërë një vepër të shenjët prandaj ajo duhet të ngelet për atë që është dedikuar”, u shpreh  Naim Tërnava, kryetar i BI-së së Kosovës.
Kryetari i BFI-së së Sllovenisë, Dr. Nexhat Grabus tregoi eksperiencën nga vendi i tij, duke thënë se komuniteti mysliman atje nuk ka probleme të natyrës së pronave. Grabus tha se Sllovenia e ka zgjidhur këtë problem edhe me komunitetin tjetër fetar, katolikët.
Fjalimi i kreut të BFI-së, Reis Ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi 
I nderuar kryetar i Dijanetit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Turqisë, Prof.Dr. Mehmet Gormez,
Të nderuar liderë dhe përfaqësues të lartë fetarë nga Ballkani dhe vendi,
Të nderuar mysafirë, miq dhe vëllezër,
Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal t’ju përshëndes me shprehjen me unikate, më universale për të gjithë pjesëtarët e islamit,
“Eselam alejkum ve rahmetulahi ve berekatuhu”
Në agimet e këtij viti, trazirat dhe dramat njerëzore nuk kanë të ndalur, thirrja për lirinë dhe tolerancën  fetare është premisë për një paqe të qëndrueshme. Ajo mund te bëhet kuptimplote dhe e plotfuqishme, vetëm atëherë kur të gjithë ne, pavarësisht e merremi me teologji, politikë, ekonomi, drejtësi e kemi konceptuar respektin e ndërsjellët të lirisë fetare si udhën më të mirë për paqe universale, një paqe universale për gjithë njerëzimin, për të cilën, më shumë se kurrë bota e sotme ka nevojë.
Aq me tepër Ballkani ynë i cili në këtë epokë globalizmi, ka nevojë që besimi të përfaqësojë arsyen dhe përparimin. Feja nuk po vdes dhe nuk do të vdesë asnjëherë. Bota sot ka nevojë për besimin ngase në besimin e thellë  ekziston mundësia e krijimit të paqes për të gjithë dhe në të mirë të gjithëve.
Toleranca fetare do të jetë e qëndrueshme këtu në RM dhe gjithandej në Ballkan dhe më gjerë,  vetëm atëherë kur asaj i paraprinë trajtimi i barabartë i të gjithë besimeve dhe lirive fetare të komuniteteve të ndryshme etnike që jetojnë në këto shoqëri, mirëpo assesi e selektuar dhe e mbështetur në ideologji të caktuara dhe sajesa të çfarëdoshme që motivohen nga rrjedha të politikës ditore, ideologjive shoviniste, fundamentalizmit fetarë dhe tjerë.
Të nderuar,
Duke marrë parasysh se në këtë takim tonin të sodit teme boshte e kemi denacionalizimin e pronave të nacionalizuara nga ish sistemi totalitar i cili sundoi afër 50 vite në këto troje, lirisht mund të theksojmë se BFI-ja ka problem me denacionalizimin, në fakt kthimin e vakëfit të nacionalizuar nga komunizmi. Pas 12 vitesh të shoqëruar nga diskriminimi,  qëndrimet dhe vendimet e tmerrshme politike, dëmtojnë të gjitha ligjet pozitive të vendit dhe demostrojnë rrezikshmërinë e jo arsyes për kthimin e pronave të BFI-së.
Procesi i denacionalizimit në Maqedoni, zvarritet në mënyrë të padrejtë, gjë e cila e konfirmon përshtypjen e përgjithshme se shteti nuk ka qëllime të mirëfillta për ta zbatuar tërësisht procesin e denacionalizimit brenda afatit të paraparë, periudhë kohore e cila tanimë ka skaduar vite të tëra. Shteti me strukturat e tij, demonstrojnë një praktikë që japin shenja se nuk janë për bashkëjetesë multietnike, multifetare dhe demokratike.
Institucionet shtetërore të Maqedonisë edhe një herë po bëhen shtylla e ndarjes së qytetarëve në baza etnike dhe fetare, ajo po thellon hendekun e urrejtjes dhe ndasisë që është një politikë që bie ndesh me realitetin e qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare. Ligji për denacionalizim kështu siç është, nuk e ka formën e ligjit apo më mirë më thënë është një ligj i ngatërruar dhe jo rastësisht, meqë më shumë përhap konfuzion sesa rregullon një materie që tani e 12 vite është bërë burim i fërkimeve mes bashkësisë fetare të cilën e udhëheq dhe institucioneve të shtetit.
Nga 350 kërkesa sa ka bërë BFI-ja ku kërkon kthimin e katër milion m2 tokë të nacionalizuar nga sistemi komunist, përfshirë këtu livadhe, ara, kullosa, male dhe të tjera si dhe 42 mijë m2 objekte përfshirë banesa, shtëpi dhe dyqane, pas 12 vitesh denacionalizim vetëm 15 për qind të pronës kemi arrit që ta kthejmë.
