Në Medresenë “Isa Beu”
Respekt për profesorët dhe hoxhallarët që mbajtën të ndezur kandilin e dijes
Reisul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi: ““BFI me respekt të veçantë nderon profesorët dhe hoxhallarët të cilët edhe përkundër sakrificave të ndryshme me të cilat janë përballur, kanë ditur t’u bëjnë ballë fortunave duke mbajtur të ndezur kandilin e dijes, për të çuar në vend urdhërin e Allahur xh.sh nëpërmjet Kur’anit famëlartë – “Ikre”
Me moton “Pishtarë të dijes dhe dritës Islame”, Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni mbajti manifestim kulturor në shenjë mirënjohje dhe falemnderimi për edukatorët, mësuesit dhe hoxhallarët që kanë mbajtur të ndezur dritën e Islamit tek gjeneratat e reja.
Me këtë rast u fol për punën dhe veprimtarinë e Rexhep ef. Jusufi, Myfti në Myftininë e Shkupit dhe ish-profesor në Medresenë “Isa beu” Shkup, Isa ef. Ismaili, myfti në Myftininë e Maqedonisë Lindore, Alifikri ef. Esati, ish-myfti i Tetovës dhe ish ligjerues në FSHI dhe Sherif ef.Deari, profesor në Medresenë “Isa beu” Gostivar dhe referent në Myftininë e Gostivarit.
Ky manifestim u realizua me qëlli që profesorët, kontribuesit e dritës Islame, të shijojnë për së gjalli konsideratat dhe respektin që kanë për ta, ata që i kanë vjelur frutat e dijes prej tyre.
Manifestimin e përshëndeti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili tha se BFI nderon me pietet profesorët të cilët me shumë sakrifica dhe mund edukuan gjenerata e gjenerata duke mbajtur ndezur kandilin e dijes dhe të Islamit në këto anë.
“BFI me respekt të veçantë nderon profesorët dhe hoxhallarët të cilët edhe përkundër sakrificave të ndryshme me të cilat janë përballur, kanë ditur t’u bëjnë ballë fortunave duke mbajtur të ndezur kandilin e dijes, për të çuar në vend urdhërin e Allahur xh.sh nëpërmjet Kur’anit famëlartë “Ikre”, “Lexo”, dhe duke e përcjellë këtë urdhër tek gjeneratat e reja dhe tek ky popull i cili na ka përkrahur dhe vazhdon të na jep mbështetje në rrugën tonë të shënjtë, rrugën e Islamit të vërtetë”, tha ndër të tjera në fjalën e vet të rastit kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Sulejman ef.Rexhepi.
Më pastaj, ashtu siç e do “kuvendi” për katër personalitetet veç e veç floën me pietet kolegët e tyre.
Për figurën e profesorit të nderuar, Myftiut aktual të Shkupit, Rexhep ef. Jusufi, foli drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Ibrahim ef. Idrizi, i cili theksoi: “Roli dhe kontributi i prof. Rexhep Jusufit në këtë Institucion është tepër i madh, sepse ai u ka mësuar nxënësve rregullat e gjuhës së Kushtetutës Botërore, Kur’anit famëlartë. Duke ditur këtë rëndësi prof. Rexhep Jusufi ju qas studimeve të gjuhës arabe për ta mësuar vetë çelsin e fshhtësirave të mahnitshme që pastaj atë çelës t’ua bartë gjeneratave me një pasion të veçantë. Profesori është edhe një ndër përpiluesit e teksteve shkollore të gjuhës arabe si autor dhe koautor për katër vite të medresesë. Profesor Rexhep Jusufi gjithë jetën e tij ia përkushtoi edukimit të mësim-besimit të nxënësve në Medresenë “Isa Beu” në Kondovë dhe një pjesë të xhematit të tij në vendin e lindjes Nerez”, tha ndër të tjera në kumtesën e vet prof. Ibrahim Idrizi, drejtor i Medresesë “Isa Beu” Shkup.
Për punën dhe veprimtarinë e Alifikri ef. Esatit ish-Myfti i Tetovës dhe ish-profesor në FSHI foli Myftiu aktual Qani ef. Nesimi.
