Reisi takon Ambasadorin e RMV në Abu Dhabi
Delegacioni i lartë i Bashkësisë Fetare Islame që është në vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe në udhëheqjen e Kreut të BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe në përbërje të Muftiut të BFI Kumanovë H. Abedin ef. Imeri dhe H. Ismet ef. Ademi, Drejtor i Sektorit për marrëdhënie me Botën Arabe pranë BFI, të mërkurën, më 16.09.2020, patën një takim shumë të rëndësishem me Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe në Abu Dhabi, z. Abdulkadër Mehmedi. Në këtë takim të ngrohtë miqësor, delegacioni i BFI e njoftoi Ambasadorin me rrjedhojën e vizitës dhe takimeve që u realizuan me Dr. Ali Rashid En Nuajminin – Kryetar i Bordit Drejtues Ndërkombëtar “Hedayah” – Qendra Ndërkombëtare e Ekselencës me qendër në Abu Dhabi dhe Kryetar i Këshillit Botëror të Komuniteteve Muslimane. Njëkohësisht u këmbyen edhe mendime dhe ide për mundësinë e bashkëpunimit zyrtar të BFI e RMV me institucionet dhe institutet me renome ndërkombëtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nga ana tjetër, Ambasadori Mehmedi përshëndeti proaktivitetin dhe gatishmërinë e udhëheqësisë të BFI të RMV për bashkëpunim të ngushtë me bordin Drejtues Ndërkombëtar “Hedayah” me qendër në Abu Dhabi. Ai gjithashtu përshëndeti edhe rolin konstruktiv të BFI në drejtim të promovimit të vlerave shoqërore, morale dhe fetare të bashkëjetesës dhe tolerancës në RMV duke theksuar se BFI është një nga institucionet e rëndësishme e cila do të ketë rol proaktiv në integrimin e mirëfilltë të shoqërisë dhe vendit tonë në strukturat evropiane dhe euroatlantike duke kultivuar vlerat njerëzore, humane të mirëkuptimit, tolerancës dhe dialogut.
Në emër të delegacionit dhe të BFI, Kreu i Bashkësisë Fetare Islame H. Hfz. Shaqir ef. Fetai shprehu falënderime për aktivitetet e Ambasadorit në poste të ndryshme, e në veçanti për aktivitetet gjatë postit aktual si Ambasador i RMV në EBA, si dhe për menaxhimin e lartë të vizitës së delegacionit të BFI në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Next Post
Comments are closed.