Reisul Ulema takon teologun e njohur nga Gjermania

10
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të Hënën më 26.07.2021 priti në Selinë e Rijasetit imamin dhe teologun e njohur nga Shkupi që vepron në Gjermani, Benjamin ef. Idriz. Fillimisht Reisul Ulemaja i dëshiroi mirëseardhje në vendlindje mysafirit të çmuar e më pas diskutuan rreth sfidave me të cilat përballet islami në Evropë, e posaçërisht në Gjermani, ku jeton dhe vepron një numër i konsiderueshëm i mërgatës tonë.
Efendi Idriz, e njoftoi Reisul Ulemanë me rrjedhat e organizimit të jetës fetare në Gjermani dhe së bashku këmbyen eksperienca në këtë lëmi. Me këtë rast, Reisul Ulemaja i dhuroi mirënjohje në emër të BFI dhe disa vepra të botuara nga Bashkësia Fetare Islame, ndërsa Efendi Idrzi i dhuroi Reisul Ulemasë librin e tij më të ri, “Gruaja në Kuran”. Është për tu theksuar fakti se Benjamin ef. Idriz kohë më parë u dekorua nga Kancellarja e Gjermanisë znj. Angela Merkel për kontributin e tij dhe prezantimin e Islamit në Gjermani dhe më gjerë.
Gjatë takimit, Reisul Ulemanë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai e shoqëronin: Dr. Selver ef. Xhemaili, Drejtor i Sektorit për Diasporë pranë BFI dhe Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë Dr. Abdilkerim ef. Iseni.