Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Shkup: Medreseja Isa Beu shënon 35-vjetorin

Shkup: Medreseja Isa Beu shënon 35-vjetorin

Me një tryezë shkencore dhe me dorëzimin e çmimeve për nxënësit më të mirë, më 15 tetor, 2019, Medreseja Isa Beu e Shkupit ka shënuar 35-vjetorin e vet. Kanë folur: Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, drejtori prof. Ibrahim Idrizi dhe prof. Jusuf Zimeri, përgjegjës i Sektorit për Çështje Fetare-Arsimore në kuadër të BFI-së.
Vetë shpallja hyjnore na tregon për rëndësinë e arsimit, të dijes, të leximit, të aftësimit profesional, të ngritjes intelektuale, pa të cilat nuk do të kishte as fe sagllam – tha në fillim Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi. Qëllimi i kësaj shkolle, i kësaj vatre arsimore, është që ta zhvillojë Islamin burimor dhe këtë e ka bërë me sukses qe 35 vjet. Ne jemi popull autokton në këtë nënqiell, te ne Islami është shekullor dhe qe 600 vjet po e çojmë atë përpara, kështu që zhvillimin e Islamit e bëjmë me mendtë tona, jo me mendtë e huaja. Ne jemi institucion shumë i fuqishëm dhe hovin tonë s’mund të na e ndalë askush – tha ai.
Kryetari i BFI-së me këtë rast përndau një lajm të mirë me të pranishmit: Nga viti i ardhshëm, tha ai, shpresojmë, ishallah, që Medreseja Isa Beu të marrë titullin e shkollës publike të BFI-së të rangut të gjimnazit dhe nxënësit e saj të jenë të barabartë me të tjerët, por pa e prekur autonominë tonë. Në këtë drejtim ai bërë të ditur që dy komisionet – i Ministrisë së Arsimit dhe i BFI – janë duke punuar dhe se në këtë drejtim së shpejti priten rezultate konkrete.
Drejtori i shkollës, prof. Ibrahim Idrizi, tha se Medreseja Isa Beu ka qenë dhe mbetet shkollë e traditës së shkëlqyer, e cila me shekuj me radhë, në veçanti në këto 35 vjet, prej kur u bë rihapja e saj nga BFI, ka rrezatuar dritën e të vërtetës islame, që ajo të depërtojë në çdo familje dhe më gjerë në shoqëri. Ajo ka arritur suksese të pamohueshme në kultivimin dhe ndërtimin e vlerave fetare, shkencore etj. te gjeneratat e reja dhe ka bërë vetëdijesimin dhe afirmimin e popullatës myslimane në këto treva.
Shikuar historikisht, pavarësisht rrjedhave historike që e kanë përcjellë këtë vend – tha në vazhdim drejtori prof. Ibrahim Idrizi – Medreseja Isa Beu brenda 35 viteve ka luajtur një rol të rëndësishëm të mbjelljes së idesë islame dhe të kulturës së saj te gjeneratat e reja në këto troje. Sot Medreseja shënon një etapë të re në themelimin dhe zhvillimin e konceptit islam dhe të atij shkencor në këto troje e më gjerë, tha ai.
Medreseja Isa Beu – tha prof. Jusuf Zimeri – i ka dhënë kuptim jetës së myslimanit në këto treva. Është një institucion i cili flet edhe kur hesht. Hapja e saj dëshmoi se ne sy myslimanë jemi këtu, ndërsa të gjitha të arriturat e gjertanishme duhet të jenë nxitje për rritjen e cilësisë. Në të njëjtën kohë, ai paraqiti edhe propozimin e vet për themelimin, në të ardhmen, edhe të dy institucioneve shumë të rëndësishme islame: të studimit të Fikhut dhe të studimit të Hadithit, krahas instituteve të Hivzit, dy prej të cilave tashmë janë hapur etj.
Në vazhdim, me rastin e këtij përvjetori, për nxënësit fitues u ndanë edhe çmimet, varësisht nga lloji i garës. Kështu, vendin e parë për Hivz, në kategorinë e parë, e ka zënë Hamza Neziri, ish-nxënës i Medresesë; vendin e dytë, Elvira Halimi – Paralelja e Shtrirë e Vajzave Tetovë: vendin e tretë, Burhan Hamdiu, MIB-Qendër. Në kategorinë e dytë: 1. Sumeja Ismaili, Tetovë; 2. Sumeja Ademi, Shkup, Paralelja e Vajzave; 3. Anisa Demiri, Tetovë. Në kategorinë e tretë të Hivzit: 1. Bejan Baki, Qendër; 2. Amra Saliu, Shkup, Paralelja e Vajzave; 3. Semire Seferi, Tetovë, Paralelja e Vajzave.
Për ese: vendin e parë Semra Musliu, Paralelja e Vajzave Gostivar; vendin e dytë Shpresa Limani, Shkup dhe vendin e tretë Enisa Emini, Gostivar. Nga katër grupet e kuizit të diturisë, grupi më i mirë ka dalë Paralelja e Vajzave Tetovë.
Për punë dore: në vendin e parë, Paralelja e vajzave Gostivar; në vendin e dytë, Paralelja e Vajzave Shkup dhe në vendin e tretë, Paralelja e Vajzave Gostivar. Për “mjeshtëri artistike”: 1. Paralelja e Vajzave Shkup; 2. Paralelja e Vajzave Tetovë. Në “punimet e dorës” janë ndarë edhe mirënjohje inkurajuese.
Me rastin e 35-vjetorit, në Medresenë Isa Beu ka pasur edhe gara në futboll, me ç’rast vendin e parë e kanë zënë nxënësit e klasës IV-a, ndërsa vendin e dytë nxënësit e klasë 3-a.
Në fund, në shenjë mirënjohjeje për gjithë çka ka bërë për zhvillimin e Medresesë Isa Beu, por dhe për kontributin në tërësi në BFI, në të gjitha degët e saj, sidomos në arsim, Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, nga Medreseja Isa Beu iu dorëzua punimi më i mirë i Paraleles së Vajzave nga Shkupi – Kurani i hapur i stilizuar, me tekstin shqip përfundi “35-vjetori”.

Merr përditësime në kohë reale në pajisjen tënde, Abonohu tani.

Ju gjithashtu mund të lexoni