[:al]Gëzohu me ardhjen e Ramazanit dhe përgatitu për distancim nga mëkatet, shtoji gjërat që afrojnë tek Allahu i madhëruar, bëhu i sinqertë në adhurime.
Shkruan: Llukman Neziri
Na erdhi neve një mysafir i ndershëm, vizitues madhështor, i cili na freskon për çdo vit, një mik të cilit ia kemi borxh respektin.
Pra, ky është muaji Ramazan, për të cilin Muhamedi (Alejhi selam) i përgëzonte shokët e vet me ardhjen e tij duke u thënë: “U erdhi Ramazani, muaji i bereqetit, Allahu ua bëri obligim duhet të agjëroni – në te hapen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit –lidhen djajtë – në të është një natë më e mirë se një mijë muaj (Nata e Kadrit); ai që e ka privuar veten nga këto të mira, do të jetë prej të privuarve.” (Transmeton Nesaiu)
Urime për atë të cilin e arrin ky muaj; është nder për ata të cilët takohen me të.
Thotë Ibn Rexhepi: “Si mos të gëzohet besimtari për hapjen e Xhenetit, si mos të përgëzohet ai mëkatar të cilit i mbyllen dyert e Xhehenemit, si mos të përgëzohet ai i mençuri për kohën gjatë të cilit muaj djajtë janë të pranguar e nuk ka kush që e pengon në adhurim.”
Zot, bëje agjërimin shëndet për ne
Të parët tanë kanë treguar mbi vlerën e Ramazanit, e prisnin me padurim, kërkonin nga Allahu që t`u zgjatet jeta deri në sezonin tjetër të Ramazanit e të përfitojnë nga mirësitë e tij.
Njëri nga dijetarët e mëhershëm ka thënë: “E lusnim Allahun gjashtë muaj që ta arrijmë Ramazanin – pastaj luteshim gjashtë muaj që të na e pranonte Allahu këtë adhurim.”
Jahja ibn Kethirë thoshte: “O Zot, më bëj të shëndoshë në Ramazan, kurse agjërimin bëje shëndet për ne, e bëre të pranuar nga ne.”
Ibn Rexhepi thotë: “Arritja e Ramazanit dhe agjërimi i tij është mirësi e madhe për atë që ka mundësi.”
Për këtë na argumentohet hadithi i atyre tre njerëzve, nga të cilët dy ranë shehid (vdiqën), ndërsa i treti prej atyre vdiq në shtrat të vet. Pas tyre njëri prej njerëzve pa në ëndërr Pejgamberin (Alejhi selam), i cili thoshte: “A nuk është ai (i treti) i cili u fal pas tyre (shokëve të vet) disa e disa namaze dhe arriti Ramazane, e agjëroi – Pasha Atë të cilin çka shpirti im është në duar të Tij, dallimi i tyre është më larg se sa qielli dhe toka.” (Sahih Ibn Maxheh)
Nga dhuntia e Allahut ndaj teje dhe mirësia e Tij është që ta zgjati jetën ty, derisa të përfitosh nga mirësitë e Ramazanit.
Allahu i madhërishëm në Kuranin famëlartë thotë: “Thuaj: Mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t`i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus: 58)
Gëzohu me ardhjen e Ramazanit dhe përgatitu për distancim nga mëkatet, shtoji gjërat që afrojnë tek Allahu i madhëruar, bëhu i sinqertë në adhurime.
Sa e sa njeriun e ka privuar nga Ramazani sëmundja, sa e sa pritësin e Ramazanit e ka kapur vdekja e nuk pati fatin ta presë atë.
Për çdo gjysmë sekonde në gjithë botën vdes nga një njeri, d.m.th. në çdo gjysmë ore vdesin nga 3.600 njerëz; në çdo minutë vdes nga një grua për shkak të shtatzënisë apo lindjes.
Ramazani është një rast i mirë që të shfrytëzohet, të shumëzohen veprat e mira, të pakësohen mëkatet, pasi që edhe djajtë janë të prangosur, ata që dërgojnë në vepra të këqija.
Kush mëshiron në këtë muaj, ai do të mëshirohet; kush privon, do të privohet.
Ai i cili nuk shton veprat e veta të mira për botën e ardhshme, ai do të ngel një mëkatar i dështuar.
Nga Ebu Hurejra (Radiallahu anhu) transmetohet: “Pejgamberi (Alejhi selam) njëherë hipi në mimber e tha: Amin, Amin, Amin. I është thënë: O i dërguar i Allahut, ti hipe në mimber e the: Amin, Amin, Amin. Është përgjigjur: Me të vërtetë, Xhibrili (Alejhi selam) erdhi e më tha: Kush e arrin Ramazanin dhe nuk i falen mëkatet, Allahu e largoftë (nga mëshira e Tij) e thashë: Amin; kush i ka prindërit e vet apo njërin nga ata (e nuk i respekton), do të hyjë në zjarr, Allahu e largoftë (nga mëshira e Tij) e thashë: Amin; dhe tek ai cili përmendesh e nuk të përshëndet, Allahu e largoftë (nga mëshira e Tij) e thashë: Amin.”
