Rexhepi: Luftohemi sepse ua prishim andrrallat megalomane

reisi Sulejman ef Rexhepi

Intervistë me Reisul Ulema i BFI në RM, H. Sulejman ef. Rexhepi

Portali shqiptar ZHURNAL.MK ka zhvilluar një bisedë me Kryetarin e BFI në RM, Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepin, mbi pikëpamjet e tij për situatën politike në vend, duke shpalosur një sërë dukurish që kanë ndodhur në skenën politike të vendit, mbi raportet e politikës vizavi BFI-së, mbi përgatitjet e këtij Institucioni fetar për t’u përballur me këto situata dhe për t’i tejkaluar me sukses, si dhe për një sërë çështjesh të tjera që i tangojnë shqiptarët dhe, përgjithësisht, myslimanët e vendit

Krijohet përshtypja sikur Bashkësia Islame merret me politikë aq sa me fenë. Është një përshtypje kjo, një fakt apo një reaksion i ndërhyrjes së politikës në çështjet fetare?

Bashkësia Fetare Islame është Institucioni i vetëm fetar në vend i cili merret me organizimin institucional të jetës fetare islame. Ky është prioriteti i saj: ta organizojë dhe ta avancojë jetën fetare islame. Por, si mundet ta kryej këtë obligim e detyrë në kohën kur politika shtetërore të ngre diga e kurthe përpara! Tashmë po stërpërsëritemi duke konstatuar se, Islami është fe e paqes, se Islami thërret në tolerancë, në harmoni e në bashkëjetesë. Megjithatë, Islami është sistem vlerash fetare, morale, ekonomike, financiare, humane etj., por, gjithsesi, edhe sistem vlerash politike. Të gjitha këto vlera u përkasin profileve përkatëse, pra, neve, teologëve na përkasin vlerat që kanë të bëjnë me shpirtëroren, me përulësinë, me ndiçimin e mendjes së mbarë njerëzimit. Kështu e di dhe e kupton komuniteti ynë musliman, ndaj dhe shpesh habitet kur nga teologët dëgjohet ndonjë deklaratë politike, kur tërhiqet ndonjë lëvizje politike apo kur ulemi këmbëkryq para politikës. Shikoni, rrethanat në Maqedoni si dhe realiteti aktual na detyrojnë që të merremi dhe të reagojmë edhe politikisht. Diskriminimi ndodhë si pasojë e qëndrimeve politike të një etnie shumicë. Diskriminimi ushtrohet mbi pjesën tjetër që e përbën në tërësi popullatën heterogjene të një shteti. Konkretisht, diskriminimin, në çdo aspekt, në çdo pore të jetës e ndjejnë pikërisht pjesëtarët tanë të islamit, të cilët, në shumicë absolute janë shqiptarë. Kur reagon popullata jonë kundër këtyre politikave diskriminuese (deri edhe me nuanca raciste), atëherë, për ne si Institucion, por edhe për mua si prijës fetar, është haram i madh të qëndrosh indiferent dhe të mos ia përziesh kapuçat pushtetit. Në Maqedoni tani e sa kohë diskriminimi nacional kundër shqiptarëve kamuflohet me një qasje perfide të pushtetit maqedonas: bashkangjitje forcave perëndimore kundër “terroristëve islamikë”! Këtë nënçmim dhe ofendim nuk mundem ta duroj për më të madhin kjamet. Si mund të mos reagojmë politikisht kundër “Monstrës” e cila “zuri shumë myslimanë që paskan luftuar kundër NATO-s madje edhe në Afganistan”! Dështimi i politikave nacionaliste maqedonase në gjetjen e “fundamentalistëve dhe terroristëve islamikë” në qenien shqiptare këtu në Maqedoni është, mbi të gjitha, meritë e BFI-së, e teologëve tanë, e anëtarësisë sonë dhe, natyrisht që ky dështim do ta motivojë orientimin e luftës kundër shkaktarit. Kjo është Bashkësia Islame “e politizuar”! Ky është konstatimi i dështakëve dhe i makinerisë gebelsiane propagandistike që zhvillohet kundër nesh, kundër BFI-së, po, edhe kundër meje. Mua më obligon feja ime që të mbaj anën e njerëzve të mi për nga feja, të jem korrekt dhe në harmoni të plotë me fetë e tjera dhe me pjesëtarët e tyre, të angazhohem vetëm për përhapje të paqes e të mirëqenies. Aty ku më cënon politika, natyrisht që do t’i kundërpërgjigjem me të njëtën përmbajtje, pra, me politikë. Pushteti nacionalist maqedonas mundohet që të vë dorë mbi çdo pore të jetës së qytetarëve dhe, në rastin kur kjo tentativë politike kundërshtohet pa ndërprerë – këtu krijohet ai mashtrim optik i “përzierjes së BFI-së në politikë”. Do të merremi edhe me politikë derisa myslimanët tanë do të ndjehen politikisht të stabiziluar, të qetë dhe të etabluar e të respektuar në të gjitha sferat e shoqërisë sonë. Këtu vimë te konstatimi juaj që shtrohet si pyetje, në është ky një reaksion i yni kundër ndërhyrjes së politikës në çështjet fetare. E kush mendon se çështje fetare nuk është edhe vetë jeta e myslimanit?

