REISUL ULEMA UDHËHEQ DELEGACIONIN E BFI NË VIZITËN NË MYFTININË E VELESIT

“Xhamitë do të jenë zyrat tona”. Në kuadër të këtij premtimi që kohë më parë e bëri Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, vazhdojnë vizitat e delegacioneve të Rijasetit nëpër myftinitë e vendit.
Këtë të xhuma, më 02.07.2021, Kryetari i BFI Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai udhëhoqi me delegacionin e Bashkësisë Fetare Islame në vizitën që iu bë Myftinisë së Velesit. Mysafirët u pritën nga Koordinatori i Myftinisë së Velesit H. NIjazi ef. Murati së bashku me operativën dhe një pjesë e madhe e xhematit, të cilët edhe përkundër temperaturave të lartë kishin dalë në pritje të Reisul Ulemasë dhe delegacionit të BFI, të përbërë nga: H. Irsal ef. Jakupi, Sekretari i Përgjithshëm i BFI, Rexhep ef. Ziberi, Kryetar i Shoqatës së Ulemave, Musanif ef. Rufati, Udhëheqës i Sektorit për Kulturë, Mallzim ef. Zendeli, Referent i Myftinisë së Gostivarit dhe Fatmir ef. Zaimi, Referent i Myftinisë së Shkupit.
Pas një qëndrimi të shkurtër në Myftininë e Velesit, ku u informuan rreth punëve dhe projekteve të Myftinisë, delegacioni u shpërnda nëpër gjitha xhamitë e Myftinisë së Velesit, ku u mbajtën ligjërata dhe ua falën namazin e Xhumasë besimtarëve të kësaj Myftinie.
Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai prezantoi në xhaminë e fshatit Jabollçisht i Epërm, ku fillimisht falënderoi Koordinatorin e Myftinisë së Velesit H. NIjazi ef. Murati, imamin e xhamisë Mustaf ef. Beqiri Kryetarin e Këshillit të Xhamisë dhe xhematin për pritjen masive që i bënë delegacionit të BFI.
“Ishte dëshira ime e kamotshme që ta vizitoj fshatin e mirënjohur në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, fshatin Jabollçisht i Epërm dhe ja i Madhi Zot e bëri caktim që sot të gjendem në mesin tuaj. Në emër të BFI ne tregojmë respektin tonë për këtë xhemat të mirënjohur në tërë territorin e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut. Sot kemi ardhur bashkërisht me një ekip hoxhallarësh në shenjë respekti për të gjithë besimtarët dhe po vizitojmë xhamitë në qytetin e Velesit, Jabollçisht i Epërm dhe i Poshtëm, Buzallkovë, Slivnik e kështu me radhë”, tha Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në fjalimin e tij para se të udhëhiqte me faljen e namazit të xhumasë për besimtarët në xhaminë e fshatit Jabollçisht i Epërm. Më pas në humben që e mbajti Reisul Ulema, ai foli rreth dijes dhe vlerës që paraqet dija në kohët tonë, në kohën e kaluar dhe në të ardhmen, si dhe dijen si një nga amanetet që duhet të përcjellim edhe tek gjeneratat që vijnë pas nëpërmjet Medresesë Isa Beu dhe Fakultetit të Shkencave Islame.
Hutben e plotë të Reisul Ulemasë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:
Poashtu, edhe nëpër xhamitë e fshatrave Jabollçisht i Poshtëm, Buzallkovë, Slivnik dhe qytetit të Velesit, pjesëtarët e tjerë të delegacionit të Bashkësisë Fetare Islame udhëhoqën me faljen e namazit të xhumasë dhe mbajtën humben para besimtarëve.
Më pas Reisul Ulemaja kalimthi u ndal edhe në xhaminë në fshatin Jabollçisht i Poshtëm dhe në Mellnicë ku piu kafe në familjen e Imamit Adem ef. Çorevskit.

Comments are closed.