Rrëfimet kuranore dhe urtësia e përmendjes së tyre

143

selver
Rrëfimet kuranore dhe urtësia e përmendjes së tyre

Kurani gjatë përcjelljes së rrëfimeve të tij nuk synon hulumtimin e fytyrës së brendshme të ngjarjeve historike, nuk ka për qëllim të konstatojë formën e zhvillimit të asaj ngjarje në histori. Pra nuk është natyra/puna e Kuranit të ndjekë apo të kërkojë përgjigjet e pyetjeve çka, si, ku, kurrë dhe kush? Mu për këtë arsye, Kurani nuk jep asnjë datë apo vit për rrëfimet që përcjell

Nga Dr. Selver Xhemaili

Duke lexuar dhe analizuar rrëfimet kuranore, asnjëherë nuk duhet të harrojmë e të anashkalojmë një fakt të pamohueshëm: Kurani nuk është një libër historie, apo një libër gjeografie, nuk është as ndonjë punim apo udhëpërshkrim që ka dalë në shesh nga lapsi i ndonjë udhëpërshkruesi. Nuk është histori kronikash, prandaj është qëndrim i gabuar i bashkëbiseduesit/lexuesit që të pres ndonjë renditje kronologjike të rrëfimeve të tij. Por, krejt e kundërta e këtyre, Kurani është një libër udhëzimi, udhërrëfimi i rrugës drejt Zotit të madhërishëm, andaj edhe më tepër përqendrohet në realitetin, hakikatin, këshillën, rrugën dhe orientimin që do t’i afrojë bashkëbiseduesit.
Kurani tërheq vëmendjen mbi thelbin e ndodhive. Ai nuk u jep shumë rëndësi elementeve të kohës dhe të vendit, si dhe emrave të tyre. Sepse, hyrja në hollësi që nuk i shërbejnë qëllimit për të marrë shembull prej ndodhive, e mbyt çështjen mes hollësirave; për rrjedhojë, duke e ngarkuar idenë që duhet të dalë, e bën të vështirë për t’u kuptuar.
Kurani merr nga ndodhia që përcjell vetëm atë pjesë që përmban qëllimin për të cilin e merr si shembull. Meqë i jep rëndësi nënvizimit të qëllimit fetar të ndodhisë në fjalë, Kurani e rrëfen ndodhinë nga kreu, nga mesi ose fundi, pa marrë parasysh rrjedhën historike. Kurani nuk e lë lexuesin të humbë mes ndodhive të rrëfimit, mes radhëve të rrëfimit ai ka “spërkatur” analogji dhe udhëzime fetare që i japin blerim klimës së zemrës.
Prandaj, Kurani gjatë përcjelljes së rrëfimeve të tij, nuk synon hulumtimin e fytyrës së brendshme të ngjarjeve historike, nuk ka për qëllim të konstatojë formën e zhvillimit të asaj ngjarje në histori. Pra, nuk është natyra/puna e Kuranit të ndjekë apo të kërkoj përgjigjet e pyetjeve çka, si, ku, kurrë, dhe kush? Mu për këtë arsye Kurani nuk jepe asnjë datë apo vite për rrëfimet që përcjell. Nuk interesohet fare për identitetin historik të personazhit apo heroit që përmendet në rrëfim. Në të shumtën e rasteve edhe nuk flet fare për emrat personal. Për shembull, flet për faraonin, megjithatë ne nuk mundë ta kuptojmë që ky emër me cilin emër të përveçëm është ekuivalent. Flet për As’habi Kehf (Banorët e Shpellës), por nuk jep emra të përveçëm. Flet për bijtë e Ademit (a. s.), por emrat e tyre nuk i përmend. Flet për gruan e Ademit (a. s.), por emrin e saj nuk e përmend fare. Gjerësisht bën fjalë për të birin e Nuhit (a. s.), por emrin e tij nuk e thekson. Për mbretëreshën e cila për hir të besimit, nën tortura të rrepta e jep shpirtin, e përmend si gruaja e faraonit por, nuk e quan Asije.
