REISUL ULEMAJA MORI PJESË NË AKADEMINË SOLEMNE PËR NDER TË THEMELIMIT TË USHT

Me rastin e 27 vjetorit të ligjëratave të para, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, të enjten më 17 Shkurt 2022, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, së bashku me Myftiun e Tetovës Prof. Dr. Qani ef. Nesimi morën pjesë në Akademinë Solemne për nder të themelimit të USHT – Universitetit Shtetëror të Tetovës, ku ishin prezent të gjitha figurat e jetës shoqërore e politike të vendit.
Dita e 17 Shkurtit është një nga ditët më të rëndësishme të popullit shqiptar që jeton në Maqedoninë e Veriut, sepse shënon ditën më të ndritshme të arsimit sipëror në gjuhën shqipe, pikërisht për shkak të themelimit të Universitetit me mësim në gjuhën shqipe, i cili për kohën ishte një hap historik dhe vizionar, për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë Akademisë Solemne, Reisul Ulemaja kishe mundësinë që të takohet me shumë figura të ndritura të vendit, me të cilët përkujtuan dhe diskutuan për rolin e madh që e tregoi Bashkësia Fetare Islame në themelimin e këtij tempulli të dijes.
Disa orë më parë, në rrjetin social facebook, në faqen zyrtare të BFI e RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai u përcolli një mesazh urimi të gjithë udhëheqësve, profesorëve e studentëve, si dhe të gjithë atyre që kontribuuan në themelimin e USHT-së, me fjalët në vijim:
“Urime 17 Shkurtin, Ditën e themelimit të Universitetit të Tetovës (Universiteti Shtetëror i Tetovës), të gjithë drejtuesve, profesorëve, studentëve dhe atyre që kontribuuan sado pak për të kthyer atë ëndër të kamotshme në realitet.
Të freskëta janë akoma kujtimet e asaj dite, kur si sot, 27 vite më parë, filluan ligjëratat e para shqip, në Universitetin e parë shqiptar në Maqedoni. Që të gjithë, me vetëdije të lartë, i madh dhe i vogël kontribuuam në ngritjen e një tempulli të shenjtë të diturisë për një të ardhme më të ndritur të brezave të ardhshme.
Arsimi është leva që e ngre njeriun në lartësinë e detyrës, profesionit dhe shkencës, duke e aftësuar atë që të jetë në gjendje tu përgjigjet me sukses sfidave të kohës dhe si të tillë duhet ta ruajmë si dritën e syve.
Andaj, Urime dhe qoftë e bekuar kjo ditë dhe të gjithë ata që kontribuojnë në edukimin dhe arsimimin e breznave të rinj.
Reisul Ulema i BFI të RMV
H. Hfz. Shaqir ef. Fetai”

Comments are closed.