Respektimi i prindërve

169

orhan
Respektimi i prindërve

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xh.sh., krijuesit të gjithësisë; salavatet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin e Tij, Muhamedin s.a.v.s., familjen e tij, shokët e tij dhe gjithë myslimanët që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Shkruan Orhan Sali

Një ndër temat shumë të rëndësishme në Islam është edhe respektimi i prindërve, të cilin Allahu xh. sh. e ka ngritur në nivelin e respektit që i bëhet Atij.
Allahu xh. sh. në Kuran in famëlartë thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve.” [El Isra, 23]
“Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet.” [Llukman, 14]
Madje, Allahu xh. sh. na urdhëron që të sillemi mirë me ta dhe t’i respektojmë edhe sikur të jenë pabesimtarë: “E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre.” [Llukman, 15]
Transmeton Muslimi nga Esma, e bija e Ebu Bekrit, se ka thënë: “Ka ardhur tek unë nëna ime, e cila në atë kohë ishte mushrike (idhujtare), dhe e pyeta Pejgamberin s.a.v.s., duke i thënë: “O i dërguar i Allahut, më ka ardhur nëna e cila e urren gjendjen time në të cilën jam (Islamin e saj), pra a ta vizitoj nënën time?’ Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Po, vizitoje nënën tënde.” [Muslimi dhe Buhariu]
Respektimi i prindërve konsiderohet edhe si Xhihad. Transmeton Abdullah ibn Amri r.a., ka thënë: “Ka ardhur një person tek i dërguari i Allahut dhe ka kërkuar leje nga Pejgamberi që të marrë pjesë në Xhihad. Pejgamberi s.a.v.s. e pyeti: “A i ke të gjallë prindërit?” Ai iu përgjigj: “Po.” Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Xhihadi yt është tek ata.” [Buhariu dhe Muslimi]
Gjithashtu, transmetohet nga Enesi r.a. se ka thënë: “Ka ardhur një person te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i tha: “Me të vërtetë, unë kam dëshirë për të luftuar (për Xhihad), mirëpo nuk po kam mundësi.” Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?” Ai tha: “Po, e kam nënën time.” Pejgamberi s.a.v.s. iu përgjigj: “Rregulloni marrëdhëniet me Allahun xh.sh. duke i respektuar prindërit. Nëse e bën një gjë të tillë (nëse i respekton prindërit), atëherë ti ke bërë Haxhin, Umren dhe Xhihadin.” [Taberaniu. Mundhiri ka thënë se zinxhiri i këtij hadithi është i mirë]
Respektimi i prindërve është shkak për hyrje në Xhenet. Transmeton Ebu Darda r.a. se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë:
“Prindërit janë dera e mesme e Xhenetit, pra, sipas dëshirës, humbe ose fitoje atë derë.”
[Tirmidhiu, që ka thënë se hadithi është sahih]
Kushejri ka thënë: Me “dera e mesme e Xhenetit” nënkuptohet “dera më e mirë e Xhenetit”.
Transmetohet nga Muavija ibn Xhahime, se Xhahime ka ardhur te Pejgamberi s.a.v.s. dhe e ka pyetur:
“O i dërguar i Allahut, unë kam dëshirë që të luftoj në rrugën e Allahut, dhe kam ardhur te ti që të konsultohem.” Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “A e ke gjallë nënën?” Tha: “Po.” Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Kryej nevojat e nënës tënde, se me të vërtetë Xheneti është tek këmbët e saj.” [Transmeton Imam Ahmedi]
Në transmetimin e Taberaniut qëndron se Pejgamberi s.a.v.s. e ka pyetur: “A i ke prindërit gjallë?” I thashë: “Po,” Tha Pejgamberi s.a.v.s.: “Kryej nevojat e tyre, se me të vërtetë Xheneti është nën këmbët e tyre.” [Albani ka thënë se ky hadith është Sahih]
Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve. Transmeton Abdullah ibn Amri r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, dhe pakënaqësia e Allahut është në pakënaqësinë e prindërve.” [Tirmidhiu, këtë hadith e kanë bërë sahih Ibn Habbani dhe Hakimi)
Respektimi i prindërve është edhe shkak për largimin e ndonjë fatkeqësie. Argument për këtë është ngjarja e tre personave që kanë hyrë në shpellë dhe një gur i madh ka rënë dhe ua ka mbyllur daljen. Në këtë gjendje, secili prej tyre e ka lutur Allahun xh.sh. me ndonjë punë që e ka bërë për hir të Tij, dhe njëri prej tyre e ka lutur Allahun xh.sh. me respektimin e prindërve, duke thënë:
“O Allah, nëse këtë vepër e kam bërë për hir Tëndin, largona neve këtë shkëmb që të mund të dalim.” Dhe Allahu xh.sh. ua largoi shkëmbin dhe dolën nga shpella. [Buhariu dhe Muslimi]
Mosrespektimi i prindërve është nga mëkatet më të mëdha. Transmeton Ebi Bekre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha?” Këtë e përsëriti tri herë. Ne i thamë: “Po, o i dërguar i Allahut.” Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Me i bë shirk (shok) Allahut dhe mosrespektimi i prindërve…” [Buhariu dhe Muslimi]
Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: “Dhe, në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: ‘Zoti im! Mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël’.” [El Isra, 24]
Shpresoj se e morëm mesazhin se sa i rëndë është mëkati nga mosrespektimi i prindërve.
Allahu na bëftë prej atyre që i respektojnë prindërit, që i dëgjojnë ata. Allahu i mëshiroftë prindërit tanë, ashtu siç na mëshiruan ata neve kur ishim të vegjël. Allahu ua faltë mëkatet prindërve tanë dhe i shpërbleftë ata me Xhennetul Firdeus.