Sulmi në Sri Lankë, imazh dhembjeje e trishtimi

Sulmi në Sri Lankë, imazh dhembjeje e trishtimi

Me keqardhje dhe dhembje e morra lajmin e trishtë për sulmet mbi kishat katolike në Sri Lankë, pikërisht në ditën e Pashkëve,në ditën kur besimtarët katolikë tubohen në lutje.
Një akti i këtillë mizorie, pa asnjë dyshim, është pjellë e mendjes së sëmurë të kriminelëve e mercenarëve, terosistëve, pa dallim përkatësie fetare, që synimet e tyre politike nuk dijnë e nuk munden t’i prezantojnë e t’i përhapin në mënyrë të drejtë e civilizuese. Vula e veprimit të tyre është dhuna, sulmi mbi njeriun e pafajshëm dhe sulmi mbi njërëzinë dhe njerëzimin, është sulm mbi mirëkuptimin dhe humanitetin, mbi tolerancën dhe dialogun aq shumë të nevojshëm në këto kohë të vështira.
Ndaj dhembjen me familjet e viktimave të shumta në Sri Lankë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta personale, të BFI dhe të besimtarëve muslimanë në përgjithësi. 
Me këtë rast, Ipeshkvit të Kishës Katolike në Maqedoni, z. Kiro Stojanov e përmes atij edhe tërë kieararkisë së Kishës Katolike dhe besimtarëve katolikë në vend e në botë, ua shpreh solidaritetin dhe ngushëllimin që buron nga humaniteti të cilin feja Islame e ka parim të vetin.
Migjeni, poeti i madh shqiptar, teolog me përgaditje dhe mësues, thoshte: “Hej botë o dreq, më paske lindur të të ndreq…”, duke aluduar se njeriu duhet të drejtojë e të ngadhnjejë mbi botën e dhunës e krimit, mbi të keqen dhe trishtimin. Ngjarjet në Sri Lankë janë dëshmi se e keqja po përpiqet të mbisundojë e të copëtojë botën dhe njerëzimin, por njëkohësisht është edhe alarm dhe apel se njerëzit e mirë duhet të reshtohen bashkërisht në mbrojtjen e jetës të cilën Zoti ka urdhëruar t’a jetojmë duke rrezatuar mirësi e dashuri, jo krime dhe urrejtje.
Ashtu siç e kam gjykuar sulmin mbi xhamitë në Australi, ashtu e gjykoj edhe sulmin mbi kishat katolike në Sri Lankë, me shpresë se mes dy alternativave që i ofronte Migjeni te “ Sokrati i vuejtun apo derr i kënaqun”, njerëzimi do zgjedhë dinjitetin dhe tolerancën, dashurinë dhe mirëkuptimn, karshi arrogancës, dhunës dhe trishtimit.  
Zoti qoftë me të gjithë njerëzit qëllimmirë, të drejtë e të sinqertë.
Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi
Kryetar i BFI -së në RMV

Comments are closed.