Reisul Ulema i BFI-së takoi imamët e diasporës

Reisul Ulema i BFI-së takoi imamët e diasporës
Në ditën e parë të muajit gusht, në SHMI “Medresja Isa Beu”, në Shkup, u mbajt takimi tradicional i Reisul Ulemasë, Kryetarit të BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, me imamët tanë që jetojnë dhe veprojnë në diasporën tonë të shtrirë nëpër shtetet e ndryshme evropiane. Me këtë rast, për nderë të imamëve Reisul Ulema shtroi darkë në restorantin e Medresesë. Gjatë këtij takimi në një atmosferë tejet vëllazërore u trajtuan disa çështje, dilema e probleme me të cilat ballafaqohen imamët tanë por edhe xhemati ynë i diasporës. Syçeltësia, vigjilenca dhe puna sa më e dendur me xhematet tona por edhe me organet vendore ku jetojnë ata, sidomos në këto kohëra të turbullta kur në emër të fesë islame po plasohen lloj-lloj mendimesh të errëta dhe aspak të pranueshme për shqiptarët myslimanë, ishte emëruesi i përbashkët që doli gjatë këtij takimi. Veç të tjerash, efendi Rexhepi, duke i falënderuar të pranishmit për kontributin e tyre në ngritjen dhe ruajtjen e vetëdijes fetare e kombëtare, ka theksuar: “Takimet tona, të kësaj natyre, në këto kohëra të turbullta janë më se të qëlluara dhe të njëjtat duhet të intensifikohen sa më shumë, gjithnjë në të mirë të fesë sonë dhe të xhemateve tona në diasporë. Koordinimi i punëve në mes jush dhe Rijasetit duhet të jetë sa më i ngjeshur dhe sa më profesional për të mirën tonë të përgjithshme.” Nga ana tjetër, edhe imamët nga diaspora kanë shprehur kënaqësinë e tyre për këtë takim si dhe bindjen e tyre se takimet e kësaj natyre si dhe linku tashmë i krijuar në mes tyre dhe Rijasetit përmes Drejtorisë për Dijasporë që tashmë po funksionon në BFI, do të jenë shumë produktive dhe tërësisht në shërbim të përmirësimit të jetës fetare islame në mesin e xhemateve tona që jetojnë dhe veprojnë nëpër shtete të ndryshme evropiane. Të theksojmë që imamët e diasporës u përfaqësuan nga kryetari i imamëve të Austrisë, h. Vahidin ef. Beluli me imamë, kryetari i imamëve të Zvicrës, mr. Nehat ef. Ismaili edhe shumë imamë të tjerë nga Zvicëra, kryetari i imamëve në Gjermani, h. Mensur ef. Halili me imamë, kryetari i imamëve në Itali, mr. Reshat ef. Ibishi, imamë nga Belgjika dhe Danimarka. Në këtë takim mori pjesë edhe mysafiri i veçantë nga Shqipëria aktivisti dhe humanisti i shquar, kryetari i shoqatës ALSAR z. Mehdi ef.Gurra. Në mbyllje të këtij takimi tepër të ngrohtë e vëllazëror, Kryetari i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, imamëve të pranishëm u dhuroi nga një komplet të veprave të tij e përbërë prej gjashtë vëllimeve, me titull “Për fe dhe atdhe”.
darka

darka1

darka2

darka3

darka4

darka5

Comments are closed.