Reisul Ulemaja dhe Sekretari Gjeneral i RABITA-s u pritën nga Presidenti Pendarovski

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, bashkë me Sekretarin Gjeneral të Ligës Botërore Islame, ekselencën e tij, Dr. Muhammed Abdulkerim El-Isa, të premten më 13.08.2021, u pritën nga Kryetari Stevo Pendarovski në vilën Vodno.
Kryetari i vendit z. Stevo Pendarovski përshëndeti mysafirët dhe i uroi mirëseardhje Sekretarit Gjeneral të Ligës Botërore Islame, duke e falënderuar për vizitën që i bën vendit tonë. Ai vlerësoi lartë veprimtarinë e Ligës Botërore Islame. Me ç’rast tha se është i nderuar për vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes Botërore Islame, Shejh Muhammed Abdulkerim El-Isa, në vendin tonë. Ai e përgëzoi mysafirin e lartë dhe shprehu mirënjohje për aktivitetin dhe angazhimin e tij personal për promovimin dhe shpjegimin e vlerave të islamit burimor në të gjithë botën. Liga Botërore Islame është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare islame me qendër në Qytetin e Shenjtë të Mekës. Qëllimi është që të paraqitet Islami dhe parimet e tij burimore mbi tolerancën dhe bashkëjetesën, të ofrohet ndihmë humanitare ku e do nevoja dhe të zgjerohen urat për dialog dhe bashkëpunim me të gjithë.
Edhe Sekretari Gjeneral i Ligës Botërore Islame Dr. Muhammed Abdulkerim El-Isa, shprehu kënaqësinë e tij të madhe për vizitën që i bën Maqedonisë së Veriut dhe falënderoi Kryetarin e Shtetit për mikpritjen. Ai më pas e njoftoi Kryetarin e Shtetit për qëllimet dhe synimet të cilat Liga Botërore Islame i ka në plan për të ardhmen ndër të cilat prioritare janë vlerat e larta njerëzorë që përqafojnë bashkëjetesën dhe humanitetin, duke marrë shembull edhe modelin që promovon Bashkësia Fetare Islame në vend.
Kryetari i BFI, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai nga ana e tij shprehu falënderimet e sinqerta ndaj Presidentit Pendarovski për mikpritjen që ia bëri mysafirit të lartë nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
Për nder të mysafirëve, pas takimit, Presidenti Pendarovski shtroi një drekë solemne.

Comments are closed.