Stevo Pendarovski pret kryetarët e bashkësive fetare

Stevo Pendarovski pret kryetarët e bashkësive fetare

Më 17 dhjetor, 2019, në kabinetin e vet, Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski, ka pritur kryetarët e bashkësive fetare të RMV. Nga Bashkësia Fetare Islame në takim ka marrë pjesë Kryetari i saj, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.
Kishat, bashkësitë fetare dhe grupet religjioze pa dyshim janë një prej bartësve të proceseve shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe garantuesit e llojit të vet për ngritjen e shoqërisë demokratike. Falë kontributit Tuaj, paqja, toleranca dhe respekti janë veçori të shtetit tonë, me të cilat jemi të njohur në botë – thuhet në ftesën nga Kabineti i Presidentit.
Me qëllim shkëmbimin e qëndrimeve dhe përndarjen e mendimeve rreth zhvillimeve aktuale, si dhe të nevojave e të sfidave me të cilat ballafaqoheni, Ju ftoj në takim në kabinetin tim më 17.12.2019 në orën 13.30. Në takim janë ftuar liderët e kishave dhe të bashkësive fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të përmendura përkatësisht në Kushtetutë – shkruan në Ftesë.
Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi i ka paraqitur Kryetarit të Shtetit pasqyrën e zhvillimit të Bashkësisë Fetare Islame, duke i sqaruar që BFI në këto troje është me traditë 600-vjeçare, pjesëtarë të saj janë më shumë bashkësi nacionale – të gjitha njësoj të trajtuara nga institucioni fetar, duke kërkuar nga Presidenti – dhe përmes tij, edhe nga të gjitha institucionet e Shtetit – mirëkuptim dhe solidarizim në punë të mira, të tilla që mund të kontribuojnë në ruajtjen e kohezionit shoqëror dhe në çuarjen përpara të proceseve të anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Takimet e këtilla – është thënë me këtë rast – janë të frytshme dhe ato duhen zhvilluar më tej, për të parë efektet konkrete në vazhdimësi.

Comments are closed.