Në shkrimet tuaja, jeni shumë kritikë ndaj politikave zyrtare të shtetit. Por në të njëjtën kohë jeni në shënjestër të sulmeve të mediave maqedonase kryesisht të afërta me pushtetin. Cila është origjina e këtij konflikti permanent BFI-Shtet?

Unë nuk bëj politikë por nuk mundem të pajtohem me politikat që ashiqare pretendojnë të më ngulfasin politikisht. Si mund të mendoj dhe të sillem ndryshe përveçse politikisht përballë përpjekjeve sistematike devalvuese të pozitës së BFI-së në shtet, përballë politikave diskriminuese në sferën e decentralizimit, në sferën e respektimit të të drejtave njerëzore, përballë ofendimeve institucionale që na i bëjnë duke na i përdhosur objektet tona fetare, duke na i nënçmuar dhe mohuar vlerat tona (simbolet etnike) kombëtare… Një kohë relativisht të gjatë, karshi këtyre dikriminimeve shtetërore kemi qenë “të përmbajtur”, nuk kemi përdorur masa populliste si kundërreagim, jemi ankuar nëpër dyert e ndërkombëtarëve duke ua bërë me dije se nuk pajtohemi me këto politika, kemi bashkërenduar veprimet me partitë tona, të them kushtimit, të bllokut mysliman. Veprimi ynë qetësisht nisi t’i shqetësojë të kompleksuarit e pushtetit dhe patëm shenja se do të na mbushin me “përgjues” të tyre konspirativ! Nga ana tjetër, veprimi ynë i matur nisi të shpjegohet ndër popullatën tonë si frikë, “si kolaboracionizëm”, “si vasalitet” …, ndaj dhe, për ta ruajtur popullatën tonë nga këto manipulime, dhe dinjitetin tonë si dhe, për t’ia bërë pushtetit me dije se ne dimë të reagojmë edhe zëshëm, vendosa të dal në opinion herë pas here me ndonjë kolumnë, a ndonjë analizë e koment mbi këto dukuri politike e fetare. Partitë politike mund të bëjnë edhe kompromise në dëm të partive të veta, marrëveshje për koalicione qeveritare, për bashkëpunime ndërpartiake, të heqin dorë përkohësisht nga parimet partiake e përcaktime programore të partive. BFI nuk mund të heq dorë nga Kurani dhe nga Suneti i Muhamedit a.s., nga praktikat islame vetëm se i paskësh shkuar në mend Gruevskit që këtë shtet për nja 10-20 vjet ta bëjë vetëm shtet ortodoks. Politikanët mund të kenë konsideratë këtu por, unë nuk guxoj të kem kurrfarë konsiderate e cila do të ma nënçmojë apo edhe mohojë fenë islame. Fjala e parë e Kuranit është “Lexo”! Si mund të pajtohesha me pushtetin maqedonas dhe ta luftoja këtë Urdhër të Zotit duke u vënë në krah të pushtetit kundër themelimit të USHT-së! Përkundrazi, u përfshiva në këshillin iniciativ me në krye të ndjerin Prof. Fadil Sulejmanin, BFI e përkrahu edhe financiarisht, u bëra krah me studentët shqiptarë duke ua financuar muaj me radhë revistën e tyre “Studenti”! Si mund të heshtja përballë Kushtetutës diskriminuese e cila nuk e njihte fare BFI-në dhe islamin në vend, ndërsa me nenin 19 këtë shtet praktikisht e përcaktonte