“Alifikri ef. Esati, njihet si njohës i mirë i rrethanave fetare, politike dhe sociale. Sfidat e kohës i ka tejkaluar në formë shumë profesionale. Njihet si njohës i mirë i të Drejtës dhe Sheriatit Islam. Kolektivi i ngushtë i punës Alifikri ef. Esatin ish-myftiun e Tetovës e përshkruan me fjalët “Njeri që i frikësohet Allahut, diplomat, tolerant, vizionar dhe hoxhë i cili gjithmonë ka dëgjuar mendimet ndryshe”, kështu e përshkroi figurën e Alifikri ef.Esatit, Myftiu i Myftinisë së Tetovës prof. Qani ef. Nesimi.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup doc. dr. Fahrudin Ebibi, duke bërë përshkrimin e punës dhe veprimtarisë së Isa ef. Isamilit, Myfti në Maqedoninë Lindore tha, se kontributi i tij ka qenë i vyer dhe me shumë sfida.
“Në mesin e atyre që kanë dhënë kontribut të çmuar padyshim është edhe figura e mirënjohur e efendiut, hoxhës së popullit, myftiut dhe ligjeruesit të spikatur me ndikim të madh që ka lënë dhe vazhdon të le gjurmë në karrierën e tij, haxhi Isa ef. Ismaili. Ky personalitet me punën dhe kontributin e tij shumëvjeçar, arriti të rreshtohet në radhët e personaliteteve të shquara dhe me ndikim të madh në vendin tonë. Ai gjatë mandatit të tij ka arritur shumë vepra madhështore ndër to organizmi i ligjeratave për gjininë femërore dhe shkuarja e tyre në xhami të rrethit dhe nga motive se edhe femra muslimane sipas bindjes së tij kishte të drejtë të edukohej dhe të arsimohej”, theksoi doc. dr. Fahrudin Ebibi, dekan në FSHI.
Figurën e Sherif ef. Dearit e përshkruajti Mallzim Zendeli, i cili theksin e kish vënë tek puna e palodhshme e Sherif ef. Dearit që e ka pasur me nxënësit , por edhe me jetën fetare Islame në Gostrivar. “Prof. Sherif Deari në mënyrë dinjitoze do të prezentojë Islamin dhe do t’u përgjigjet kritikave dhe akuzave që i bënin Islamit dhe muslimanëve duke u bazuar në burimet tradicionale dhe racionale. Në të njëjtën kohë, si argument të fuqishëm do t’i ketë edhe ligjet pozitive, të cilat po ashtu buronin nga Kushtetuta e RSFJ e cila garantonte liritë fetare, por ideologjia e pushtetit të asaj kohe ishte kundër besimeve në përgjithësi e në veçanti ndaj Islamit dhe muslimanëve. Shoqata ILMIJE përmes seminareve që i mbanin me anëtarët e saj, i bindnin ata si dhe përfaqësues të shtetit se mësimbesimi është në dobi të njerëzimit e me theks të veçantë në të mirë të shoqërisë. Mbajtja e seminareve kishte për qëllim pajisjen e anëtarëve me akuzat që i bëjnë mësimbesimit dhe ndërtimit të xhamive si dhe t’ua bëjë me dije gjithë popullatës se Islami nuk është fe e gjakderdhjes, e shpatës dhe e konflikteve, por është fe e paqes dhe e tolerancës. Prof. Sherif Deari do të mbajë edhe seminare me imamët e pakualifikuar në lokalet e Medresesë ISA BEU në Shkup dhe atë gjatë kohës së verës, kur nxënësit e Medresesë ishin nëpër pushime. Seminari do të zgjasë një javë, ku do të ligjërohen temat më të rëndësishme për nevojat e një imami siç ishte Kiraeti, Akaidi, Fikhu, etj.”, tha veç të tjerash z. Zendeli.
Natyrisht programi u përcoll edhe me pika artistike fetare për të cilat shte përkujdesur profesori i nderuar Abaz Jahja. Në fund, Reisul Ulema, në shenjë mirënjohje dhe respekti, të katër personaliteteve për të cilët u organizua programi, iu ndau nga një mirënjohje, Kur’an të cilit këta persona ia kishin dedikuar një jetë të tërë, si dhe nga një pikturë që paraqisnin pamjet e xhamive të trevave prej nga vijnë këta katër personalitete të nderuar. Gjithashtu, Kryetari i BFI-së i ndau mirënjohje, një Kuran, edhe njërit nga edukatorët më të vjetër dhe më të palodhshëm, Shabi ef. Sinanit. Në fund u hap edhe një ekspozitë me fotografi që flisnin për momentet nga puna e përditshme profesionale e këtyre personaliteteve që u nderuan në këtë manifestim, ideatore e të cilit ishte gazetarja e Radio Shkupit, Valbona Zunçe, e që u mbajt nën patronazhin e Reisul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepit.
Comments are closed.