REISUL ULEMAJA PËRURON KMSH NË ZVICËR PËR UNITETIN

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Drejtori për Diasporë, Dr. Selver ef. Xhemaili, Drejtori i OH “Hilal”, H. Fadil ef. Ramadani, dhe Shefi i Kabinetit të Reis Ulemasë, Evzal ef. Sinani, në kuadër të vizitës që ia bëjnë Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, të Premten më 11.06.2021 kishin një takim zyrtar me udhëheqësinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, ku në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore u pritën nga Kryetari i KMSHZ Hfz. Mehas Alija, i shoqëruar nga Dr. Bashkim Aliu – Nënkryetar i KMSHZ, H. Fehim Abazi – Nënkryetar i KMSHZ, H. Abdullah Mustafa – Kryetar i Kuvendit të KMSHZ, H. Bilal Tairi – Anëtar i Kryesisë, H. Sherif Tupani – Anëtar i Kryesisë dhe H. Ismail Ademi – Anëtar i Kryesisë.
Fillimisht, Kryetari i KMSHZ Hfz. Mehas Alija u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve nga Bashkësia Fetare e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e falënderoi Reisul Ulemanë për këtë vizitë mjaft domethënëse dhe të rëndësishme, e cila është vizitë përurimi për themelimin e KMSHZ, e cila vjen pas bashkimit të DAGS (Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare të Zvicrës) me Bashkësinë Islame në Zvicër.
Hfz. Mehasi e njoftoi delegacionin e udhëhequr nga Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai për sfidat dhe proceset që sollën deri në bashkimin e këtyre dy subjekteve si dhe për synimet dhe për objektivat që i ka KMSHZ për të ardhmen. Ai tha se ka rreth 50 xhami anëtare të KMSHZ dhe se në Kuvendin e radhës në fund të muajit Tetot të këtij viti, do shqyrtohen kërkesat e disa xhamive për anëtarësim. Ato janë 7 – 8 xhami të ndërtuara nga themeli e që duan anëtarësim në KMSHZ. U fol edhe për rolin e FIDS (Federatës së Unioneve Islame të Zvicrës) në përfaqësimin e myslimanëve në Zvicër.
Ai gjithashtu e falënderoi Reisul Ulemanë për pjesëmarrjen në konferencën virtuale me imamët e Zvicrës, ku ishte prezent edhe Kryemyftiu i BIK Naim ef. Tërnava
Nga ana e Tij, Kryetari i BFI, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai falënderoi Kryetarin e KMSHZ Hfz. Mehas Alija së bashku udhëheqësinë e KMSHZ për ftesën dhe mikpritjen.
“Ka qenë dëshirë e madhe dhe e kamotshme e jona që ta vizitojmë bashkësinë e muslimanëve në Zvicër. Dëshira jonë ishte që tua urojmë drejt për drejt në emër të BFI, organeve dhe institucioneve dhe gjithë myslimanëve dhe me këtë rast t’ju dëshirojmë suksese në të ardhmen”, tha mes tjerash Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili më tej foli edhe për rëndësinë e bashkimit.
“Uniteti juaj ka qenë i domosdoshëm, jo vetëm i nevojshëm sepse juve u ka ra hise historike nga i Madhi Zot, që ju Evropës t’ia sillni vlerën e Islamit. Ky privilegj padyshim mbart edhe përgjegjësi, ndërsa uniteti do të ju japi forcën e përfaqësimit dinjitoz, në këtë rast të KMSHZ. Unitetet janë dy shtyllat kryesore të suksesit shoqëror të mësuara nga veprat e Muhamedit a.s. në Medine”, tha mes tjerash Reisul Ulemaja.
Delegacioni i BFI do të qëndron disa ditë në Zvicër me ftesë nga KMSH e Zvicrës.

Comments are closed.