Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai udhëhoqi delegacionin e BFI në ceremoninë e varrimit të Dr. Rexhep ef. Bojës

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të mërkurën më 15.09.2021 udhëhoqi delegacionin e Rijasetit të BFI në ceremoninë e varrimit të Dr. Rexhep ef. Bojes. Delegacioni i BFI u pritën nga Kryemyftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, H. Naim ef. Tërnava dhe Kryesia e BIK si dhe familjarë të ish-Kryemuftiut të Kosovës Dr. Rexhep Boja.
Fillimisht Kryemyftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, H. Naim ef. Tërnava foli për jetën dhe veprën e Dr. Rexhep Boja.
Ai, mes tjerash shtoi se Dr. Rexhep Boja gjatë jetës së tij shërbeu si imam e Kryemufti i BIK, si profesor në Medresenë Alaudin në Prishtinë dhe në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë më ç’rast ishte edhe bashkëthemelues dhe Dekan i këtij Fakulteti, Diplomat dhe Ambasador i RK-së në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe si udhëheqës i respektuar fetar.
Edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, dha vlerësime të larta për jetën dhe veprën e Dr. Bojës. Ai pati rastin që ti ngushëllojë të pranishmit që kishin ardhur masovikisht nga të gjitha trojet shqiptare, ai mes tjerash tha se: Me dhimbje të thellë dëgjuam lajmin për kalimin në botë tjetër të Dr. Rexhep Bojës. Vdekja e tij është një humbje e madhe për të gjithë shqiptarët dhe muslimanët e Ballkanit dhe më gjerë. Kam pasur fatin ta njoh mirë. Ishte i ditur, i urtë në mendime, i qetë në komunikim me tjerët, strateg në udhëheqje dhe menaxhim, i drejtë në veprime, tolerant në jetë, human ndaj njerëzve, patriot në çështjet e ngritjes së kombit, i paluhatshëm në shërbim të vatanit, i qëndrueshëm në situata të vështira të Kosovës për çlirimin e saj nga robëria shumë shekullore dhe dinjitoz në jetën e tij si prind, intelektual dhe dijetar. Këtë e tregonte në çdo detyrë, si imam, ish Kryetar i BIK- ut, ligjërues në FSI, Ambasador në Diplomaci dhe patriot në shërbim të vatanit. Shkurt thënë tërë jetën ia kushtoi veprave madhore në shërbim të Zotit, kombit dhe atdheut.
Në linkun në vazhdim mund të ndiqni ceremoninë e varrimit të Dr. Rexhep ef. Bojës.

Comments are closed.