Edhe pas 12 vitesh karakteristikë e procedurës së denacionalizimit janë joefektiviti,  joracionaliteti, jofunksionaliteti dhe moskryerje me kohë e punëve, me tendencë të theksuar për pengimin e realizimit të të drejtave ligjore të BFI-së.
Sa për ilustrim
Në Shkup nga 127 kërkesa vetëm 10 prej tyre janë të plotfuqishme
Në Manastir nga 56 kërkesa  për mbi 180 parcela kadasatrike vetëm 15  prej tyre janë të plotfuqishme
Në Kumanovë nga 10 kërkesa , vetëm 1 e plotfuqishme
Në Prilep nga 4 kërkesa për dhjetëra parcela kadastarike asnjë e plotfuqishme
Po ashtu në Dibër, Ohër, Negotinë, Shtip, Veles, Kavadarc dhe gjithë Maqedoninë lindore situata është e njëjtë.
Pra kjo është një tregues i qartë se ka avashllëk, burokraci e theksuar dhe shkallë të lartë të subjektivitetit gjatë procesit të procedurës administrative. Ka  sjellje jokooperative dhe joprofesionale ndaj institucionit tonë, që shkakton pasoja të dëmshme për vetë vakëfin.
Të nderuar,
Siç dihet roli i vakëfit në aktivitetet e BFI-së është tepër i çmueshëm. Në fakt vakëfi është një nga fenomenet e rëndësishme sociale dhe kulturore në botën islame dhe një nga mjetet për arritjen e progresit në shoqëritë islamike sidomos në shtetet që kanë sistem laik kushtetues si Republika e Maqedonisë.
Mos kthimi i vakëfit nga ana e shtetit është një atak i drejtpërdrejtë i progresit të shoqërisë myslimane tek ne por njëkohësisht edhe shkelje flagrante e të drejtës pronësore që në të gjitha sistemet juridike llogaritet si e shenjtë.
Prandaj nëse organet e këtij shteti nuk u thonë PO kërkesave tona, ne drejtësinë do ta kërkojmë në institucionet ndërkombëtare dhe do të detyrohemi të gjejmë forma të tjera më të cilën do të kthejmë amanetin e të parëve tanë në vendin ku ato e kanë lënë.
Të respektuar miq,
Atëherë, a mund të bashkekzistojnë integrimi me identitete të ndara fetare, etnike dhe kulturore?
 Po e përfundoj këtu me një ajet kuranorë:
“S’ka dyshim se kush e beson Allahun dhe bën vepra të mira, qoftë prej jehudive, prej sabiinëve, prej të krishterëve, për ta nuk do të ketë frikë dhe pikëllim” El Maide, 69
Ky ajet Kuranor dëshmon universalitetin e besimit, tolerancën mes feve të ndryshme dhe dëshirën e vullnetin të lirë që duhet të jenë baza fundamentale mbi të cilën duhet të ndërtohet shoqëria njerëzore.
Zoti le të bekoj punën tuaj.
Es-selamu alejkum ve rahmetullahi.
DEKLARATA PËRFUNDIMTARE
Takimi i parë i liderëve të bashkësive fetare islame të Ballkanit u mbajtë në vitin 2007 në Bullgari që u organizua nga Krye Muftinia e Bullgarisë, i dyti u mbajtë në vitin 2008 në Mal të Zi, i treti në vitin 2009 në Romani, i katërti më 12 maj 2010 në Kosovë dhe takimi i pestë u mbajtë më 29 mars 2011 në kryeqytetin e R. Maqedonisë, Shkup.
Nga ky takim i rëndësishëm i liderëve fetarë të bashkësive islame të Ballkanit që u mbajtë sot, opinionin e njoftojmë me këtë deklaratë përfundimtare:
1. Duke u nisur nga parimet dhe rregullat islame, si në të kaluarën ashtu edhe sot, maksimalisht do të përpiqemi në shoqëritë dhe shtetet ku jetojmë të mbisundojë paqa, toleranca dhe mirëqenia, pa iu nënshtruar çfarë do lloji provokimi. Qëllimi primar i yni është që të sigurojmë kushte për jetë të lumtur për vendet dhe popujt tanë.
2. Si pjesëtarë  dhe liderë  të fesë islame, do të përpiqemi për zhvillimin e vetëdijes të njerëzve për bashkëjetesë në paqë dhe mirëqenie për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga përkatësia e tyre racore, fetare apo etnike, madje ashtu siç me shekuj më parë në këto hapsira me sukses e ndërtuam.
3. Edhe njëherë theksojmë se fuqimisht besojmë  në përcaktimin e institucioneve  kompetente në këto vende, që sa më shpejtë, pronarëve të vërtetë t`u  kthehen pronat e vakfit dhe ku në mënyrë të drejtë do të përmirsohet padrejtësia e bërë në të kaluarën, para se t`u drejtohemi instancave kompetente ndërkombëtare dhe Zyrës juridike në Bruksel.