si shtet ortodoks. Thënë shkurt, ky konflikt permanent në mes të shtetit dhe BFI-së origjinën e ka në nacionalizmin megaloman maqedonas, i cili shpërtheu që me pavarësimin e këtij shteti. Ne parreshtur, vazhdimisht dhe gjithkund, në çdo takim e me të gjithë faktorët relevantë, vazhdimisht kemi shprehur angazhimin tonë, kërkesat tona dhe përcaktimet tona për bashkëjetesë dhe për mirëqenie, ndërsa kjo arrihet vetëm në momentin kur do të hiqet dorë kundër politikave diskriminuese që ushtrohen mbi Institucionin tonë, mbi shqiptarët dhe mbi pjesëtarët tanë të tjerë. Prandaj, përkrahjen e kemi prej të gjithë këtyre faktorëve ndërkombëtarë, ndërsa, çuditërisht, sulmohemi nga pushteti. Çka flet kjo? Luftohemi sepse ua prishim andrrallat megalomane politikanëve që akoma janë në gjumin e shekujve të kaluar. Ne nuk mund të grishemi nga gjumi i tyre, sepse kemi prioritetet tona: sa më parë të inkuadrohemi si shtet në NATO e BE, aty ku siguria dhe harmonia kanë kuptimin e plotë.

Nuk është sekret se shumë shqiptarë, subjekte politike dhe jopolitike, mes të cilave edhe Bashkësia Fetare Islame, janë përndjekur dhe survejuar nga shërbimet sekrete. Lideri i opozitës maqedonase pretendon se ka prova për përgjimin edhe të krerëve të bashkësive fetare. Ju vetë, keni biseduar personalisht me kreun e opozitës dhe a keni marrë nga ai materialet e përgjimit tuaj?

Jo! Pati spekulime të tilla, se kinse unë jam takuar me liderin e opozitës maqedonase dhe se e paskam marrur dosjen e përgjimeve. Nuk është e vërtetë, por, thjesht ishte një reagim i përzier me frikë i pushtetit aktual kundër meje në momentin kur, personalisht unë, thjesht e sulmova fenomenin e përgjimit, pa kurrfarë pozicionimi politik. E ka bërë Gruevski, Zaevi, Ali Ahmeti apo Barak Obama, thjesht, në aspekt fetar është një akt i shëmtuar dhe i sanskionuar. Reagimi i tyre u shpreh kundër meje duke m’u kërcënuar tërthorazi se do të nxjerrin afera të ndryshme etj. etj. dhe, nuk u bënë burra që reagimin dhe ato fakte t’i tundin ashtu siç po ua tundë para syve z. Zaev por, përmes blogjeve të krijuara aty për aty, pa adresë e pa nishan, pa emra e mbiemra. Në këtë rast, përçohet mesazhi se do të nisin shpifjet (sepse argumentet kanë “pronarin” e tyre) kundër meje. Do të vazhdojë kjo lojë, jam i vetëdijshëm. Fundja, kjo është punë e shërbimeve sekrete, të fusë huti, të përçajë e të sundojë. Mendoj që e ka shumë të vështirë (madje të pamundur) që ta copëtojë unitetin tonë, trungun fetar të BFI-së. Sikur të ishte i vërtetë takimi im me Zaevin, deri më tani pushteti do ta ngulfase opinionin me fotografi, me incizime e me fakte, qoftë nga paparacët e tyre, qoftë nga “çimkat”, sepse është pushtet, i ka të gjitha mundësitë dhe mjetet (të cilat i paska të ngjashme me ato të MOSAD-it të Izraelit).

