REISUL ULEMAJA TAKOI DIPLLOMATËT SHQIPTARË NË KAJRO

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai të shtunën më 12.02.2022, pas përfundimit të pjesës së parë të Konferencës së përgjithshme të Këshillit të Lartë për Çështje Fetare Islame, e cila filloi më datë 12 Shkurt 2022, organizuar nga Ministria për Çështje Fetare Islame e Egjiptit, së bashku me H. Ismet ef. Ademin, Drejtorin e Sektorit për Marrëdhënie me Botën Arabe pranë Rijasetit të BFI, në orët e pasdites u takuan me diplomatët shqiptarë në Kajro, Z. Eduard Sulo Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Dr. Beqir Ismali – Ambasador i Kosovës dhe Konzulli i lartë në Ambasadën e Kosovës, Z. Enis Xhemaili.

Në këtë takim mjaft domethënës e vëllazëror Reisul Ulemaja dhe diplomatët shqiptarë kaluan një mbrëmje të bukur ku biseduan për shumë çështje, në veçanti për kohën e artë të Egjiptit gjatë udhëheqjes së Muhamed Ali Pashës, i cili ka pasur prejardhje shqiptare dhe të cilin Historia e njeh si reformator i madh i Egjiptit dhe themelues i Egjiptit modern. Njiherit biseduan me kuriozitet për dinastinë shqiptare, e cila me dekada udhëhoqi Egjiptin duke lënë gjurma të pashlyeshme në zhvillimin e Egjiptit.

Nga ana e tij Reisul Ulemaja mbeti shumë i kënaqur me vizitën e ambasadorëve tanë dhe këtë e konsideroi si një respekt të veçantë. Zoti i bekoftë.

 

Comments are closed.