Shpeshherë përdor simbole, saqë nuk kemi mundësi ta dallojmë a bëhet fjalë për personalitet simbolik apo për personalitet historik. Për shembull, përmend “Dhulkarnejnin”, por nën këtë koncept a thua vallë aludon në “personin që ka përdorur kurorë dy brirësh”, apo është një alegori që tregon se në personalitetin e këtij sundimtari janë bashkuar urtësia dhe ligji/sundimi. Gjithashtu, e përmend dhe Ebu Lehebin. Megjithatë. ne e dimë që personi për të cilin bëhet fjalë nuk e ka pasur as emrin personal të tillë, po as edhe llagapin. Fakti që Kurani e quan Ebu Leheb (Baba i Flakës, i zjarrit) është një emër nënkuptues (kinaje), duke aluduar në një jetë e cila vazhdimisht e preferon xhehenemin. Emri personal i tij është Abdyluzza. Dhe, me këtë qëndrim Kurani sikur na thotë se emri të këqijve nuk vlen gjë, nuk ka nevojë të përmendet.
Pra, Kurani nuk bën fjalë për emrat, por përqendrohet në kornizat e qëndrimeve dhe sjelljeve. A nuk është e vërtetë që Ebu Lehebi ka vdekur, por ebulehebizmi vazhdon akoma sot e kësaj dite të jetë më se aktiv. Faraoni ka vdekur, por ama faraonizmi vazhdon jetën. Prandaj Kurani nëpërmjet rrëfimeve të tij që “heronjtë” e ngjarjeve janë personazhet e këtilla, bashkëbiseduesit nuk synon t’ia shpjegojë Ebu Lehebin, apo Faraonin, por ka për qëllim t’i tregojë realitetin e ebulehebizmit dhe faraonizmit. Ndonëse prototipi i tyre është duke u ripërsëritur edhe në shoqëritë bashkëkohore.
Kurani famëmadh përpos emrave të pejgamberëve, zakonisht edhe emrat e të mirëve nuk i thekson. Edhe ata i përmend si personalitete simbole të mirësisë. Nuk është me rëndësi se në cilën periudhë keni jetuar, por me rëndësi është se si keni jetuar dhe gjurmët e kujt i keni ndjekur. Parafytyrimi i fituar nga rrëfimet kuranore e ndërton mendjen, personalitetin njerëzor dhe jetën në përgjithësi. Rrëfimet kuranore bashkëbiseduesit i mundësojnë të ndërtojë një mendje me kapacitete vlerësuese dhe dalluese të së mirës nga e keqja, të së vërtetës nga gënjeshtra; të dallojë besimtarët nga jo besimtarët, të mirët nga të këqijtë, të padrejtët (zullumqarët) nga të shtypurit. Mu për këtë arsye Kurani në vend se të merret me pyetjen “cili, kush, është”, më tepër shtjellon pyetjen “cili, përballë hakikatit/të vërtetës hyjnore, ku qëndron”. Madje, nëpërmjet rrëfimeve na këshillon që edhe ne të analizojmë veten ku qëndrojmë përballë hakikatit hyjnor.
Në rrëfimin e Ademit (a. s.) dhe Iblisit i gjejmë dy personazhe që përfaqësojnë dy koncepte të ndryshme. E kemi Ademin (a. s.), si simbol të njerëzisë apo të qenët njeri dhe Iblisin që e mbron mëkatin e tij, si simbol i së keqes dhe i shndërrimit/bërjes së tij shejtan. Në këtë rrëfim, nëpërmjet figurës së Ademit (a. s.) dhe Iblisit shtjellohet tema e njohjes ose pranimit të gabimit dhe nga ana tjetër, e mbrojtjes apo këmbënguljes në gabim. Urtësia dhe mesazhi janë shumë të qarta. Në këtë rrëfim qenia njerëzore përshkruhet si qenie që mund të gabojë dhe Allahu madhëriplotë nuk pret nga njerëzit qenie të pagabueshme me natyrë engjëllore. Ngase, përderisa në xhenetin e përkohshëm të Ademit (a. s.) ka dru/pemë të sprovimit e testimit, jeta në këtë botë (Dynja), që nuk është xhenet, fund e krye është e mbushur me lisa/pemë të provimeve, sprovave e testimeve të ndryshme. Në këtë rrëfim Ademi (a. s.) përfaqëson njerëzinë në përgjithësi, kurse pema e ndaluar janë kufijtë të cilët Zoti i madhërishëm i ka venduar për njeriun, ndërsa shejtani përfaqëson ndjenjat, arsyet dhe motivet mashtruese. Sihariqi që jepet në këtë rrëfim është se porta/dera e pendesës vazhdimisht është e hapur. Meqë Allahu madhëriplotë nuk pret nga njeriu ndonjë qenie që nuk gabon asnjëherë, ajo që pret Ai është që njeriu të pranojë gabimin dhe t’i drejtohet Atij me kërkim të faljes.
