Reisul Ulemaja takon gjeneratën e pestë të medresantëve

Medreseja Isa Beu, gjatë tërë jetëgjatësisë së saj ka shërbyer si një digë e identitetit fetar e kombëtar në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Me një jetëgjatësi mbi 5 shekuj, kjo Medrese, ka paraqitur qendrën e dijes në të kaluarën dhe ka qenë simbol i shkencës dhe diturisë, si një çerdhe që ka kultivuar brezat e ardhshme të hoxhallarëve dhe intelektualëve të edukuar në frymën fetare dhe kombëtare. Imani i palëkundur i popullatës të këtij nënqielli, e ka mbajtur gjallë frymën e kësaj Medreseje, edhe atëherë kur armiqtë e digjnin dhe e shëndronin në hi. Gjatë historisë, gjatë okupimeve dhe sistemeve të ndryshme, Medreseja Isa Beu shumë herë u shkrumbua, por sërish nga hiri mbinte dhe ringjallej edhe më e fuqishme. Në vitin 1984, pas shumë peripecive të popullatës myslimane me iman të palëkundur në Allahun e Madhërishëm, filloi me punë Medreseja Isa Beu, funksioni i së cilës ishte vetë fjala e Allahut Fuqiplotë, ku Ai në fjalën e parë të tij të shpallur tha: “Lexo, në Emër të Zotit tënd i cili krijoi” (Alek 1). Ajo u ndërtua nga populli, u përkrah nga populli dhe u vu në shërbim të popullit.
Disa ditë më parë u mbajt ceremonia e diplomimit të maturantëve të gjeneratës së 34 të Medresesë Isa Beu e cila u përjetua si një festë e vërtetë, si një triumf i mbrojtjes së vlerave kulturore dhe fetare të myslimanëve në këto troje. E me këtë organizim të mirëfilltë të Bashkësisë Fetare Islame, me gjenerata të suksesshme të nxënësve të Medresesë dhe besimtarë me iman të paluhatshëm, vazhdimësia e kësaj tradite dhe amaneti janë të garantuara. Nxënësit e gjeneratave të ndryshme të kësaj Medrese, të inkuadruar në të gjitha sferat e jetës, me krenari përkujtojnë dhe vizitojnë këtë qendër të dijes dhe edukimit, e çdo vit organizojnë vizita të për tu takuar me profesorët, edukatorët, Drejtorin dhe për të diskutuar eksperiencat e ndryshme, për të parë opsionet më të mira për ta përkrahur dhe mbështetur sa më shumë Medresenë.
Në këtë frymë, të hënën, më 12.07.2021, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, takoi gjeneratën e Pestë të Medresesë Isa Beu, të cilët kishin organizuar një takim me stafin edukativo-arsimor të Medresesë, me dhe Drejtorin Prof. Ibrahim ef. Idrizi, për të përkujtuar me plot krenari ditët e kaluara si nxënës të kësaj Medreseje. Të ardhur nga katër anët e globit, nxënësit e gjeneratës së pestë, mbajtën një takim plot emocion me profesorët e tyre, një ndër të cilët është edhe vetë Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Në formë simbolike, të dyja klasat e gjeneratës së pestë, mbajtën nga një orë mësimore, nga të cilat njërën e udhëhoqi kujdestari i klasës Prof. Ibrahim ef. Idrizi, ndërsa klasën tjetër, në mungesë të kujdestarit të ndjerë Prof. Nuredin ef. Ahmeti, e mbajti Prof. Rexhep Osmani. Më pas, të gjithë nxënësit u mblodhën në hollin e Medresesë, ku u mbajt një tryezë e hapur për diskutim, në të cilën Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirëseardhje në folenë e dijes dhe arsimit. Ai i njoftoi medresantët për ecurinë e Bashkësisë Fetare Islame, për vizionin dhe për sfidat me të cilat përballet ky institucion fetar.
Gjithashtu edhe Drejtori Prof. Ibrahim ef. Idrizi i përshëndeti të pranishmit dhe i njoftoi me ecurinë e Medresesë Isa Beu.
Pas faljes së namazit të drekës, të cilës i priu Prof. Sabahudin ef. Mahmudi, bashkërisht vizituan objektin e Medresesë, menzën ku janë ushqyer dhe internatin, sidomos dhomat në të cilat kanë jetuar 4 vite të jetërave të tyre.
Në nder të kësaj vizite të nxënësve të gjeneratës së pestë, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai shtroi një drekë modeste.

Comments are closed.