Mirësitë e Ramazanit
Është muaji i Kuranit fisnik. Allahu thotë: Muaji i Ramazanit, gjatë të cilit (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).
Për këtë Ibn Kethiri thotë: Allahu ka lavdëruar muajin e agjërimit nga gjithë muajt e tjerë, saqë e ka zgjedhur dhe zbritur Kuranin në këtë muaj .
Muaji i shlyerjes apo djegies së mëkateve. Pejgamberi (Alejhi Selam) thotë: Kush e agjëron Ramazanin me bindje dhe shpresë, atij i falen mëkatet e mëhershme (Mutefekun Alejhi). D.m.th. Ramazani është shlyerës i mëkateve, largim nga të këqijat.
Pejgamberi (Alejhi Selam) thotë: Pesë kohë namaze – xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan – janë shlyerëse të mëkateve nëse iu është larguar mëkateve të mëdha.
(Transmeton Imam Muslimi)
Imam Kurtubiu thotë: Ramazani e ka marrë këtë emër, sepse ai djeg dhe i shlyen mëkatet.
Ramazani është largim nga zjarri. Për këtë Muhamedi (Alejhi Selam) thotë: Allahu amniston nga zjarri çdo natë e ditë; çdokush është pjesëmarrës në këtë, përderisa ai merr pjesë në lutjet pranuese.
Ndërkaq, në një tjetër hadith Muhamedi (Alejhi Selam) thotë: Allahu amniston në çdo kohë të iftarit njerëz nga zjarri i xhehenemit; këtë e përsërit çdo natë.
Ushtrim në sinqeritet dhe largim nga çdo dukë: Allahu i madhërishëm në një hadith Kudsij thotë: E lë ushqimin, pijen, epshin për shkak Meje. Agjërimi është Imi dhe Unë shpërblej për të – e mira shpërblehet me dhjetë. (Transmeton Buhariu)
Kuptimi i fjalës “agjërimi është Imi”, d.m.th. sekret mes robit dhe Krijuesit.
Këtu nuk mund të hyjë sy e faqja dhe se nuk mund të krahasohet me ndonjë adhurim tjetër në ditën e gjykimit.
Muhamedi (Alejhi Selam) thotë: Çdo vepër ka shpagimin e vet, veçse agjërimi është i Zotit dhe vetëm Ai e di si të shpërblejë. (Buhariu)
Një dijetar nga gjeneratat e më hershme, me emrin Sufjan El-Ujejneh, thotë: Ky është ndër hadithet më bujarë dhe më me urtësi, për shkak se në ditën e gjykimit kur t`i llogarit Allahu robërit e vet, shpaguhen të gjitha veprat e bëra, ngel veç agjërimi. Allahu ia fal mëkatet e ngelura me agjërimin dhe e shpie në xhenet.
Atëherë, mos u habit nga ky njeri i devotshëm me emrin Davud, i biri Hindit, i cili agjëroi dyzet vite; nuk e hetuan për këtë agjërim as familja, as shokët e tij në treg: ushqimin e bartte me vete dhe e jepte lëmoshë. Familja e vet mendonin se e ka ngrënë në punë ushqimin, ndërsa shokët e tregut mendonin se e ka ngrënë ushqimin në shtëpi. Dhe, kështu, vazhdoi dyzet vite pa mos e hetuar askush për këtë adhurim madhështor.
Nga kjo na ngel të kuptojmë se muaji i Ramazanit duhet të pritet në këtë formë: me pendim, me teube, që të na mundësohet pastrimi i zemrave tona nga mbulimi i gjynaheve, qofshin ato mëkate ndaj Krijuesit apo krijesave.
Me agjërim para Ramazanit që të ushtrojmë veten që të jemi të përgatitur kur të na vijë Ramazani, sidomos ditëve të hëna e të enjteve etj.
Me lexim të Kuranit, apo mësimin e leximit të tij, pasi që në këtë muaj është rasti më i mirë që të mësohemi të lexuarit e tij.
Me lutje, që ta lusim Allahun e madhërishëm sa më shumë në këtë muaj.
Mbjellje e gëzim në zemrat tona dhe të besimtarëve me rastin e ardhjes së këtij muaji.
Lexim dhe studim rreth çështjeve të agjërimit, që të jemi sa më afër së vërtetës.
Përgatitja e një plan-programi, që sa më pak punë fizike e sa më shumë adhurime në këtë muaj.
O Zot, na e mundëso ta arrijmë Ramazanin![:]
Comments are closed.