Në mesin e rrëfimeve të para që janë shpallur në Kuranin Fisnik është rrëfimi mbi Pejgamberin Nuh (a. s.) dhe ngjarjen e Tufanit. Nëpërmjet këtij rrëfimi edhe bashkëbiseduesit të parë të Kuranit, që është Muhammedi (a. s.) edhe atij të fundit, që është çdo lexues i Kuranit, i jepet ky mesazh: Në vendin ku ka Tugjan (rebelim ndaj urdhrave hyjnore) nuk mund të paramendohet të mos ketë Tufan (katastrofa). Pra, në qoftë se në një vend apo kohë ka Tugjan-prishje dhe shkatërrim të mesazhit hyjnor, aty pritni Tufanin-katastrofën. Por, për besimtarët Tufani shndërrohet në mëshirë dhe në shpëtim (ndonëse ata që besuan duke hipur në Anijen e Nuhit a. s. shpëtuan), ndërsa për mohuesit e realitetit hyjnor, për rebeluesit ndaj urdhëresave të Zotit fuqiplotë ishte një katastrofë. Popujt, shoqëritë femohuese dhe rebeluese ndaj hyjnores arrijnë deri në atë shkallë të paturpësisë, saqë në fund i janë drejtuar Pejgamberit të kohës së vet: “Ata thanë: “O Nuh, ti na kundërshtove ne, madje e zgjate kundërshtimin. Le të na godasë ajo me çfarë na kërcënon, nëse thua të vërtetën!” (11/32).
Pikërisht kjo është pika e fundit që mund të nxë gota. Meqë kjo shoqëri rebeluese me vullnet të lirë, me dëshirën e lirë të tyre e kishin zgjedhur mohimin dhe rebelimin ndaj urdhëresave hyjnore. Atë që i njeh fshehtësitë e zemrave, Allahu i gjithëdijshëm nëpërmjet shpalljes e informon Nuhin (a. s.), duke i thënë “…Nga populli yt askush nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata! (11/36). Dhe, pas kësaj situate, e porosit Nuhin (a. s.) të ndërtojë Anije. Dhe, ajo që është mjaft interesante në këtë rrëfim, shpallja hyjnore (Vahji), që është mësimdhënëse për të gjitha kohërat dhe vendet, e urdhëron Nuhin (a. s.) të ndërtojë anije në tokë, pa pasur fare ujë apo det. Dhe, normalisht pranë një situate të këtillë, populli mohues i mesazhit hyjnor në këtë rast merr guximin dhe të tallet me Pejgamberin e Zotit. “Ai nisi të ndërtonte anijen. Sa herë që kalonte pranë tij paria e popullit të tij, e përqeshte. Ai u tha: “Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu si po talleni ju dhe, së shpejti, me siguri, do ta merrni vesh se cilin do ta gjejë dënimi poshtërues dhe mbi cilin do të bie dënimi i përhershëm.” (11/38,39) Por, nëpërmjet këtij rrëfimi, mesazhi që i jepet Muhamedit (a. s.) dhe besimtarëve në përgjithësi është shumë i qartë: Ti ndërtoje anijen në tokë! Nëse ka nevojë për dete, pronari i ujërave të sjellë detin pranë këmbëve. Në këtë rrëfim thirrja e Nuhit (a. s.) që njerëzit të hipin në anijen e shpëtimit, do të thotë thirrja e tij të pranojnë besimin. Pra, ti ndërtoje besimin, moralin, hyjnoren, njerëzoren, pavarësisht rrethit e mjedisit ku je – rrugëdalja vjen nga Zoti i madhërishëm.