4. Do t`i kushtohet vëmendje e madhe për ruajtjen e autenticitetit dhe restaurimit dhe përcjelljen e tyre te gjeneratat e reja monumenteve kulturore historike të cilat për arsye të ndryshme janë të dëmtuara ose shfrytëzohen për qëllime të tjera në hapsirat ballkanike. Konsiderojmë se do të jetë në dobi të madhe formimi i një komisioni të përbashkët shkencor i cili do të kryje hulumtime për sigurimin e dokumentacionit arhivor e posaçarisht në Arhivin Osmanli në R. e Turqisë.
5. Do të ndihmohen bashkësitë fetare islame të vendeve të Ballkanit si dhe liderët dhe institucionet e tyre për përhapjen e literaturës fetare dhe edukimin fetarë si dhe përforcimin institucional të të njëjtave.
6. Do të ndihmohet në përforcimin dhe zhvillimin e vetëdijes nacionale dhe fetare si dhe traditës së myslimanëve e cila paraqet një trashëgimi e shekujve të kaluar.
7. Në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet veprimi jo i drejtë dhe jo ligjorë i qeverive të Bullgarisë në aspekt në Myftiut kryesorë Mustafa Haxhi Alish i cili që nga viti 1992 dhe këndej nëntë herë në mënyrë unanime është zgjedhur në këtë funksion. Në personalitetin e tij shikojmë jo vetëm atak mbi atë, por atak dhe me respekt të të drejtave të të gjithë myslimanëve në Bullgari.
8. Kemi pikëpamje të përbashkëta rreth sjelljes së dhunshme ndaj tarikatit Bekteshijan nga disa qarqe të ndryshme të cilët në mënyrë të pandërprerë dëshirojnë ti paraqesin si një fe të veçantë, ndryshe nga islami. Kjo sjellje nuk korrespondon me faktet dhe traditën historike.
9. Ka një rëndësi të madhe për Ballkanin , por edhe më gjerë për Botën për përforcimin e vetëdijes për bashkëjetesë mes myslimanëve, të krishterëve dhe hebrejëve në këto hapësira ashtu siç është praktikuar me shekuj.
10. Besojmë fuqishëm dhe dëshirojmë që faktori ndërkombëtarë të sillet në mënyrë më të përgjegjshme në aspekt të ngjarjeve dhe pasioneve të fundit në botën islame dhe sa më shpejt të qetësohen në drejtim të plotësimit të kërkesave të drejta të njerëzve të thjeshtë , të mos lejohet eskalim të trazirave të cilat mund të sjellin dëme të mëdha dhe të pariparueshme tek shoqëritë, tu lejohet që popujt me vetëdëshirë të zgjedhin fatin dhe ardhmërinë e tyre, vetë ta krijojnë qetësinë, tu sigurohen kushte për themelimin e të drejtës dhe demokracisë si zgjedhje e popujve.
11. Shprehim falënderim të sinqertë për Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe Kryetarin Gjorgje Ivanov për respektin e treguar ndaj nesh .
12. Liderët në takim, falënderim të veçantë dhe respekt i japin koorganizatorëve Dijanetit të Republikës së Turqisë dhe Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë te veçantë udhëheqësve shpirtërorë për organizimin e këtij takimi dhe krijimin e kushteve për punë të pandërprerë
Shkup, 29 mars 2011
Ivanov dhe Gruevski shtruan drekë dhe darkë për liderët islam
Kryetari i Maqedonisë Gjorgje Ivanov dhe Kryeministri i vendit Nikolla Gruevski me rastin e Takimit të V-të të liderëve të bashkësive fetare islame të Ballkanit shtruan drekë dhe darkë për pjesmarrësit në takim.
“Nga zemra e falënderoj Kryeministrin e Maqedonisë z. Nikolla Gruevski i cili na nderoi me një drekë. Po ashtu pranoj si obligim të falënderoj dhe ti shpreh nderimet e mija ndaj Kryetarit të Maqedonisë z. Gjorgje Ivanov që na nderoj më një darkë”, theksoi kreu i Dijanetit prof. Dr. Mehmet Gormez.
Liderët fetarë njoftuan kreun shtetërorë për qëllimet e takimit si dhe thanë se duke u nisur nga parimet dhe rregullat islame, si në të kaluarën ashtu edhe sot, maksimalisht do të përpiqemi në shoqëritë dhe shtetet ku jetojmë të mbisundojë paqa, toleranca dhe mirëqenia, pa iu nënshtruar çfarë do lloji provokimi.
“Qëllimi primar i yni është që të sigurojmë kushte për jetë të lumtur për vendet dhe popujt tanë. Si pjesëtarë  dhe liderë  të fesë islame, do të përpiqemi për zhvillimin e vetëdijes të njerëzve për bashkëjetesë në paqë dhe mirëqenie për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga përkatësia e tyre racore, fetare apo etnike, madje ashtu siç me shekuj më parë në këto hapsira me sukses e ndërtuam”, theksoi Reis ul Ulema Sulejman ef. Rexhepi.
DSC_9204 DSC_9208 DSC_9211 DSC_9325 DSC_9718 DSC_9742

Comments are closed.