Për çfarë flet kjo veprimtari e shtetit/pushtetit? Në një nga shkrimet tuaja e keni cilësuar aferën e përgjimeve si punë djajsh…

Çka flet kjo aferë? Apo, kush do të ishte i denjë që të merrej me të tilla afera?! Vetëm shteti normal jo! Pa dyshim, shteti normal e ka atë target grupin që duhet përgjuar dhe ky grup janë kriminelët potencialë, dilerët e drogës, individët e rrezikshëm për shoqërinë e për sistemin. Por, të përgjohen qytetarët në mënyrë masovike, kjo ka të bëjë me çrregullim mental si dhe me tradhëti. Domethënë gjysmën e popullatës e ke kriminelë e dilerë të drogës dhe gjysmën tjetër e ke DPMNE apo LSDM! Por, këtu kemi një tjetër problem, i cili ka hedhur dyshime të mëdha tek ndërkombëtarët, tek ata që dinë t’i vlerësojnë këto dukuri e këto situata! A mos kemi të bëjmë me një pushtet të rrejshëm, i cili në esencë paskësh qenë grup kriminelësh të cilët, përmes këtyre përgjimeve po përgatiten për krimin e organizuar të shekullit dhe për shantazhin shekullor ndaj qytetarëve, në veçanti ndaj atyreve që kanë mendim ndryshe, mendim opozitar, kundër pushtetit. Varianti më i butë i konstatimit të tyre: këto përgjime flasin për përpjeke për të lëshuar rrënjë neokomunizmi që po hedh shtat në Maqedoni. Kështu po mendojnë miqtë tanë ndërkombëtarë, ndërsa sa më përket mua, unë kam thënë tekstualisht “Kur përgjimi nuk e arrin suksesin ligjor mbi një dukuri të shfaqur si rrezik potencial për shoqërinë, por, arrin cënimin e të drejtave themelore të njeriut, atëherë kemi të bëjmë me një mjet të pushtetit për të ngritur një mekanizëm presioni dhe frike mbi çdokënd i cili nuk i bindet tekave të “Vëllait të Madh”. Pastaj e kam quajtur edhe punë djalli, sepse, gjykuar sipas parimeve islame ky veprim është i denjë vetëm për atë “i cili është i gatshëm për ta hëngër mishin e vëllait të vet të vdekur”. Ajetin 12 i sures El-Huxhurat thotë : “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun…” Ndërsa ata që merren me këtë veprimtari, Kurani i quan banorë të Xhehenemit. Ndaj këtyre “banorëve” duhet patur respekt po aq sa ndaj djallit, ndaj kanibalëve të vëllait të vdekur… Ruana Zot nga kjo kategori njerëzish, se me të vërtetë këta janë në gjendje të bëjnë gjithçka, kundër çdo kujt.

A keni frikë se mund të dëmtoheni ose të përndiqeni penalisht për shkak të këtyre deklaratave të forta, që politikanët shqiptarë nuk i bëjnë dot?

