Reisul Ulema pranoi kërkesën e Shefit të Kabinetit për të vazhduar doktoraturën

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të premten më 02.07.2021, në prani të gjithë udhëheqësve të sektorëve të Rijasetit, pas një konsultimi të sinqertë me Shefin e Kabinetit Hfz. Evzal ef. Sinani, pranoi kërkesën e tij për të ndërpre marrëdhënien e punës si Shef i Kabinetit të Reisul Ulemasë, për ta pranuar ofertën e volitshme për vazhdimin e studimeve dhe profesionalizimin në shkencat islame, gjegjësisht Doktoraturës, në Republikën e Turqisë. Me këtë rast, me një ceremoni modeste, Reisul Ulema e falënderoi përzemërsisht Evzal ef. Sinanin, për gjithë angazhimin e tij, punën e pakursyer e cila ka lënë gjurmë dhe sakrificën sidomos gjatë këtyre 7 muajve sa ka qenë në funksion.
“Që në ditën e parë kur u zgjodha Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, porosia ime ishte se: rrugëtimi jonë, rrugëtimi i Bashkësisë Fetare Islame dhe i gjithë muslimanëve do të jetë dija, prandaj gjithmonë do ti përkrah ata që kërkojnë për tu profesionalizuar më shumë në shkencat islame” tha Reisul Ulema duke shtuar më tej se: “Sado që do të dëshiroja që Hfz. Evzali ta japi kontributin e tij në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame, e mbështes atë plotësisht në vendimin që të vazhdojë me kërkimin e dijës, sepse dija është rruga e ngritjes së gradëve në parajsë dhe se dija është trashëgimia e profetëve”.
Nga ana tjetër, edhe Shefi i Kabinetit të Reisul Ulemasë, Hfz. Evzal ef. Sinani falënderoi Reisul Ulemanë dhe kolegët për gjithë mbështetjen gjatë këtyre 7 muajve.
“Me këtë rast dua të falënderoj sinqerisht Reisul Ulemanë, fillimisht për besimin e dhënë po edhe për mbështetjen e pakushtëzuar gjatë këtyre shtatë muajve. Për mua, kjo do mbetet përvoja më e madhe e jetës. Dua të falënderoj nga zemra edhe të gjithë kolegët dhe nëpunësit që më kanë ofruar bashkëpunim të sinqertë dhe miqësinë e tyre. Nga këto muaj, vetëm se kam shtuar bindjen se institucioni ynë amë, Bashkësia Fetare Islame, është institucion i shenjtë, vatër e Islamit dhe kala që duhet mbrojtur dhe zhvilluar doemos me çdo forcë dhe mundësi. Me bindje se vendi ynë ka shumë profesionalistë që do ushtrojnë detyrën edhe më mirë se unë, lutem që Zoti t’i japë sukses e mbarësi trashëgimtarit të funksionit.
Faleminderit nga zemra të gjithë juve që ofruat mbështetjen tuaj të pakushtëzuar dhe përkrahjen maksimale për mua. All-llahu na ruajttë Islamin, muslimanët dhe institucionet tona! Mirënjohës përjetë”.
Në shenjë falënderimi dhe vlerësimi për kontributin e dhënë, Reisul Ulema në emrin e të tij personal dhe të Bashkësisë Fetare Islame të RMV i dhuroi Hfz. Evzalit një mirënjohje dhe një komplet të botimeve të revistës “Zani i Naltë”.

Comments are closed.