Bashkësia Fetare Islame në Republiken e Maqedonisë së Veriut
Bashkësia Fetare Islame e Republiken së Maqedonisë së Veriut

Revista “Hëna e Re”

Revista “Hëna e Re” është një revistë informative, kulturore, islame, e cila botohet në suaza të BFI. Ajo filloj të sheh dritën e botimit për herë të parë më 1987, edhe atë në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe turqisht. Me këtë organ të saj informativ, e plotësoi edhe një zbrazëtirë në aspektin e informimit të mirëfilltë të pjesëtarëve të saj lidhur me aktivitetet e saj të nduarnduarta në jetën fetare. Revista “Hëna e re” i prezentohet lexuesit mysliman, por edhe publikut të interesuar, si e para revistë e specializuar fetare që fokusohet te arritjet por edhe problemet e zhvillimit të jetës fetare islame në Maqedoni. Përpos temave të ndryshme islame, si ato historike, ekonomike, morale, kulturore, në këtë revistë, bëhet përcjellja e suksesshme e haditheve, të cilat komentohen dhe interpretohen nga analistë të njohur të vendit tonë, me çka plotësohet edhe më tepër nevoja e muslimanëve për njohuri më të gjëra mbi hadithin, sidomos kur kjo revistë është mujore dhe më lehtë arrin në mesin e popullatës. Revista “Hëna e Re” ka për qëllim të manifestojë në shoqëri, vlerat edukative, etiko- morale, tradicionale dhe mbi të gjitha fetare. Të gjitha këto vlera mundohemi t`i gërshetojmë me të gjitha fushat e jetës bashkëkohore duke u munduar të paraqesim fenë Islame jo si dogmë fetare por si sistem jetësor. Revista “Hëna e Re”, tani më është shndërruar në një organ vital i Bashkësisë Fetare Islame, që botohet nën drejtimin dhe kujdesin e këtij institucioni. Krijimi i një dritareje informacioni të kualifikuar, me sugjerime, analiza dhe identifikim të problemeve është në vetvete qëllimi, por edhe shpresa për një kontribut të revistës “Hëna e Re”. Dhe jo vetëm kaq, ne shpresojmë t’i ofrojmë popullit tonë dije fetare në mënyrën më të qartë, më të kuptueshme, më të thjeshtësuar, sa më bindëse dhe profesionale; t’i japim popullit tonë mësime të thukëta fetare, kulturë të gjërë në kuptimin e fesë në mënyrë të mirëfilltë e të drejtë, pa shtrembërime, pa mjegullina, ashtu siç i ka zbritur Pejgamberit tonë, të hedhim dritë mbi shumë çështje e probleme të errëta e me plotë dyshime; ta përhapim Islamin në mënyrë sa më autentike, nga burimet e shpalljes së pastër, me qëllim që të ofrojmë arsimim e kulturë për popullin tonë, që të dalë nga padija e prapambetja fetare dhe për të ndriçuar mendjet e tyre me Islamin burimor, me gjuhën e argumentit, fakteve dhe studimeve të përpikta të dijetarëve të shquar të Islamit, me shpresë se do të jemi tregues të rrugës së drejtë, të cilën duhet ta ndjekim të gjithë, dhe udhërrëfyes në të vërtetën universale dhe unike. E ideuar si një udhëzues profesional jo vetëm për qytetarët e shtresave të ndryshme por edhe për teologë profesional, revista ka si lëndë bazë informacione të hollësishme dhe të organizuara në mënyrë profesionale që kanë të bëjnë me të gjitha hallkat e procesit të përhapjes, zhvillimit dhe praktikimit të Islamit. Natyrisht përveç këtij materiali utilitar, revista i ndihmon lexuesit me dinamizmin e informacionit, përditësimin e tij dhe plotësimin e vetes me intervista të personaliteteve të fesë apo ilustrime të protagonistëve të ndryshëm që kanë përvojë në këtë fushë. Në fund është me shumë vlerë për ne që të theksojmë se suksesi dhe e ardhmja e kësaj reviste varet nga dobia e saj për publikun e interesuar. Ne e shohim marrëdhënien me lexuesin si një komunikim të vazhdueshëm bashkëbisedues. Nëse lexuesit e respektuar do të gjejnë te “Hëna e Re” një mundësi efikase konsultimi për vlerësimin e njeriut, atëherë mund të themi se qëllimi i revistës është arritur.

Lexoni botimet