REISUL ULEMAJA TAKOHET ME MINISTRIN PËR ÇËSHTJE FETARE TË EGJIPTIT

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i cili po qëndron në Kairo, kryeqytetin e Egjiptit për të marrë pjesë në Konferencën e përgjithshme të Këshillit të Lartë për Çështje Fetare Islame, e cila do të mbahet nga data 12 deri më 13 Shkurt 2022, organizuar nga Ministria për Çështje Fetare Islame e Egjiptit, të premten me 11.02.2022, u takua me Ministrin për Çështje Fetare të Egjiptit Dr. Muhamed Xhum’a me të cilin bënë një vizitë te kompleksi i Kalasë të Muhamed Ali Pashës.

Sipas protokollit Namazi i Xhumasë u krye në Xhaminë e Muhamed Ali Pashës ku Hutben dhe fjalimin në te e kreu Dr. Muhamed Xhum’a, Ministër për Çështje Fetare Islame të Egjiptit, i cili edhe e udhëhoqi namazin e Xhumasë. Pastaj nën udhëheqjen e Ministrit, Reisul Ulemaja vizitoi Kalanë e Muhammed Ali Pashës si dhe muzeun që përfshinte të gjitha epokat historike dhe civilizimet e Egjiptit, prej epokës së faraonëve, romake, islame, otomane dhe deri në kohën e sodit.

Impozante ishte periudha e vendosjes së bazave të reformave të Egjiptit të Ri në kohën e sundimit të Muhamed Ali Pashës dhe pasardhësve të tij të njohur si shqiptarë, familja e të cilit udhëhoqi Egjiptin me dekada në mënyrën më të mirë dhe për këtë shkak ka marrë edhe emrin Reformatori i Egjiptit.

Gjatë këtij takimi, Reisul Ulemaja u njoftua me mënyrën dhe praktikat të cilat i aplikon Qeveria e Egjiptit në menaxhimin dhe me organizimin e jetës fetare në vend. Poashtu edhe Reisul Ulemaja pati mundësinë që ta njoftojë Ministrin për Çështje Fetare të Egjiptit me funksionimin e Bashkësisë Fetare Islame në RMV dhe me organizimin e jetës fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ata këmbyen eksperienca të përbashkëta dhe ndruan mendime rreth çështjeve të ndryshme fetare.

Gjatë ditës në vazhdim, Kryetari i BFI Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai do të merr pjesë në hapjen e Konferencës me temë “Kontrata e qytetarisë dhe ndikimi i saj në realizimin e Paqes në shoqëri dhe në Botë”, ku marrin pjesë delegacione nga mbi 100 shtete. Në këtë konferencë Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai do të paraqitet me temën: “Toleranca në Islam – Fuqi e jo dobësi”. Ai në këtë konferencë do të shoqërohet nga Drejtori i Sektorit për marrëdhënie me botën Arabe, H. Ismet ef. Ademi.

Comments are closed.