Qëndrimi im në raport me përgjimet përcjell vetëm atë që e thotë Kurani. Nuk ka forcë në këtë botë (përveç Krijuesit tim, Allahut Fuqiplotë) që mund të më ndalojë të përcjell atë që e thotë Kurani. Sa i përket qëndrimeve të mia që shprehin pakënaqësi kundër lojërave politike që luhen mbi kurrizin e popullit tim, sa i përket përpjekjeve për ta devalvuar islamin në këto hapësira, unë e kam obligim fetar e kombëtar që në këtë aspekt të jem i pathyeshëm. Për dallim prej politikanëve tanë në këtë aspekt, unë duhet t’i mbroj këto qëndrime të mia edhe për faktin që unë kam dhënë betimin kur kam marrë këtë post. Do të më bënin shumë nder ndjekjet penale të ngritura për shkak se jam transparent në mbrojtjen e të drejtave fetare e kombëtare të bashkëkombësve të mi e të të gjithë myslimanëve të vendit. Kur bëhet fjalë për goditjet e ulëta – këto i pres, sepse shërbimi sekret kombëtar i maqedonasve atë punë ka: t’i godasë të gjithë ata që nuk pajtohen dhe që janë të pakompromis në raport me politikat diskriminuese nacionale maqedonase. Unë, veç tjerash, i përkas profilit të jurisprudencës, sidomos sheriatit islam dhe, them që në këtë lëmi jam ekspert. I njoh fare mirë të drejtat e mia si shqiptar, si pjesëtar i islamit dhe obligimet dhe detyrimet e mia ndaj fqinjit tim, ndaj bashkëqytetarëve të mi të përkatësive të tjera etnike e fetare. Në këtë sferë jam i pakompromis. Kështu më urdhërojnë edhe porositë kuranore.

Në një nga bombat e opozitës, përmendet çështja e ndërtimit të hotelit në vendin e Xhamisë Burmali. Bisedat e përgjuara japin të kuptojnë se hoteli që do të ndërtohet është më shumë pronë e kreut të Qeverisë sesa investim i jashtëm. Si i komentoni ju këto insinuata?

Ftakeqësisht, kjo e dhënë doli nga ajo “bombë”! E tmerrshme! Mbi të gjitha sepse në sipërfaqe nxori “mentalitetin e Faraonit”! Ajo çka është pronë e shtetit, shteti mund t’ia falë qytetarit, por, ajo çka është pronë e Faraonit, mbetet përjetë e Faraonit! Piramida e Faraonit! E ne. Myslimanët e vendit, Faraonit të pronës ku po ndërtohet “srbski Oficirski Dom-i” (mu te “Burmali Xhamia”) ia bëjmë me dije se kurrë e përjetë, nuk do të heqim dorë nga ajo pronë. Kjo porosi tashmë është arkivuar në ndërgjegjen e çdo muslimani të vendit, do të ngelë kod në gjenet e muslimanit. Nuk guxojmë të heqim dorë nga ky amanet. Po ju do të thoni “keni hequr dorë, sepse aty po ndërtohet diçka tjetër”! Ne hoqëm dorë përkohësisht! Ishte përgatitur një protestë shumë e madhe, një protestë historike, ku pa dyshim që do të thyheshin shtizat në mes të pushtetit dhe BFI-së. Na erdhën informacionet se pushteti po përgatitej të infiltronte bashkëpunëtorët e vet të cilët do të provokonin deri në gjakderdhje, deri në një përleshje katastrofale. Kjo do t’i pëlqente pushtetit aktual, sepse me këtë do të dëmtohej tërë çështja jonë kombëtare dhe krejt kjo do ta çonte ujin në mullirin serb. Në moment të fundit hoqëm dorë nga protesta, dmth, shprehur me fjalorin luftarak, bëmë një tërheqje taktike. Beteja nuk ka përfunduar. Nuk mund ta gëzojë atë vend kurrfarë “Faraoni”! U konsultuam edhe me disa nga institucionet kombëtare të Shqipërisë e Kosovës dhe, u dakorduam që ndihmën ta kërkojmë nga Turqia, si trashëgimtare e Perandorisë Osmane në periudhën e së cilës është ngritur kjo Xhami. Turqët na kanë premtuar se do të na ndihmojnë, tashmë problemi është në duart e tyre, sepse ata mund ta bëjnë me kompromise e kushtëzime. Ne kemi besim të plotë se me ndihmën e qeverisë aktuale turke kjo pronë do të na rikthehet. Ndryshe, në planet afatgjate, jemi thellësisht të bindur se ajo pronë do të na kthehet, nëse jo ne, nëse jo gjeneratës pasuese, njëra prej gjeneratave të ardhshme do ta rikthejë, patjetër.

