Reisi shpalos bustin e Halil Latifit në Gërçec

Reisi shpalos bustin e Halil Latifit në Gërçec

Në oborrin e shkollës fillore të fshatit Gërçec (Saraj, Shkup) është ngritur busti i veprimtarit Halil Latifi, i vrarë në vitin 1993 në kuadër të Aferës së Armëve të viteve 1992-1993, në kohën kur në pushtet ka qenë partia e parë e shqiptarëve të Maqedonisë (së Veriut), Partia për Prosperitet Demokratik (PPD). Në shpalosjen e bustit më 20 nëntor, 2019, ka marë pjesë edhe Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me këtë rast, është mbajtur një akademi përkujtimore në nderim të Halil Latifit dhe është promovuar libri i autorit Xhelal Jakupi “Halil Latifi, një jetë për Atdhe (1947-1993)”. Në promovim, në të cilin kanë folur recensenti dhe autori, kanë marrë pjesë përfaqësues të jetës shoqërore-politike nga Komuna e Sarajit, nga Shkupi etj. Kanë qenë të pranishëm Kryetar i BFI-së Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, zv. Kryeministri i Maqedonisë z. Sadulla Duraku, Kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti, Kryetari i SHVL-UÇK Fazli Veliu etj.
Në Akademinë përkujtimore ka folur edhe Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, duke thënë që Halil Latifi është dalluar me trimëri të rrallë, si dhe tërë familja e tij. Ai – ka shtuar më tej kreu i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut – ka qenë i frymëzuar edhe nga feja, sepse pa fe nuk ka atdhe. Sipas Islamit, ka thënë ai, dëshmorët nuk vdesin, ata janë gjallë, dëgjojnë, ndërsa veprën e Halil Latifit e sheh Allahu (xh. sh.), Pejgamberi (a. s.) dhe gjithë populli. Fjalimin përkujtimor Sulejman ef. Rexhepi e ka mbyllur me lutjen që të këndohet një Fatiha për shpirtin e Halil Latifit. I gjithë aktiviteti – i organizuar nga Komuna e Sarajit – është mbyllur me një program artistik me këngë dhe valle shqiptare.

Comments are closed.