Takim me përfaqësues të qendrave islame të diasporës

Të enjten më 29.07.2021 në lokalet e Medresesë Isa Beu, u pritën veprimtarët tanë të Diasporës, imamë, kryetarë të unioneve, kryetarë të xhamive të ndryshme në Evropë dhe aktivistë të ndryshëm të jetës fetare në diasporë.
Mirëseardhje u dëshiroi Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Drejtori i Medresesë prof. Ibrahim ef. Idrizi, myftinjtë e myftinjve të BFI dhe drejtorë të sektorëve të ndryshme të Rijasetit të BFI
Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai e hapi takimin e qendrave të diasporës i cili u mbajt në Medresenë Isa Beu në Shkup, e me ketë rast foli rreth rëndësisë që kanë këto qendra në organizimin e jetës fetare islame në Perëndim, por edhe për prezantimit të islamit. Ai i cilësoi këto qendra si përfaqësues të islamit ndërsa udhëheqësit e këtyre qendrave si ambasadorë të vendit tonë dhe të islamit në Evropë, të cilët kanë fatin por edhe obligimin me një detyrë shumë të rëndësishme dhe të respektuar, që ta prezantojnë islamin në Evropë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Reisul Ulemaja gjithashtu i falënderoi veprimtarët dhe aktivistët tanë të diasporës që me kontributet e tyre, asnjëherë nuk i harrojnë qendrat edukativo-arsimore të BFI siç janë Medreseja Isa Beu dhe Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup.
Në këtë takim që u moderua nga Drejtori për Diasporë pranë Rijasetit të BFI Dr. Selver ef. Xhemaili, ku ishin prezent përfaqësues të qendrave islame në vendet Perëndimore, kryesisht Evropë, të pranishmit në tubim i përshëndetën: Reshat ef. Ibishi – Kryetar i Bashkësisë Islame të Italisë, Usam ef. Alimi – përfaqësues i ALKIGUT të Austrisë, Halil ef. Dalifi – përfaqësues i Unionit të Bashkësive Islame të Gjermanisë, Mehaz, ef. Alija – Kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Drejtori i Medresesë Isa Beu prof. Ibrahim ef. Idrizi.
Pas shkëmbimit të përvojave dhe diskutimeve të hapura, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, ndau mirënjohje për të gjithë përfaqësuesit e qendrave islame për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e parezervë në organizimin e jetës së mirëfilltë islame. Gjithashtu u ndanë mirënjohje për të gjitha xhamitë të cilat kanë dhuruar Sadakatull Fitrin dhe Zeqatin për institucionet edukativo arsimore të BFI, gjegjësisht për mirëmbajtjen e Medresesë Isa Beu si dhe mirënjohje u shpërndanë edhe për qendrat që kanë bërë tubimin e kurbaneve për nevojat e Medresesë Isa Beu.
Në fund të takimit u shtrua dreka modeste nga mensa e internatit të Medresesë Isa Beu, e cila kishte simboliken e saj dhe ngjalli emocione dhe kujtime të këndshme tek mysafirët prezent, sidomos tek ata që kanë kryer shkollën e mesme në këtë Medrese.

Comments are closed.