Pak javë më parë, ambasadori amerikan vizitoi Bashkësinë Islame. Është vizita e parë e një ambasadori amerikan në këtë institucion. Si e vlerësoni ju atë? A është vizita një mirënjohje e shtetit amerikan për rolin konstruktiv që luan BFI dhe ju si kryetar i saj?

Pra, bëhet fjalë për vizitën e parë të ambasadorit të ri amerikan që ia bëri BFI-së. Ndryshe, institucioni ynë ka pasur bashkëpunim të ngushtë me z. Batler, me zonj. ambasadare Millovanoviq, me ambasadorin Kristofer Hill, Filip Riker, pra me të gjithë, pa përjashtim. Gjithnjë jemi vizituar, jemi përkrahur dhe jemi mbështetur për qëndrimet tona të matura, të shpejta dhe shumë njerëzore ndaj dukurive që janë shfaqur herë pas here. Asnjëri nga këta diplomatë të shtetit amerikan nuk e ka fshehur mirënjohjen e thellë amerikane për rolin tonë konstruktiv si faktor relevant në vend. Gjithsesi, vizita e mirënjohje kemi edhe nga shumë ambasadorë e diplomatë të shteteve të BE-së. Ne jemi të hapur për të gjithë. Madje edhe kemi hasur në mirëkuptim të plotë për sa i përket shqetësimeve tona. Kjo u dëshmua edhe me projektin tonë kundër terrorizmit dhe për parandalimin e qytetarëve tanë për të shkuar nëpër luftërat e huaja. Të gjithëve ua kemi ofruar projektin dhe prej të gjithëve kemi kërkuar përkrahje dhe mbështetje financiare. Madje, ambasadorja franceze publikisht ka kërkuar që të bëhet lobuesja zyrtare e projektit në korin diplomatik të vendit.

Në të kaluarën, jeni kritikuar se keni “shqiptarizuar” BFI-në, se përfaqësoni vetëm besimtarët shqiptarë, por jo dhe komunitetet e tjera. A keni në strukturën organizative të BFI-së edhe përfaqësues të pakicave të tjera etnike?

Ç’të keqe paska këtu nëse “shqiptarizohet” BFI! Ka folur dikush ndonjëherë për maqedonizimin absolut të kishës ortodokse, apo të kishës katolike? Në Bashkësinë Islame, nëpër pozita të ndryshme gjithmonë kanë qenë të përfshirë edhe myslimanët e etnive të tjera. 80% e muslimanëve të vendit janë shqiptarë dhe, si shumicë, këtyre ju takon që ta bartin përgjegjësinë e organizimit dhe të avancimit të jetës fetare, krah për krah me vëllezërit e tyre të komuniteteve të tjera etnike. Me Kushtetutën e BFI-së të gjithë komunitetet kanë të drejtë në gjuhën e tyre, imamët janë nëpunës të BFI-së, varësisht cilës etni i përkasin, në atë gjuhë edhe predikojnë. Atëherë kur nuk i kemi pasur kuadrot tona, kemi pasur, për shembull, në Medrese edhe profesor maqedonas. Ka qenë shumë i respektuari profesor Ivani. Kjo sepse nuk kemi qenë të frustruar e as të hendikepuar! Po në cilën shkollë fetare ortodokse maqedonase mund ta gjesh si ligjërues një shqiptar apo një mysliman. E kuptojmë që nuk kanë nevojë, sepse kanë kuadro të mjaftueshme, dhe se e ndjekin politikën e tyre diskriminuese. Kjo nuk mund të kamuflohet duke na sulmuar neve se po e shqiptarizojmë shumë BFI-në. Një logjikë e tillë do të duhej të dilte fshehurazi nga ndonjë plan racist i cili ka të nënvizuar eliminimin e kuadrit udhëheqës dhe zëvendësimin e tyre me të tjerët, përkatës të tjerë. Hej, nuk do të habitesha kur kjo makineri gebelsiane do të nisë të ankohet se si, përkundër faktit që në Turqi jetojnë nja 4 milion shqiptarë, e sa boshnjak, sirian, e sa e sa të tjerë, ndërsa Bashkësia Fetare Turke akoma është e turqëzuar! Marrina! Komplekse të nacionalshovenistëve të verbuar.
Këto ditë po kritikoheni edhe si “përçarës i BFI-së”?

