Studentët në përkrahje të Reisit
Ardhmëria e çdo vendi, varet nga rinia dhe përgatitja profesionale e kulturore e asaj rinie, shpeshherë të ndërthurur me parakushtet e krijuara nga gjeneratat e vjetra dhe rrugën e trasuar drejt dijes dhe prosperitetit. Në këtë drejtim, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka vendosur themele të shëndosha në përgatitjen e kuadrove të cilët do ta mbajë gjallë islamin dhe fjalën më të dashur të Allahut Fuqiplotë: La ilahe il-lAllah (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut), duke investuar në edukimin e gjeneratave të reja. Aktualisht BFI disponon me Medresenë Isa Beu e cila ka pesë degë të shtrira nëpër qytete të ndryshme (Shkup, Tetovë dhe Gostivar për vajza dhe Shkup e Shtip për djem), si dhe Fakultetin e Shkencave Islame. Mirëmbajtja dhe avancimi i këtyre pishtarëve të dijës, është obligim dhe amanet të cilin BFI e udhëheq me shumë seriozitet dhe mban mbi supet e veta karshi kërkesave dhe nevojave të besimtarëve të këtij nënqielli.
Në këtë frymë, të mërkurën, me datë 17.06.2020, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në dy takime të ndara priti një delegacion të përbërë nga studentë të Fakultetit të Shkencave Islame dhe një delegacion nga studentë tanë që mësojnë në vendet e jashtme.
Në këto takime miqësore me studentët, Reisul Ulema i njoftoi studentët me ndryshimet dhe frymën e re që është vendosur në Institucionin më të vjetër Fetar në vendin tonë, i cili ka mbi 6 shekuj që funksionon në këtë nënqiell, si rezultat i besimit të paluhatur të besimtarëve tanë dhe studentëve që brez pas brezi nëpër shekuj kanë ditur ti përçojnë mësimet e Kuranit Fisnik dhe porositë e Pejgamberit Muhamedit a.s..
Ai i këshilloi studentët që gjithmonë të jenë aktiv në zënien e dijes dhe atë dije ta shpërndajnë dhe përçojnë gjithmonë në shoqërinë ku veprojnë, duke e dhënë kontributin e tyre maksimal, sepse vetëm ashtu do të jenë garanci se ditë më të mira e presin umetin musliman. Jo rastësisht me fjalën “Lexo me Emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi”, Allahu (xh.sh) e ka filluar shpalljen e Kuranit Fisnik në një kohë kur njerëzimi ishte në errësirë të thellë të padijes, injorancës dhe analfabetizmit. Fjala LEXO ishte për t’i treguar njerëzve se rruga e përparimit, e rilindjes, e ngritjes, e fuqisë madje edhe ajo e krenarisë fillon me diturinë, pas të cilës vjen edhe puna dhe vepra.
Në të dy takimet, studentët i përshëndetën ndryshimet e reja dhe frymën e re në BFI. Ata e falënderuan për respektin dhe kohën e përkushtuar duke ia uruar postin e ri Kryetarit të BFI, u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe duke i dëshiruar shëndet dhe sukses në drejtimin dinjitoz të BFI-së.
Comments are closed.