Po ta analizojmë pak “rrëfimin më të bukur” (Ahsenul Kasas), ku personazh kryesor është Pejgamberi i Allahut, Jusufi (a. s.), të rikujtomë pak rrugëtimin e jetës së tij, e cila është përplot mesazhe që ju drejtohen të gjitha kohërave. Jusufi (a. s.) lindi në një familje pejgamberi. Që herët ngeli jetim, meqë i ndërroi jetë e ëma. I prekur nga zilia e vëllezërve dhe, për pasojë, është hedhur në pus. I shitur si rob. I burgosur, për shkak të shpifjeve dhe, përfundimisht, udhëheqës i Egjiptit. Po të lexohet me vëmendje ky rrëfim kuranor, sikur i jep përgjigje pyetjes: “Çka mund të arrijë një person?” Dhe, ajo që kuptohet si përgjigje: një person me iman/besim, me sinqeritet, dituri, vlera, ndershmëri, përpjekje, durim, qëndrueshmëri dhe që është kompetent, mund të udhëzojë një shoqëri të tërë. Nëpërmjet këtij rrëfimi bashkëbiseduesit të parë të Kuranit (Muhamedit a. s.), pas të gjitha atyre sfidave dhe pengesave, i përkujton dhe i paralajmëron një përfundim ngadhënjyes, njashtu siç ishte ngjarja edhe me Jusufin (a. s.). Prandaj, i dërguari i Allahut (a. s.) me rastin e çlirimit të Mekës atyre që i kishin bërë shpifje dhe e kishin luftuar për disa vjet me radhë, iu drejtua: “Unë sot do t’ju them sikur Jusufi (a. s.) që iu tha vëllezërve të vet: shkoni në shtëpitë tuaja, jeni të lirë, askush nuk ju nget.”
Ky rrëfim është i mbushur përplot me simbole mësimdhënëse. Simboli më i veçantë është këmisha e Jusufit (a. s.). Herën e parë këmisha e përgjakur e Jusufit u përdor si dëshmi e rrejshme, kinse Jusufin e ka ngrënë ujku. Por, ajo dëshmoi të kundërtën, për shkak se nga personi që është rrëmbyer nga ujku nuk ka mundësi të ngelet këmisha! Herën e dytë, përsëri këmisha e dëshmoi të vërtetën dhe nxori në shesh shpifjen e Zelihasë. Ndonëse këmisha ishte e grisur prapa në shpinë, edhe në këtë mënyrë e dëshmoi pafajësinë e Jusufit (a. s.). Dhe, herën e tretë këmisha të cilën ia dërgoi babait, Jakubit (a. s.), vërtetoi mendimin e tij se Jusufi (a. s.) akoma është gjallë, po njëkohësisht ia riktheu shikimin Jakubit (a. s.). Pikërisht këtu është simbolika e këmishës, që simbolizon ndershmërinë, sinqeritetin dhe të vërtetën. Këmisha e ndershmërisë e demantoi rrenën e vëllezërve të Jusufit (a. s.), po ajo e njëjta e mbrojti nga shpifjet e Zelihasë dhe mesazhi është shumë i qartë – përfundimisht këmisha e ndershmërisë të mbron nga rrena, të shpëton nga shpifjet dhe të mundëson të të hapet shikimi, të shohësh realitetin/hakikatin. Zilia e asnjë ziliqari nuk mund të të ndalojë përparimin, nuk mund të ta pengojë dhuntinë që ta ka caktuar Allahu madhëriplotë. Sikur që zilia e vëllezërve të Jusufit (a. s.) që nuk mundi ta ndalojë përparimin e tij, ndoshta pikërisht sjellja e tyre e futi Jusufin (a. s.) në rrugën e lartësimit, deri në majat e administratës së Egjiptit të lashtë.

(Autori është Drejtor i Sektorit për Diasporë pranë BFI në RM)