Reisi takoi Ambasadorin e Italisë

1911399_10151867571376104_100796348_oTë enjten më 14.02.2014 Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame H. Sulejman ef. Rexhepi u takua me Ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Ernesto Massimino Bellelli, me të cilin patën një bisedë të përbashkët për sa i përket diasporës tonë që jetojnë në Itali dhe organizmit dhe veprimtarisë si dhe sfidave me të cilat përballet BFI.

Reisul Ulema e njoftoi Ambasadorin Bellelli për komunitetin tonë musliman që jeton në Itali dhe për organizimin e jetës kulturore-fetare, të cilët veprojnë në përputhje të ligjeve pozitive të vendit dhe mësimeve Kuranore, me ç’rast shërbejnë edhe si “Ambasadorë” dhe përfaqësues të vlerave të vendit tonë në Itali.

Ambasadori Bellelli gjithashtu e njoftoi Kreun e BFI-së se komuniteti më i madh në Bashkimin Evropian nga Maqedonia jetojnë dhe veprojnë në Itali, me ç’rast kjo është një mundësi më e mirë për të krijuar një lidhje edhe më të qëndrueshme mes dy Shteteve si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë shpirtëror.

Reisi ef. Rexhepi më pas e njoftoi Ambasadorin Bellelli me organizimin dhe veprimtarinë e Bashkësisë Fetare Islame, me veprimtarinë e 13 muftinive në vend si dhe për të gjitha sektorët që veprojnë brenda BFI-së përfshi këtu edhe Organizatën Humanitare Hilal, Agjencinë e Varimeve Er-Rahatu dhe Agjencinë për dhënien e Hallall Certifikatave.

Më hollësisht u bisedua për Sektorin Edukativo Arsimor, për të cilin Reisi e njoftoi Ekselencën e Tij me veprimtarinë dhe organizimin e procesit edukativo arsimor në Medresenë Isa Beu dhe në tërë paralelet e shtrira si për vajza ashtu edhe për djem. Më pas u diskutua rreth kuadrit akademik që vepron në Fakultetin e Shkencave Islame si dhe rreth përgatitjes së studentëve të cilët kanë zgjedhur Shkencat Islame dhe ardhmërinë e tyre.

Gjithashtu, Ekselenca e tij, i propozoi Kreut të BFI-së që në të ardhmen të shqyrtohet mundësia për implementimin e gjuhës italiane si një lëndë të cilën mund ta përzgjedhin studentët sipas dëshirës në Fakultetin e Shkencave Islame dhe e cila do ti ndihmon ata të cilët e shikojnë veten si veprimtarë të Islamit në Perëndim.

Më pas u diskutua për peripecitë nëpër të cilat kalon Bashkësia Fetare Islame si në respektimin e të drejtave të saja nga e Qeverisë, si për diskriminimin permanent që i bëhet këtij institucioni në aspektin e kthimit të pronave në krahasim me bashkësitë tjera fetare që veprojnë në vendin tonë.

Ambasadori Bellelli premtoi se do ta ngre zërin e tij në Raportin e BE-së për Maqedoninë dhe do të angazhohet maksimalisht që me çdo kusht të respektohen të drejtat e pakicave të garantuara si në Kushtetutën e vendit ashtu edhe në konventat e BE-së.

Vlen të theksohet se Ambasadori i cili nderoi Komunitetin Musliman me vizitën e tij, ka shërbyer më parë në shumë misione në Lindjen e Mesme dhe është një Diplomat që e njeh mirë kulturën islame dhe Islamin në përgjithësi.

Nga ana e Tij, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi  i dëshiroi jetë të gjatë dhe suksese në punën e Tij duke e Lutur Allahun Fuqiplotë që ti bekojë të gjithë miqtë tanë, kudo që ndodhen ata.

Comments are closed.