Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi në hapjen e Xhamisë në Fushë-Krujë
Ditë xhumaje në Fushë-Krujë të Shqipërisë, 18 tetor 2019: Është hapur Xhamia e re në Fushë-Krujë, me dy minare, me një arkitekturë madhështore.
Manifestimi ka filluar me një ashere nga hafëz Egzon ef. Ibrahimi. Fjalë përshëndetëse ka paraqitur myftiu i Krujës, Eriol ef. Haxhiu. Në vazhdim ka folur Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, h. Bujar ef. Spahiu, i cili ka uruar për xhaminë e re, i bindur se ajo do të kontribuojë në ruajtjen dhe zhvillimin e Islamit aty e më gjerë.
Vëmendjen e të pranishmëve e ka tërhequr përshëndetja e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili ka thënë se “jemi në rrethinat e Krujës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut për t’iu gëzuar hapjes së xhamisë së re, tempullit të shenjtë të fesë e të dijes”. Ai nga të pranishmit ka kërkuar që “të jemi të bashkuar si ummet, sepse”, ka nënvizuar, “vetëm bashkimi bën fuqinë”. Ndërtimi i xhamive, pas periudhës së errët nga e kaluara, është një ndër arritjet më të shënuara të kohës në të cilën jemi duke jetuar, ka thënë në vazhdim ai. “Jam i bindur që prej sot e tutje kjo xhami do të jetë plot me besimtarë, ku do t’i luten Allahut të madhërishëm dhe ku do ta forcojnë besimin e tyre se jeta pas vdekjes është e amshueshme dhe se ringjallja do t’i vijë secilit prej nesh.” Në këtë drejtim ai ka bërë apel që “të bëjmë punë të mira, të punojmë për fe dhe atdhe, sepse pa fe nuk ka atdhe, por dhe pa atdhe nuk ka fe” – ka thënë ai.
Sulejman ef. Rexhepi pastaj ka falënderuar donatorin e Xhamisë, Gëzim Abdishehun, të cilit i ka dhuruar një Kuran me logon e artë të BFI-së.
Para të pranishmëve ka folur edhe përfaqësuesi i Bashkisë së Krujës, z. Floren Cerhozi, i cili ka uruar krutanët dhe tërë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për xhaminë e re.
Comments are closed.