SEKRETARI GJENERAL I “RABITAS” U PRIT NGA KRYETARI I KUVENDIT
Sekretari Gjeneral i Ligës Botërore Islame, shkëlqesia e tij, dr. Muhammed Abdulkerim El-Isa, sot, 12 gusht 2021, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai u prit në Kuvendin e Republikës nga Kryetari i Kuvendit, Dr. Talat Xhaferi.
Takimi u hap nga Kryetari i Kuvendit të RMV, i cili, pasi i uroi mirëseardhje mysafirit, theksoi se Liga Botërore Islame përfaqëson një organizatë shumë të rëndësishme në nivel botëror, anëtare të aleancave të ndryshme në Kombet e Bashkuara dhe bashkëpunëtore të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, fakt ky që i shton vlerën takimit me shkëlqesinë e tij Dr. El-Isa.
Pasi e njoftoi me përkushtimin që Kuvendi ka në promovimin e paqes dhe tolerancës në vendin tonë, Dr. Talat Xhaferi shtoi se Maqedonia e Veriut është një vend anëtar në Nato dhe që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Sekretari Gjeneral i Ligës Botërore Islame Dr. Muhammed Abdulkerim El-Isa, pasi shprehu kënaqësinë e tij të madhe për vizitën që i bën Maqedonisë së Veriut dhe falënderoi Kryetarin e Kuvendit për mikpritjen e nivelit të lartë, e njoftoi atë me qëllimet madhore që organizata botërore që ai përfaqëson i ka vënë vetes. Ndër të tjera, ai theksoi se Liga Botërore Islame qëllim parësor të vetin ka sqarimin e vlerave islame burimore, tradicionale, që përfaqësojnë njerëzoren, humanen, solidaritetin dhe bashkëjetesën.
Po ashtu, ai shprehu vlerësimin e lartë për modelin shembullor të bashkëjetesës që ka gjetur në vendin tonë dhe premtoi, siç tha ai, se do lobojë në të gjitha instancat ndërkombëtare për afirmimin e këtij modeli dhe integrimin sa më të shpejtë të RMV në Bashkimin Evropian.
Kryetari Xhaferi theksoi gjithashtu se si shtet jemi përkushtuar në bashkëpunimin dhe aktivitetet në drejtim të ndalimit të të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që sjellin deri në terrorizëm dhe i dënojmë ashpër. Kjo është sfidë globale, tha ai, e cila mund të tejkalohet vetem me përpjekje dhe mbështetje të përbashkët për identifikimin dhe çrrënjosjen e arsyeve bazë, me investim në arsim, integrim dhe dhënien e mundësive rinisë.
Next Post
Comments are closed.