REISUL ULEMAJA VIZITON MYFTIUN E BASHKËSISË ISLAME TË KOSOVËS, MR. NAIM EF. TËRNAVA

Sot, më 6 shkurt 2021, Reisul Ulema i BFI të RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Sekretari Gjeneral i BFI të RMV, H. Irsal ef. Jakupi, Muftiu i Muftinisë së BFI – Shkup, Dr. Qenan ef. Ismaili, Muftiu i Muftinisë së BFI – Tetovë, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, Muftiu i Muftinisë së BFI – Strugë, Mr. Salim ef. Sulejmani, Drejtori për Marrëdhënie me Botën Arabe pranë BFI, H. Ismet ef. Ademi, Drejtori për Marrëdhënie me Diasporën pranë BFI, Prof. Dr. Selver ef. Xhemaili dhe Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë, Hfz. Evzal ef. Sinani, vizitoi Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myfti Mr. Naim ef. Tërnavën.

Në këtë vizitë miqësore, Reisul Ulema i BFI të RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, fillimisht falënderoi Kryetarin e BIK, Mr. Naim ef. Tërnavën dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë së BIK-së për mikpritjen dhe respektin e treguar. Myfti Tërnava, nga ana e tij, i uroi mirëseardhje Reis Ulemasë dhe shoqëruesve në shtëpinë e tyre dhe në mesin e vëllezërve të tyre, si dhe shprehu vlerësimin e mirënjohjen e tij të lartë për këtë vizitë.

Ndër pikat që u diskutuan në takim ishte edhe intensifikimi i bashkëpunimit mes të gjitha bashkësive fetare të Ballkanit si pjesë integrale e kontinentit të Evropës dhe në veçanti, mes BFI të Maqedonisë së Veriut dhe BI të Kosovës. Për këtë, konkretisht, palët u dakorduan që para Ramazanit të zhvillohet një mbledhje e zgjeruar mes Kryesive të të dy bashkësive fetare me në krye Kryetarët e tyre në të cilën do vendosen pikat praktike dhe do të konkretizohet bashkëpunimi.

Reisul Ulemaja rishprehu gatishmërinë e tij të plotë për fillim sa më të shpejtë të bashkëpunimit të intensifikuar mes dy bashkësive dhe për këtë, ai premtoi se BFI dhe të gjitha instuticionet e saja do të jenë të disponueshme dhe në shërbim në çdo çast. Ndër të tjera, theksoi se tani janë të krijuara kushtet për një bashkëpunim të mirëfilltë dhe të paprecedentë e historik.

Myftiu Mr. Naim ef. Tërnava shprehu qëndrimin e tij se muslimanët shqiptarë sot, kanë një të menduar fetar të vetin dhe kanë çfarë t’i japin botës myslimane. Po ashtu, ai vuri në pah rolin e madh që kanë shqiptarët në Evropë si faktor muslimanë, kur dihet se përfaqësojnë 1.5% të popullatës evropiane me rreth 8 milionë banorë dhe si të këtillë zëri i përbashkët brenda trojeve shqiptare si muslimanë autoktonë të Evropës duhet të dëgjohet dhe të kumbojë në Ballkan po edhe në Evropë.

U diskutua edhe për çështjen e emigrimit që është duke u përhapur në mesin e shoqërive tona si një pandemi në vete. Për këtë, Reis Ulemaja propozoi që Bashkësitë Islame të të dyja vendeve të përpilojnë strategji që do ndikojnë në mbrojtjen e popullatës dhe zvogëlimin e këtij eksodi që në të ardhmen e afërt mund të rrezikojë mirëqenien sociale të muslimanëve të këtyre trojeve.

Po ashtu, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai propozoi që, në bashkëpunim, Bashkësitë Islame të vendosin standarde të organizimit të jetës fetare dhe pozitës së institucioneve fetare karshi shteteve për vendet evropiane, me qëllim evitimin e veprimeve të skajshme dhe të rrezikshme si rasti i terrorit që ndodhi fundvitin e kaluar në Vjenë.

Kryetari i BIK, Mr. Naim ef. Tërnava, i dhuroi Reis Ulemasë një kopje të librit të tij të fundit dhe të dy kryetarët dhanë një deklaratë të përbashkët për media.

 

Comments are closed.