SHËNOHET HISTORIA E RE E QAFËS DHE BANORËVE TË SAJ

Qafa – fshati ku toka e prek qiellin, aty prej ku edhe malet të duken shumë të vegjël, aty ku dikur ishte kufiri i Vilajetit të Kosovës dhe Vilajetit të Manastirit, aty ku historia shpesh herë shkruhej mes lotëve dhe gjakut, aty ku Sulltana, vajza 17 vjeçe tregoi heroizmin e vërtetë të femrës shqiptare, aty ku Gostivari bashkohet me Kërçovën, aty prej ku duket Pollogu e Uskana si në pëllëmbë të dorës, e ku fluturimi i shqiponjës mbi shkrepat e lartë të kthen në kohë, ku aroma e luleve dhe bimësisë të malit të jep kënaqësinë e mbushur plot me kujtime, ndërsa peizazhi piktoresk të mrekullon nga do që ta kthesh kokën. Një bukuri e rrallë që mund ta krijojë vetëm i Madhi Zot, tanimë ka edhe margaritarin e vet, simbolin e vet që dëshmon se banorët e këtij vendi, nuk u mposhtën kurrë, por i bënë rezistencë çdo sfide, çdo furtune që sillte koha, duke e mbajtur të palëkundur imanin në Allahun Fuqiplotë.
Andaj, të Premten më 30.07.2021, në prezencë të shumë besimtarëve e mysafirëve nga vendi e nga jashtë, u inaugurua Xhamia e Re, një margaritar i shumë pritur në këtë vend.
Nën organizimin e përbashkët të Myftinisë së Gostivarit dhe Myftinisë së Kërçovës, u mbajt një program fetaro-kulturor, në të cilin pjesëmarrës ishin figurat më eminente të Bashkësisë Fetare Islame, duke u prirë nga Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i shoqëruar nga Myftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, dy nikoqirët Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli dhe Myftiu i Kërçovës, Mr. Qamil ef. Rushiti, Kryetari i Kuvendit të BFI H. Fejsall ef. Kadriu, Drejtori i Sektorit për Arsim dhe Shkencë i Rijasetit të BFI Prof. Jusuf ef. Zimeri, Drejtori i Agjencisë për Hallall Standard H. Muhamer ef. Veseli, Drejtori i Sektorit për Kulturë Mr. Musanif ef. Rufati, përfaqësues të qendrave islame në diasporë, referentët e myftinive organizatore të manifestimit, imamë e hoxhallarë, përfaqësues të spektrit politik në vend, afaristë, intelektualë e mysafirë.
Programi u hap me një ashere nga Arben ef. Emini, student, ndërsa udhëheqjen e programit e bëri H. Mallzim ef. Zendeli.
Në emër të Këshillit Iniciativë të Xhamisë dhe besimtarëve, z. Faik Jusufi, nënkryetar i Këshillit Iniciativë, i përshëndeti të pranishmit duke ju dëshiruar mirëseardhje në këtë eveniment. Ai bëri një prezantim të shkurtër, me ç’rast referoi rreth gjithë ecurisë së punëve dhe harxhimeve që janë bërë deri në përfundim të xhamisë.
Si nikoqir i kësaj ngjarje, fjalë përshëndetëse pati Myftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, i cili vlerësoi lartë këtë vepër madhore që hyn në analet e historisë që nga dita e sodit. Gjithashtu, si bashkë organizator fjalë përshëndetëse pati edhe Myftiu i Kërçovës, Mr. Qamil ef. Rushiti i cili falënderoi banorët e Qafës që në afërsi të kësaj Myftinie i falën edhe një bukuri të rrallë kësaj ane.
Të pranishmit u përshëndetën edhe nga përfaqësuesit e qendrave islame në diasporë: Mr. Ferit ef. Zeqiri – imam në Regenzdorf të Zvicërs, Mr. Reshat ef. Ibishi- Kryetar i Unionit të Bashkësive Islame në Itali dhe imam në Mantova të Italisë si dhe z. Rushan ef. Bajrami nga Komuniteti Musliman i Shqiptarëve në Austri.
Mysafir special në këtë ngjarje ishte edhe Egzon Ibrahimi i cili këndoi ilahi enkas për këtë eveniment, ku me zërin e tij të mrekullueshëm i mahniti të pranishmit.
Fjalimin kryesor në këtë manifestim e pati Kryetari i BFI e RMV Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili të pranishmëve iu përcolli urime të përzemërta dhe përshëndetje të sinqerta, ku përmes emocioneve dhe fjalëve tregoi historikun e ndërtimit të kësaj shtëpie të Zotit në tokë, e ndërtuar sot dhe e ngelur për jetë e mot. Ai kujtoi edhe ata që sot nuk janë më në mesin tonë, por kontribuuan aq shumë në ndërtimin e kësaj xhamie.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë mund të ndiqni në linkun: https://www.facebook.com/bfinmk/videos/532917478040961
Pasiqë u bë duaja nga Kryetari i Kuvendit të BFI, H. Fejsall ef. Kadriu, u bë prerja e shiritit të kuq me tekbire.
Në hutben e xhumasë ligjëroi Muftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, ndërkaq namazit të xhumasë i priu imam vetë Reisul Ulemaja.
Tubimi përfundoi me drekën solemne enkas për këtë rast me vlerë të veçantë.

Comments are closed.