REISUL ULEMAJA NË MANIFESTIMIN KRYESOR “PËRTEJ OHRIT”
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të Premten më 13.08.2021 mori pjesë në manifestimin kryesor në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me programin për ndërtimin e paqes dhe të drejtat e njeriut në Universitetin e Kolumbisë me panelin e diskutimit të titulluar: “PËRTEJ OHRIT”.
Në këtë ceremoni të drejtuar nga Zëvendëskryeminisri i parë dhe Ministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi, të pranishëm ishin edhe Presidenti Stevo Pendarovski, Kryetar i Kuvendit z. Talat Xhaferi, Kryetari i Qeverisë, z. Zoran Zaev, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti dhe figura të tjera të jetës politiko shoqërore, ndërsa gjithashtu me prezencën e tyre e respektuan këtë manifestim edhe miqtë tanë ndërkombëtarë dhe dy figurat më të rëndësishme për nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit: Javier Solana dhe George Robertson.
Poashtu që në orët e para të mëngjesit, nëpërmjet rrjeteve sociale, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai ua uroi këtë ditë të gjithë qytetarëve të RMV, duke e cilësuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit një ngjarje historike:
“MARREVESHJA E OHRIT – NGJARJE HISTORIKE
Kaluan plotë 20 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, që shënoi aktin dhe ngjarjen historike për të gjithë popujt në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. Ajo i dha inspirim jetës, njeriut, qetësisë, paqes, tolerancës, zhvillimit dhe ardhmërisë së shëndoshë. U bë model që hapi rrugët e mendimit konstruktiv për një rrugëtim drejt ngritjes së vetëdijes për të lëvizur në rrugën e popujve të mëdhenj, që bëri sot Maqedonia Veriut të jetë faktor stabiliteti në Ballkan dhe të jetë anëtarë në NATO dhe të hapen rrugët për në BE. Andaj, edhe sot, ajo paraqet proces të një angazhimi të vazhdueshëm për barazi të plotë të të gjithëve në të gjitha sferat: politike, fetare, ekonomike, shkencore, etj.. .
Shfrytëzoj nga rasti, të shprehi urimet më të sinqerta të këtij Jubileu të rëndësishëm, me lutje të Madhit Zot, për paqe, tolerancë në mes njerëzve dhe forcë shpirtërore, intelektuale për një zhvillim edhe më të fuqishëm te të gjithë në këtë nënqiell.”
Prev Post
Comments are closed.