Për fatin e keq të tyre, mbledhja e fundit e Rijasetit e dëshmoi të kundërtën! Derisa disa bashkëpunëtorë të mi të hershëm, të cilët me gjasë i mori dikush mësyshë, por edhe disa anonimusë e bllogerë pa nam e nishan (anonimusët gjithnjë janë në pozitën “zagar i policisë”) po shpifin, po mundohen ta fusin dorën e përçarjes në trungun e çelikosur të BFI-së, të gjithë organet dhe institucionet e BFI-së, unanimisht më përkrahën dhe ma përforëcuan legjitimitetin në krye të Institucioni tonë më të lart islam në vend. Po si ndodhë që këta “zhurmaxhinjë” të shpërthejnë paralelisht me aksionet policore në Malësinë e Shkupit, me aksionet policore që po zhvillohen vetëm se në vendbanimet shqiptare, në tërë Maqedoninë Perëndimore! Çka flet kjo? Qofsha në gabim por, dikush po mundohet ta relativizojë aksionin policor duke e gjetur fajin “te qortimi” im që ua paskam bërë! Po pse nuk i qortojnë punëdhënësit e tyre të vërtetë! Le të ngelë në ndërgjegjen e tyre. Populli ynë, organet tona, menjëherë e diktuan se gjellë e kujt është tërë kjo dhe në cilën guzhinë është përgatitur. Ndaj njëzërit e dënuan duke e konfirmuar unitetin e pathyeshëm të Institucionit tonë. Ujku do mjegull!

Nga konkluzionet shihet se, megjithatë, masat nuk ishin aq drastike: Keni bërë vetëm shkarkimin e disa individëve nga psotet e deritanishme dhe se i keni caktuar nëpër vende të ndryshme pune?

Po, Rijaseti vendosi që ish-muftiu i Shkupit të caktohet profesor në Medresenë Isa Beu, ish-sekretari i myftinisë së Shkupit të caktohet edukator në Medrese, ndërsa ish-sekretari i BFI-së zbret në vendion e vet të mëparshëm, sekretari i Shoqatës Ilmije. Rijaseti ua krijoi sërish mundësinë që secili prej tyre të japin kontributin e vet nëpër vendet gjegjëse dhe të përpiqen për avansimin e jetës fetare islame. Nëse e kanë këtë mision, le të urdhërojnë, për ndryshe, nëse edhe më tej vazhdojnë me përpjekje shqetësuese për mbarë popullatën myslimane të vendit, atëherë le të urdhërojnë në ato qendra e guzhina ku gatuhet gjithçka e rëndë kundër popullatës sonë. Popullata jonë, organet dhe entet e Institucionit tonë, janë si një grusht i pathyeshëm para të cilit, shpifjet dhe lojërat nëntokësorë, kërcënimet dhe shantazhet banditeske, tunden si puplat në ajër, duke rënë pastaj mbi pullaz, mbi bar, mbi pleh…
/www.zhurnal.mk/

Comments are closed.