Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai bashkë me Drejtorin e Sektorit për Marrëdhënie me Botën Arabe në Rijasetin e BFI, H. Ismet ef. Ademi, të cilët po qëndrojnë në Kairo, kryeqytetin e Egjiptit për të marrë pjesë në Konferencën e përgjithshme të Këshillit të Lartë për Çështje Fetare Islame, të Premten më 11.02.2022 patën mundësinë që të realizojnë një takim të këndshëm me studentët e Unionit të Studentëve Shqiptarë të Ez’herit në Kairo, të cilët u bënë një pritje shumë të ngrohtë dhe emocionale.
Fillimisht studentët tanë u dëshiruan mirëseardhje në mesin e tyre Kreut të BFI dhe shoqëruesit të tij, të cilët u interesuam për situatën e studentëve në përgjithësi, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen ata gjatë studimeve.
Përshtypjet nga ky takim ishin se studentët tanë janë të lumtur që janë studentë të Universitetit të famshëm të Ez’herit dhe se maksimalisht bëjnë përpjekje të jenë të zellshëm në sjelljen e tyre dhe me vetëdije të lartë të punojnë në studime. U bisedua gjerë e gjatë për punën që bën Bashkësia Fetare Islame me të gjithë faktorët e saj dhe për të gjithë studentët si në vend, poashtu edhe jashtë vendit, në veçanti ndaj studentëve të Ez’herit. Në këtë rast Reisul Ulemaja, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i porositi studentët se: “E ardhmja e bartjes së amanetit të Islamit u takon gjeneratave të reja, pra kërkohet që të profesionalizohen në mënyrën më të mirë”.
Nga ana e tyre, studentët shprehën vullnetin që të jenë sa më afër BFI e RMV, dhe do e vizitojnë në mënyrë të organizuar Institucionin Fetar Islam – BFI.
Reisul Ulemaja poashtu u premtoi studentëve se BFI e RMV do të interesohet maksimalisht për studentët kudo që i ka në botë, në veçanti për ata që kanë nevojë. Ai u shpreh se është i kënaqur dhe shumë i lumtur që studentët tanë kanë formuar edhe Unionin e tyre, që tregon për vetëdijen e tyre të lartë për një organizim sa më të mirë gjatë studimeve të tyre.
Gjatë bisedës u hodh edhe ideja për të bërë një studim mbi Ez’herin, për të analizuar historikun e studentëve dhe numrin e tyre nga Maqedonia e Veriut deri në kohën e sodit si dhe të gjurmojnë traditën e personaliteteve të shquara nga Ballkani, që është një thesar i madh i popullit tonë, e këtë me kënaqësi do ta realizojnë, përfaqësuesit e Unionit të studentëve të Ez’herit: Amir Sinani, Miran Alija, Ardit Mahmudi, Ensar Çajani, Burim Amdiu dhe Ariton Zeqir.
Lusim Allahun Fuqiplotë që studentëve t’ju jep shëndet dhe suksese në jetë.
Comments are closed.