Të mërkurën më 04. 09.2013, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RM, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi pati një takim pune me delegacionin e lartë të Parlamentit Kanadez të udhëhequr nga Kryetari i këtij Parlamenti, z. Noël Kinsela. Në këtë takim gjithashtu prezentë ishin të gjithë krerët e bashkësive fetare që veprojnë në Republikën e Maqedonisë së bashku me Drejtoreshën e komisionit për Çështje fetare në RM dhe Ambasadorit të vendit tonë në Kanada.
Në këtë takim të gjithë krerët e bashkësive fetare e njoftuan z. Kinsela dhe delegacionin kanadez me eksperiencat dhe organizimin e jetës fetare në vendin tonë. Në fund të takimit u prononcua edhe Reisul Ulema për mediumet, i cili mes tjerash tha: “Sot kisha kënaqësinë të takoj Kryetarin e Parlamentit Kanadez, të Nderuarin z. Noël Kinsela i cili e paraprinte një delegacion të lartë nga vendi i tij. Në prezencën e gjithë krerëve të bashkësive fetare në vendin tonë që ndodheshin në këtë takim, e njoftova mysafirin e lartë me organizimin dhe veprimtarinë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë si dhe për të gjitha peripecitë nëpër të cilat kalon komuniteti mysliman në RM gjatë këtyre viteve të fundit.
Me të nderuarin z. Kinsela, këmbyem eksperienca në ngritjen e vetëdijes fetare dhe respektimit të të drejtave universale fetare.”, i cili më tej shtoi se: “Gjithashtu një kënaqësi e veçantë përbën edhe takimi dhe biseda me Senatoren e Parlamentit Kanadez, zonjën Salma Ataullahjan, e cila është një nga dy senatorët muslimanë në Parlamentin e Kanadës.”
Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi në emrin e gjithë muslimanëve të Maqedonisë dhe në emrin e Tij personal, i dhuroi z. Kinselës një pllakat të Bashkësisë Fetare Islame si shenjë kujtimi dhe respekti. Vlen të theksohet se kjo pllakat u dhurohet vetëm miqve të ngushtë të BFI-së.
Comments are closed.